Nikolla Pashiqi edhe në Versaj (1919) plasoi falsifikime, të cilat i shndërroi në krematorium ndaj shqiptarëve të Kosovës

  • 12 January 2019 - 08:48
Nikolla Pashiqi edhe në Versaj (1919) plasoi falsifikime, të cilat i shndërroi në krematorium ndaj shqiptarëve të Kosovës

Shkruan: Hakif Bajrami

Në viset e okupuara do të organizohen tri kryengritje shqiptare 

Në këtë shkrim nuk pasqyrojmë Luftën e Parë Botërore, por i parashtrojmë për herë të parë disa veçori që e karakterizuan çështjen shqiptare. Në Luftën e Parë Botërore që zgjati 4 vjet, 3 muaj, 15 ditë, ku morën pjesë 36 shtete, 17 ishin neutrale, luftimet zhvillohen në 14 shtete. Pas kapitullimit të Bullgarisë më 29 shtator, të Turqisë më 30 tetor, Austro Hungarisë më 3 nëntor dhe Gjermanisë më 11 nëntor 1918, do të dëshmohet se gjatë kohës së Luftës u shkatërruan katër perandori: Gjermania, Austro Hungaria, Rusia, Turqia). Në luftë vriten 8, 500 000 (në disa shënime thuhet se 10 milionë), plagosen 20 000 000 njerëz (në disa shënime thuhet 21 milionë). Pas kësaj lufte u krijua "Perandoria" jugosllave me inicimin e Francës, e cila ishte pa konkurrencë të Rusisë në Ballkan dhe pa kërcënimet gjermanoaustriake. Madje, Francës dhe Anglisë iu rritën shanset që të dominojnë në Lindje të afërme. Sikurse pas çdo lufte, edhe kjo si më e përgjakshmja deri atëherë në histori, duhej të mbyllej me një konference "paqësore".

Konferenca e Versajit filloi më 12 (18) janar dhe mbaroi më 28 qershor 1919 

Shqiptarët gjatë Luftës Parë Botërore ishin si komb institucionalisht neutral, por i ndarë në tri-katër zona okupuese. Me një anë shqiptarët nuk donin të gjenden në frontin e Serbisë, pushteti i së cilës kishte dëshmuar mizori dhe gjenocid në Sanxhakun e Nishit më 1877-1878. Në anën tjetër, pas luftërave çlirimtare të shqiptarëve 1908- 1912, pothuajse asnjë qeveri nga fuqitë e vendosura nuk i doli krah çështjes së drejtë shqiptare. Kështu, me një anë Austro-Hungaria kishte dëshmuar fakte se në planin gjeostrategjik është për krijimin e një Shqipërie Bregdetare, shtet ky që do të ishte një vasal i sigurt për të dominuar Vjena, tërë bregdetin lindor të Adriatikut. Në fakt, dokumentet sekrete austriake dëshmojnë se një kohë të gjatë (15 janar 1877- maj 1903) Vjena kishte bërë me dhjetëra pazare me Rusinë, duke e nxitur Serbinë që të zgjerohet kah jugu, dhe shih për këtë kishte nënshkruar Marrëveshje sekrete më 28 VI 1881. Kjo marrëveshje kishte fuqi të dyanshme për 20 plus 10 vjet. Faktori tjetër që Vjena ishte më tepër në ndihmë të Serbisë dëshmohet me numrin e oficerëve të saj që u rekrutuan në TRI armatat serbiane, si instruktorë më 1912. Madje në luftën e Kumanovës dëshmohet se komandën e ka pasur një austriako-gjerman, pra jo mëkëmbësi Aleksandër. Edhe më qartë, në kryengritjet çlirimtare shqiptare, për ta larguar osmanlinë nga katër vilajetet, asnjë instruktor evropian nuk mori pjesë. Madje as armatim të shitur nuk lejuan, sepse nuk ishin që kufijtë e Turqisë në Evropë të ndryshojnë. E pse ndryshuan pas gushtit 1912 kur shqiptarët e ÇLIRUAN tërë Vilajetin e Kosovës, dhe po përgatiteshin për çlirimin e Vilajetit Manastirit, është pyetje që ka përgjigje infektive: Evropa donte një Ballkan të krishterë. Çështje tjetër është se Vjena e drejtoi Serbinë kah Kosova, qysh më 1877 dhe 1881, për ta larguar në orientim okupues kah Bosnja, ku kishte pesë fish më tepër popullsi serbe, se sa në vilajetin e Kosovës. E vërteta, Lufta e Parë Ballkanike në esencë ishte një kryqëzatë klasike, sepse osmanliu u "luftua", por jo politika e saj koloniale, sepse lufta ishte kundër plisit e jo kundër fisit. Fakti se më 20 tetor 1912, me një (1) lirë ari bliheshin në tregun e Prishtinës, Shkupit e Prizrenit 82 fesa, më 20 nëntor 1912 mund të blihej me 82 lira ari një fes, nuk do koment.

