Fejesa e një çifti të ri kërcënohet nga çështjet e pazgjidhura në dramën kosovare

  • 09 December 2018 - 16:29
Fejesa e një çifti të ri kërcënohet nga çështjet e pazgjidhura në dramën kosovare

Një fushë ku njerëzit presin trupat e zhvarrosur të të dashurve të tyre, të cilët i kishin humbur vite më parë, nuk është një vend i mbarë për ta filluar rrëfimin e një martese. Por, pasojat e luftës së vitit 1999 në Kosovë nuk janë shpata e vetme që qëndron përmbi kokat e këtij çifti në filmin e regjisores Blerta Zeqiri, "Martesa", një dramë raporti, me zhvillim të ngadalshëm, që është caktuar si film konkurrues i Kosovës për Oskarin e vitit tjetër, në gjuhë të huaj. Lexuesit të cilët nuk do të donin ta dinin se çfarë skeletesh (befasish të pakëndshme) na presin në ormanët e këtij filmi, duhet të evitojnë së lexuari gjithçka rreth këtij filmi: befasia e madhe prishet nga përmbledhja e filmit, e bërë nga IMDb dhe nga përmbledhjet e tjera, përkundër faktit se filmi pret një orë para se ta hedhë bombën. Por, meqë pjesa më e madhe e asaj ore del të jetë vetëm prelud i krizës së madhe, ne duhet tani të kalojmë te gjërat në paragrafin tjetër. 

BEKIMI DHE NOLI FUTEN NË TELASHE KUR JANË BASHKË

Alban Ukaj dhe Adriana Matoshi luajnë rolet e Bekimit dhe Anitës, të cilët pritej që të martoheshin pas një a dy jave. Anita ende nuk ka konfirmuar vdekjen e prindërve të saj, të cilët ishin zhdukur në luftë por trupat e të cilëve nuk ishin gjetur ende. Përkundër kësaj, ajo vazhdon me jetën, duke u marrë me diskutime rreth renovimit të kuzhinës në apartamentin ku ata jetojnë pas martesës. Sapo ishte vendosur çifti për një natë, në barin të cilin e posedon Bekimi, kur zbulojnë një mysafir të paftuar: Nolin (Genc Salihu), një mik nga rinia e Bekimit, i cili tani është bërë një muzikant i famshëm në Francë. Anita, e mahnitur nga fama e tij, është e lumtur që ta thërrasë atë në dasmë. Kur shkojnë nesër për ta provuar fustanin, një rrobaqepëse, e cila i njeh të dy meshkujt, gjendet në siklet; Bekimi dhe Noli futen në telashe kur janë bashkë, thotë ajo. Shikuesit supozojnë se ajo e ka fjalën për dehjet e tyre dhe skenat që pasojnë. Pasi të tre shkojnë për të pirë së bashku, gjërat dalin aq shumë jashtë kontrollit, sa që Bekimi dhe Anita lëndojnë ndjenjat e njëri-tjetrit dhe ndahen. Për një moment duket sikur martesa do të anulohej, gjë që me gjasë do të ishte veprim i mençur, duke pasur parasysh sekretin të cilin e kishte mbajtur në vete Bekimi: Para se Noli të largohej nga qyteti, ata dy ishin dashnorë. 

TAKIMI I PARË

Duke parë se sa ndikon kjo ngjarje në rritjen e dramës, është zor që të justifikohet regjisorja Zeqiri në hezitimin e saj për ta zbuluar këtë sekret. Deri në këtë moment, filmi sikur me qëllim ishte i mërzitshëm për shikuesit, sikur që është një skenë të darkës familjare, në të cilën të afërmit nuk pushojnë së thëni njëri-tjetrit çka të hanë. Kujtimet e sjella herë pas here nga rinia e Anitës dhe takimit të parë të çiftit, sjellin njëfarë freskie, por skenari nuk shpjegon as ankthin rreth planeve për martesë, e as nuk eksploron pasigurinë rreth prindërve të nuses. Gjysma e fundit e filmit duket sikur të ishte e veçantë, duke vendosur Ukajn dhe Salihun në dhoma, vetëm, duke ua mundësuar që të zhyteshin në çdo gjë që kishte mbetur pa zgjidhur midis personazheve të tyre. Që të dy aktorët luajnë mirë këtu, përkundër skenave të herëpashershme jo aq të zhvilluara, duke i lënë simpatitë tona konfuze. A duhet që të martohet Bekimi? A duhet që Noli ta lërë atë që të vazhdojë me jetën? Vetëm një a dy rreshta në skenat e tyre (dhe një grindje e shkurtër, por e ashpër e rrugës) shërben për të na rikujtuar se, në këtë pjesë të botës, të jesh gej mund të jetë e rrezikshme sa edhe të jesh në anën e gabuar të një lufte. Nuk është për t'u habitur, prandaj, që ata e kishin mbajtur këtë sekret për një kohë të gjatë.  

 

(Kosova Sot)