Shqiptarët u shpërngulën me dhunë dhe ua plaçkitën pronat

  • 15 December 2018 - 08:35
Shqiptarët u shpërngulën me dhunë dhe ua plaçkitën pronat

SHKRUAN: PROF. DR. HAKIF BAJRAMI 

Sipas kritereve, se si llogariten dëmet ndaj një populli të robëruar rezulton se nga viti 1918 e deri më 1941, Jugosllavia Mbretërore i ka dëmtuar shqiptarët për 30 miliardë dollarë. Prej vitit 1977 e deri në vitin 1941, Serbia-Jugosllavia i ka dëmtuar shqiptarët për 75 miliardë dollarë. Gjatë viteve 1941-1944, shqiptarët u gjetën nën disa okupatorë: Kosova u nda në tri zona të okupimit-Zona e okupimit gjerman ku de "jure" kishte pushtet Qeveria kuislinge serbe e Milan Nediqit 1941- 1944; Zona e okupimit italian ku pushtet kishte Qeveria kuislinge e Tiranës; Zona e okupimit bullgar ku pushtetin e kishte ekskluzivisht Sofja. Vetëm në Zonën bullgare të drejtat elementare të shqiptarëve ishin dualiste. Në dy zonat e tjera shqiptarët në krahasim me atë çka kishte ngjarë 1918- 1941 e konsideronin si "çlirim". Megjithatë, asnjeri okupator nuk u ndie kurrë se është i mirëseardhur në viset shqiptare. Kështu, ngadalë, por sigurt po krijohej një front Antifashist, por ngjyrimi i tij do të jetë jugosllav. Ky ngjyrim serbosllav e kishte vënë në dilemë masën se nuk dinte se çka do të ndodhë me fatin e saj nëse lufton nazifashizmin së bashku me serbët dhe malazezët, që ishin sjellë ndaj tyre më keq se Hitleri ndaj hebrenjve. E vërteta, disa aradha partizane e kishin nxjerrë zërin e rreshtimit antifashist shqiptar qysh më 1941 për të arritur numri i partizanëve më 1944 në 56000 veta, të gjithë shqiptarë.

KRYESIA E AVNOJ-IT I KISHTE AMNISTUAR TË GJITHA NJËSITET ÇETNIKE

Por, Konferenca Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit në një mënyrë i kishte forcuar dilemat me rastin e kërkesës së KQ të PKJ-së që ato vendime (të Bujanit) nuk mund të mbesin funksionale. Edhe më keq, kur Kryesia e AVNOJ-it nuk i kishte ftuar fare përfaqësuesit shqiptarë në Jajcë më 29. XI. 1943; edhe më mjerueshëm, kur Kryesia e AVNOJ-it i kishte AMNISTUAR të gjitha njësitet çetnike më 21. XI. 1944. E vërteta, as komunistët shqiptarë nuk e dinin se çfarë qëndrimi kishte marrë udhëheqësia serbiane më 3. XI. 1944, kur Vasa Çubriloviq e kishte përpiluar Elaboratin e ri, për shfarosjen e shqiptarëve, derisa të zgjasin operacionet luftarake. Edhe më kuptueshëm se kurrë shqiptarët e morën vesh se ku janë më 8 shkurt 1945, kur në Kosovë Tito e vendos diktaturën ushtarake. Në fakt, cili shqiptar që nuk ishte në parti, e cili shqiptar që ishte në parti dhe Aradha Partizane Nacionalçlirimtare të Kosovës ka mundur ta kuptojë degradimin e Shtabit Kryesor të UNÇ-së dhe AP të Kosovës dhe Rrafshit Dukagjinit me 2 shtator 1944. Cili shqiptar ka mundur ta kuptojë sjelljen e serbianëve komunistë në shumë vise të Kosovës, kur për një njeri e dënonin tërë fshatin. Këto metoda ishin të ngjashme me ato të kralevinës, por edhe të Gestapos, siç veproi në maj 1941 në Gallap. Dhe, sjellja e Shaban Polluzhës, në janar 1945, ishte e natyrshme që mos ta pranojë shkuarjen në Frontin e Sremit, kur kishte pranuar PLOTËSISHT, sikurse Shaban Haxhia. Por, për ta dezorientuar, Shabanin me kreshnikët e tij, prapa shpine në Drenas Kersta Filipoviqi dhe Spasoje Gjakoviqi, me Dushan Mugoshën ia kishin masakruar popullin dhe i kishin treguar se populli po të masakrohet, e si të shkojë ai në frontin e Sremit. Kthimin nga nisja e dëshironte elementi çetniko-komunist sllave, për t`u sjellë me shqiptarë si u sollën, duke bërë krime monstruoze, sidomos në Drenicë dhe në Pejë e rrethinë. Se çfarë krimesh kanë ndodhur në Gjilan dhe në Ferizaj nuk do të dihet kurrë, sepse neofashistët sllavë i humbën gjurmët sikurse tentuan t` i humbin gjurmët më 1999, duke bartur kufoma shqiptare deri në Danub. Në rrethana të tilla për ta kursyer elementin kolonist që duhej të kthejë në Kosovë, Beogradi do të marrë vendim më 6 mars 1945, që "kolonistët mos të kthehen". Por, posa e vërejti Rankoviqi dhe Zeçeviqi, se forcat e rezistencës ishin shfarosur, më 1 prill 1945 Politbyroja e PKJ-së do ta sjellë vendimin: "Tito: Të gjithë kolonistët duhet të kthehen në Kosovë. Bile, atyre kolonistëve kriminelë, shqiptarët përmes punës hangari, u detyruan t'ua ndërtojnë 10 000 shtëpi". Megjithëkëtë, sipas të gjitha kritereve të VLERËSIMIT të dëmeve të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarëve u ishin bërë dëme për 4 miliardë dollarë. Gjatë viteve 1945-1949 në viset shqiptare do të mbretërojë një pushtet racist, sepse çdo lëvizje e lirë dhe çdo liri i nënshtrohej PKJ-së dhe OZN-së, përkatësisht UDB-së së Vlada Zeçeviqit e pastaj Aleksandër Rankoviqit. Prapa, sipas kritereve të llogaritje së dëmeve që i ishin shkaktuar popullit deri më 1950 del se populli shqiptar ishte dëmtuar nga pushteti kolonial serbian për 5 miliardë dollarë.