Pra, ushtria serbiane dhe malazeze, kë e gjente me fes në kokë, jeta e tij ishte e sigurt-e garantuar, kë e haste ushtria serbo malazeze me PLIS, ai në saje të një dekreti i ushtarak, pushkatohej me procedurë rrufeje. Koha nga viti 1912 e deri më 28 VII 1914, në viset e okupuara shqiptare do të karakterizohet me mizori të të gjitha llojeve: nga konvertimi fetar në Zonën e okupimit nga Mali i Zi, e deri te djegia e fshatrave dhe deportimi masiv në Anadolli nga zona okupuese serbiane, me çka për sllavët ardhacakë në Ballkan, krijohej shansi që pronat e mbetura shkret të shqiptarëve, të kolonizohen me sllavë. Pushteti gjakatar serb, për ta kthyer Kosovën e pushtuar më lehtë në koloni klasike, për një qind vjet, do të përkujdeset që më 6 nëntor 1912, t`i privojë nga liria, por mos ta prezantuar Çështjen e Kosovës drejt në Londër, këta politikanë shqiptarë: Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Hoxhë Seid Idrizi, Shaban Pasha, Xhemal Beu, Rushid Beu, Ibrahim bej Kokola, Jashar Pasha, Monsin Beu, Muharrem Efendiu, Hurshid Beu, Idriz Seferi, Kazim Seferi. Këto personalitete shqiptare do të mbahen në burgun e Beogradit deri më 31 mars 1913, deri atëherë kur Konferenca e Londrës i kishte mbaruar të gjitha pazaret me trojet shqiptare.

Varje publike e çdo shqiptari që ishte i njohur për "Anarki" 

Përkundër faktit se shqiptarët iu nënshtruan një terrori të përsëritur nga koha e Shefqet Turgut Pashës, në viset e okupuara do të organizohen tri kryengritje shqiptare: në Bajë të Malishevës, në Junik të Dukagjinit dhe në Dibër. Këto kryengritje i dridhen nga themelet, sidomos sistemin okupues serbian. Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, Serbia do të përkujdeset që t`i mobilizojë shqiptarët nga mosha 17 e deri në 35-vjeçare, për t`i dërguar në veri ku kishte filluar lufta me Austro Hungarinë. Atje do të vdesin me mija shqiptarë, në vijat e para të frontit, duke hapur ISTIKAME mbrojtëse. Për ndihmën e këtyre shqiptarëve, çarqet serbiane kurrë nuk e kanë shprehur as më të voglin objektivizim.

Përkundrazi, e kanë fetishizuar një tradhtar, i cili në Nish do të vë firmë tradhtie (Esat Pashën), për të mbetur damkë e zezë në historinë tonë më të re. Lidhur me këtë, pas debaklit të ushtrisë serbe, viset kontinentale shqiptare do të riokupohen nga Austro-Hungaria dhe Bullgaria. Në të dy zonat e okupimit, do të vendosen pushtete që dallonin për kah qëndrimi ndaj popullsisë autoktone. Në Zonën Bullgare ngjarja më tragjike ishte ajo e dërgimit të shqiptarëve për të punuar në Sektorin e ndërtimit të Rrugës në KERÇOVË. Atje i kanë lënë kockat me dhjeta mijëra shqiptarë, të detyruar në punë të rënda. Në Zonën e Okupimit Austro Hungarez, situata ishte pak më ndryshe, por edhe këtu, për më të voglin gabim me urdhër të TROLLMANIT (Guvernator i vendosur në Shkodër), do të zbatohen ligje të luftës, prej pushkatimit e deri te varja publike e çdo shqiptari që ishte i njohur për "anarki".

Vjena i pranoi përfaqësuesit shqiptarë që të shkojnë në kryeqytetin perandorak 

Ngjarja më e rëndësishme politike që ishte menduar të ndodhë në Zonën e Okupimit Austro Hungarez ishte rreshtimi i Ahmet Zogollit që ta organizojë një kuvend në Elbasan më 2- 18 prill 1916. Në kuvend ishin ftuar nga zona e okupuar bullgare: Nexhip Draga në emër të Mitrovicës dhe Sanxhakut Pazarit Ri, Hasan Prishtina duke përfaqësuar Prishtinën, Llapin, Gjilanin , Kumanovën, Ferizajn, dhe Shkupin, Bajram Curri, duke përfaqësuar: Gjakovën, Pejën dhe Prizrenin; Mehmet Pashë Deralla, duke përfaqësuar: Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën. Nga trevat e Shqipërisë Bregdetare ishin ftuar edhe: Kara Seid Pasha, Luigj Gurakuqi, Ahmet Muhtar Zogolli, Lef Nosi, Kristo Floçi, Grigor Cika, Refik bej Toptani, Qemal bej Elbasani, Feizi Ali Zoti, Pandeli Cali, Mehmet Ali bej Zajmi, Sotir Peci, Mehdi Broshi, Ahmet Dakli. Këtë tubim gjithëkombëtar do ta pengojë me të gjitha mjetet Trullman (guvernatori i Vjenës), duke u frikësuar se shqiptarët do të vendosin ta shpallin shtetin shqiptar neutral, dhe në variantin tjetër do t'i vënë kushte Vjenës për besnikëri, sepse gati NJË E TETA e viseve shqiptare me bekimin e Franc Jozefit, kishin mbetur nën okupimin e bullgar.

