'Komedi e Kuqe' vjen të enjten në Mitrovicë

  • 10 December 2018 - 15:29
'Komedi e Kuqe' vjen të enjten në Mitrovicë

Dramaturgia Albana Muja në vitin 2015 botoi dramën e saj "Komedi e Kuqe", e cila i solli publikut shqiptar, por edhe dramaturgjisë një dramë që brenda vetës ngërthen copëza nga realiteti. Rrëfimin e ngjarjes, Albana Muja e sjell përmes katër personazheve me një stil gjuhë e komunikimi mjaft të sinqertë.

Mirëpo, 3 vjet më vonë Muja i është rikthyer përsëri kësaj dramë, kësaj radhe për ta jetësuar atë në teatrin e Mitrovicës. Në këtë shfaqe do të luajnë: Xhejlane Tërbunja, Mehmet Preteni, Njomza Tmava dhe Fisnik Istrefi. "Drama ime flet për një fenomen që ka ndodhur dhe po ndodh në vendin tonë, për të rinjtë të cilët gjejnë forma të ndryshme që të lëvizin jashtë vendit gjithmonë në kërkim të një jete më të mirë", është shprehur Muja për KultPlus.

Regjinë e kësaj shfaqje e ka bërë Kreshnike Osmani, ndërsa skenografinë Skender Boshtrakaj. Shfaqja "Komedia e Kuqe" do të ketë premierën më 13 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00.

 

(Kosova Sot)