SA DËME UA SHKAKTOI SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE NË TURQI 1950-1966

Periudha nga viti 1950 e deri më 1966, është e mbushur me deformime të llojeve të papara të një pushteti totalitar. Me të njëjtat metoda sikurse Jugosllavia mbretërore, ajo titiste po e kolonizonte Kosovën me sllavë. Qysh më 1950 Jugosllavia do ta fillojë një metodë perfide kundër shqiptarëve duke i detyruar të regjistrohen si "turq", pa e ditur asnjë fjalë të këtij populli. Në të njëjtën kohë do t` i hapë disa mundësi që të kontaktojë me Republikën e Turqisë për ta aktualizuar Konventën e vitit 1938, për deportimin e të gjithë shqiptarëve në Anadolli. Si një lloj ratifikimi do të shërbejë e ashtuquajtura Marrëveshja Xhentëlmene Tito -Kyprili më 1953, në Split. Nga kjo kohë, sidomos, deri në vitin 1966, i ashtuquajturi Shtabi i A. Rankoviqit, do t` i deportojë në Turqi, sipas Seksionit të pasaportave 412 000 shqiptarë, turq dhe boshnjakë. Për ta intensifikuar shpërnguljen do të pasojë i ashtuquajturi aksioni i mbledhjes së armëve 1955/56; do të inskenohet Procesi i Prizrenit 1956; do të fillojë fushata për mbylljen e shkollave më 1957, për të kulmuar një vit më vonë. Tërë pasuria e të shpërngulurve do të përvetësohet nga shteti dhe do t`u ndahet kolonistëve sllavë. Do të fillojë sllavizimi i institucioneve administrative. Bie fjala në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në tërë Kosovën punonin vetëm 19 shqiptarë, prej tyre vetëm një me fakultet, dy me shkollë të lartë, të tjerët me shkollë tetëvjeçare, do të thotë asnjeri me shkollë të mesme. Plaçkitja e pronave shqiptare deri në vitin 1966 llogaritet në 14 miliardë dollarë, sipas kritereve të llogaritura për Luftën e Dytë Botërore. Në vijim, deri më 1981 viset shqiptare sipas Bankës Ndërkombëtare ishin të zhvilluar sa 31% e zhvillimit të viseve tjera të Jugosllavisë. Me fjalë tjera viset shqiptare ishin shndërruar, në një koloni moderne, ku merret çdo gjë, nuk jepet asgjë, për progres.