Dhe, i vetmi "prosperitet" i këtij OKUPIMI modern ishte se Vjena nuk donte popull analfabet, por i lejoi dhe i nxiti shqiptarët që të rreshtohen në oportunizëm, edhe më pastaj në kërkesën imediate për shkollim amtar. Ngjarje tjetër që meriton të mësohet është fakti se Vjena i pranoi përfaqësuesit shqiptar që të shkojnë në kryeqytetin perandorak për t` i shprehur ngushëllime familjes për vdekjen e Franc Jozefit. Në Vjenë do të shkojnë jo më pak se 35- 38 shqiptarë. Por edhe atje do të ndodhë tradhtia. Në vend se të lejohen e të kthehen përfaqësuesit shqiptar, sidomos Hasan Prishtina, në trevat e tyre si përfaqësues të popullit, për ta kundërshtuar çdo okupim serb, ata me urdhër të dy oficerëve të lartë vjenezë, që ishin agjent të Parisit, do të izolohen (në Vjenë), dhe për një kohë nuk do të lejohen të kthehen në viset e tyre, ku e kishin domocilin. Në realitet, fjala ishte te PRANGIMI që Hasan Prishtina të shkojë në Versaj, si përfaqësues i Shqipërisë Kontinetale, që ishte projektuar të mbetej prapë në robëri. Ja çfarë ka "ndihmuar" pra edhe Vjena e "kujdesshme", për pavarësinë tonë. Po, Vjena ishte shumë e interesuar të themelohet një Shqipëri në Konferencën e Londrës (1913). Por, me asnjë veprim nuk e luftoi propagandën serbe të plasuar aty, përmes SHKRESAVE të rrejshme, dërguar nga: Peja, Gjakova, Prizreni dhe Dibra, kinse këto treva "duan t'i takojnë Serbisë".

Këto dërgesa hipokrite dhe kriminale diplomatike që ishin të FASIFIKUARA nga oficerët serb, me kërkesë të Nikolla Pashiqit (shiko: Hakif Bajrami, si e okupoi Serbia Kosovën më 1912, libri nr 1. Prishtinë 2012, gjerësisht; shiko dok, të publikuara aty-hb). Dhe, Vjena më 1913, duke u interesuar vetëm për një "rrip Bregdetar shqiptar", as nuk e hapi gojën se mbi dy të tretat e viseve etnike shqiptare i mori serbi, malazezi dhe greku. Kësaj i thonë ndihmë!. Më mirë mos me hy në pazar, se nëse hynë e shitesh, atëherë më pazare nuk ka. E Vjena ishte në pazare sekrete me Peterburgun ( nga 15 janari 1877- 1912), për çka flasin dokumentet e luftës dhe të diplomacisë, të cilat deri më 2018 janë mbajtur nën embargo.

Tani ato vijnë në duar të shqiptarëve, në saje të miqësisë së Vjenës me atë Moskës, duke krijuar kumari të ndërsjellë në dëm të palës shqiptare, që ilegalisht luftohet dhe sakatohet për shkak të përkatësisë silame të një pjese të popullsisë atëbotë. Në kushte të pushtimit austrohungarez, në Shkodër më 1 maj 1918 do të vijë deri te organizimi i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Pas një debati konstruktiv, Komiteti i Kosovës, do të drejtohet nga këto personalitete:Hoxhë Kadri Prishtina (kryetar), Hysni Curri dhe Halim Gostivari (Nënkryetar, përgjegjës për organizimin e Kryengritjes së armatosur në Shqipërinë Kontnentale).Sekretar i KMKK do të zgjidhet Bedri PEJANI. Ndërsa anëtar të Komitetit ishin zgjedhur: Bardh Jusufi ( Sali Gjuka), Isuf Veseli, Sadik Deçani, Nexhi Hoxhi Sadiku, Adush Kastrati, Jahja Prishtina, Sadik Gostivari, Bjram Deklani, Lalë Perolli, Ragip Kajë Begolli, Qazim Begolli, Hamdi Zajmi, Niman Ferizi, Rrok Perolli, Tahir Zajmi, Kahreman Begolli dhe Ibrahim GJAKOVA. Anëtarë nderi në mungesë do të zgjidhen: Hasan Priushtina, Bajram Curri, Mehmet Delia, Azem Bejta, Nexhip Draga, Aqif Blyta, Ramë Vllasa-Llapi dhe Iliaz Raçaku. (vijon).

(Kosova Sot)