"Naltësimi i Iskanderit", nga ish-kryeministri britanik, Benjamin Disrali, vjen në shqip

  • 19 December 2018 - 14:25

Në Muzeun Historik Kombëtar u promovua mes studiuesish, diplomatësh dhe dashamirësh, libri "Naltësimi i Iskanderit", shkruar prej ish-kryeministrit të njohur britanik, Benjamin Disrali, dhe sjell në gjuhën shqipe nga Mal Berisha. Për të folur mbi këtë libër ishte një panel i zgjedhur, i përbërë nga Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, profesor Bardhyl Musai, botues, Mal Berisha, përkthyes i veprës "Naltësimi i Iskanderit", studiues, ish-ambasador. Të pranishmit shprehën vlerësimet, mbresat dhe përshtypjet e tyre mbi librin "The Rise of Iskander", botuar në vitin 1833 nga Benjamin Disraeli, i cili, përveç karrierës së tij në politikë renditet ndër njerëzit e shquar, edhe për faktin se nga një njeri i elitës intelektuale u kthye në drejtues shteti. Novela "Naltësimi i Iskanderit" është shkruar në një kontekst historik kur shqiptarët po fillonin zgjimin e tyre kombëtar dhe figura e Iskanderit ishte pishtari ndriçues në udhën e nisur. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, u shpreh se autori përshkruan takimin e Skënderbeut me Huniadin dhe marrëveshjen që ata bënë për të mbrojtur krishterimin.

(Kosova Sot)