DËMET SERBE NDAJ SHQIPTARËVE 1981-1999

Gjatë viteve 1981 e deri më 1999 pushteti kolonial serbian në Kosovë i ka hapur 755000 dosje. I ka deportuar nëpër botë një milion shqiptarë. Pronën e tyre e ka plaçkitur në tërësi. Ushtria, policia dhe mercenarët paramilitarë i kanë rrënuar 140 000 shtëpi dhe ndërtesa ndihmëse, kanë vrarë mbi 13000 civilë, janë hapur 600 varreza masive. Sa biblioteka private janë djegur, nuk do të dihet kurrë. Është djegur deri në themel Arkivi i Bashkësisë Islame të Kosovës, ku kishte dokumente në osmanishte nga shekulli XIV-të, me një vlerë miliardësh, sepse aty ishin faktet se si ishte sjellë pushteti okupator serb në viset e Arbërisë nga Naisusi e deri në Dirahium. Nga viti 1981 e deri më 1999, Kosova ka qenë e programuar të ndryshojë struktura e popullsisë: 49% shqiptarë, boshnjakë, egjiptianë, romë dhe turq, ndërsa 51% serbë. Sipas rregulloreve për llogaritjen e dëmeve të luftës, Kosova do të dëmtohet nga sistemi kolonial serbomadh për 32 miliardë dollarë. Pas 10 qershorit 1999 ushtria, policia dhe sidomos njësitet speciale do ta REKRUTOJNË një pjesë të civilëve serbianë që të largohen me ta nga Kosova, duke u shërbyer si mburojë. Ky fenomen ndodhi si kopje që kishte ngjarë në Kroaci, ku kriminelët e frikësuar i kishin marrë me veti gati të gjithë serbët. Kjo metodë më vonë do t`u përshkruhet forcave të UÇK-së në Kosovë, e në fakt UÇK-ja nuk e kishte as më të voglin faj për këtë, sepse kriminelët serbë, duke u tërhequr me popullin mendonin se NATO-n do të emocionojnë, shqiptarët do t`i akuzojnë dhe vetën do ta shpëtojnë nga ndonjë sulm "diversiv" shqiptar gjatë tërheqjes në shenjë hakmarrje. Këtë intrigë serbiane opinioni duhet mirë e drejtë ta studiojë, sepse në "Ollujen" kroate, kanë vepruar në të njëjtën mënyrë, e që në bazë të argumenteve ata kriminelë që kishin bërë krime në Kroaci dhe Bosnjë deri më 1995, të gjithë me urdhër të Ushtrisë dhe policisë e të Shtabit të Milosheviqit, ishin transferuar në Kosovë. Kur e humbën luftën edhe këtu, të njëjtat metoda i përdorën sikurse në Kroaci, duke marrë me veti civilë serbë, për t` u shërbyer si mburojë fizike, e për t` i përdorur pastaj si strategji politike dhe diplomatike-juridike, për akuza false. E vërteta, të gjitha dëmet e luftës pas 15 qershorit 1999 shqiptarët i kanë lajmëruar në pushtetin kolonial të UNMIK-ut, por deri me sot nuk është dëmshpërblyer askush, sepse Serbia nuk është paditë si agresor, por janë paditë individët pa emër dhe pa adresë, që do të thotë se UNMIK-u ka ardhur në Kosovë për t` i "barasvlerësuar" dëmet dhe për ta shpëtuar kriminelin, e për ta mbajtur në pozitë latente viktimën me Gjykatën Speciale, në mënyrë që kujdestaria e fajeve t` u qëndrojë mbi kokë të gjithë shqiptarëve pa dallim. Shtrohet tash pyetja, pse nuk kthehen serbët e shpërngulur në Kosovë që 20 vjet? Nuk kthehen sepse në rend të parë ata i kanë pasur gjithmonë nga dy palë prona, por janë edhe pjesëmarrës në spastrim sepse synonin ta grabisin pronën shqiptare. Kjo do të thotë se nga viti 1912 e deri më 1999, serbët e kanë kolonizuar Kosovën edhe pse dihej se është vendi me popullsi më të dendur në Ballkan. Dhe kur nuk kishte tokë të lirë, pasi që u ndal shpërngulja më 1966, filluan të vijnë "intelektualë" si nëpunës dhe arsimtar apo udbash. Kjo shtresë arrinte në 67% të nëpunësve dhe arsimtarëve sllave në Kosovë. E si të rrinë ata në pronat e huaja kur e dinin se si janë sjellë me vendasit. Ishte pra shans i mirë për ta të tërhiqen me kriminelët si mburojë që i përdorën nga 10 e deri 25 qershor 1999. Studioni faktet nga Zyra e dokumentacionit të V. Odaloviqit, Z. Angjelkoviqit e kompanisë neofashiste. Përfundim. Serbia nga viti 1877 e deri më 10 qershor 1999 i ka shkaktuar popullit shqiptar 142 miliardë dollarë, shumë kjo që nuk do ta paguajë Serbia kurrë, por do t'i rrijë në qafë, saqë një ditë do t` ia këputë qafen prej së trashi! 

 

 

(Kosova Sot)