Da Vinçi, simboli i marrëdhënies komplekse franko-italiane

  • 19 December 2018 - 18:33
Da Vinçi, simboli i marrëdhënies komplekse franko-italiane

Leonardo da Vinçi është italian, francezët nuk mund të kenë gjithçka… Kjo polemikë e ardhur nga Italia në lidhje me festimin nga Franca të 500-vjetorit të vdekjes së Leonardo Da Vinçit dëshmon për një marrëdhënie komplekse në arte, mes vlerësimeve dhe rivalitetit.

Gjithçka duket se po shkon siç ishte parashikuar pas marrëveshjes së arritur vitin e kaluar mes qeverisë franceze dhe asaj italiane ku parashikohej që Italia t'i jepte hua pikturat e Leonard da Vinçit (1452-1519) muzeut të Luvrit për një ekspozitë të madhe, në vjeshtë, në kujtim të 500-vjetorit të vdekjes së gjeniut të Rilindjes. Në të kundërt, ishte rënë dakord që Luvri t'i jepte veprat e veta të Rafaelit (1483-1520) një muzeu në Romë për një ekspozitë që do të organizohet vitin e ardhshëm për të kujtuar sërish 500-vjetorin e vdekjes së këtij mjeshtri të madh të pikturës. Pa dyshim që ishte zëvendëssekretarja e re e shtetit italian për Kulturën, Lucia Borgonzoni e cila ka vendosur t'i rikthehet kushteve të marrëveshjes franko-italiane, duke i gjykuar "të papërfytyrueshme". "Leonardo është italian, ai vetëm vdiq në Francë (…).

Dhënia hua e këtyre pikturave tek Luvri do e linte Italinë jashtë një evenimenti kulturor madhor", deklaroi Borgonzoni, anëtare e Ligës, partia e ekstremit të djathtë që erdhi në pushtet qershorin e kaluar. "Në respekt në autonomisë së muzeve, interesi kombëtar nuk mund të lihet në vend të dytë, francezët nuk mund të kenë gjithçka", shtoi ministrja që mendon se gjithçka duhet të bisedohet sërish.

Shumë larg një anekdote, kjo përleshje e fundit franko-italiane tregon gjithashtu për marrëdhënien komplekse, për shkak të afërsisë latine dhe arrogancës, që shoqëron dy kombet prej shekujsh. Tematikë e përsëritur tek italianët, "arroganca franceze" është shfaqur sërish në zemër të tensioneve të fundit diplomatike mes dy vendeve mbi çështjen e emigrantëve.

(Kosova Sot)