Si u prezantuan të përçarë shqiptarët në konferencën e versajës?

  • 19 January 2019 - 08:11
Si u prezantuan të përçarë shqiptarët në konferencën e versajës?

Presidenti Wilson për shqiptarët e foli vetëm një fjali

Delegacionin nga Amerika e përbënin Nuredin Vlora ( ishte i martuar me mbesën e Woodrow Wilson-it, president i SHBA-së, por që pas pesë vjetësh ishte divorcuar me të). Dokumentet sekrete të CIA-s potencojnë se Nuredini përmes gruas ndikoi te Wilson-i që ta artikulojë çështjen e Shqipërisë Konferenca e Paqes në Versajë filloi më 12 janar 1919 në Ke d` Orsej. Konferenca hapet në 40- vjetorin e formimit të Rajhut Gjerman (18 janar 1879). Në realitet, Konferenca do të fillojë de fakto më 18 janar 1919 me fjalimin e kryetarit të Francës, Remon Poankare. Sipas propozimit të presidentit të ShBA-së (Woodrow Wilson), Konferencën do ta kryesojë kryetari i Qeverisë së Francës, Zhorzh Klemanso. Sekretarinë e Konferencës do ta drejtojë diplomati frëng Ditasta. Pas një debati maratonik, gjuhët e Konferencës do të jenë: frëngjishtja dhe anglishtja. Me këto parime Konferenca do t`i mbajë SHTATË mbledhje. Në Konferencën e parë do të MIRATOHET Rregullorja e Punës dhe e Përfaqësimit. Organi supreme i Konferencës ishte Këshilli i të dhjetëve. Ky Këshill përbëhej prej kryetarëve të ShBA-së, Anglisë, Francës dhe Italisë. Kryetarëve në vijim do t'u bashkohen ministrat e Punëve të Jashtme të SHBAsë, Anglisë ( Ballgor), Francës (Pizhon) Italisë (Sonino). Në këtë forum ishin të pranishëm edhe dy përfaqësues të Japonisë. Këshilli i të dhjetëve nga 12 janari 1919, e deri më 24 mars 1919 do të mbajë konsultime pune dy herë në ditë. Në këtë etapë fuqitë ngadhënjyese e kishin vizatuar HARTËN politike të botës. Në etapën e dytë që do të zgjatë deri më 28 prill 1919, Këshilli i të katërve (SHBA, Anglia, Franca, Italia) do të vendosin me dyer të mbyllura për çështjet më vitale të botës. Një risi ishte realitet, pas 24 marsit 1919, se në vend të dhjetëshes, Këshilli do të fuzionohet në Këshillë të të katërve. Në Konferencë, Presidenti i SHBA-së përcillej prej 150 gazetarëve. Kurse në delegacionin e tij ishin 1300 persona me detyra strikte për çdo imtësi politike, ushtarake, diplomatike dhe gjeostrategjike. Pranë Woodrow Wilson-it nën "hije" ishin kryetari i Francës Klemnso, kryetari i Britanisë Lojd Xhorxhi, kryetari i Italisë Orllando. Çështjet me rëndësi diskutoheshin në rezidencën e Wilson-it. Pranë këtij Këshilli vepronte edhe Këshilli i të pestëve që mbante mbledhje në Ministrinë e Punëve të Jashtme . Këshillat çështjen më delikate e kishin atë të REPARACIONEVE si dhe atë të TERRITOREVE, të cilat më pare i takonin Perandorisë Osmane si okupatore. EKIPI I NIKOLA PASHIQIT IA KALONTE ME NUMRA EDHE ATIJ AMERIKAN Në Konferencë probleme të mëdha u paraqitën se a duhet të paraqesin kërkesat e veta edhe shtetet e vogla, për çka deklarohej Londra. Por, në fund vendimet u morën vetëm nga SHBA-ja, Anglia, Franca, Italia dhe Japonia, të përfaqësuara me nga 5 delegatë. Këto shtete do të vendosin për fatin e popujve deri më 1939, kur filloi Lufta e Dytë Botërore. Në Konferencë ishte edhe sofra e dytë, e cila përbëhej prej shteteve që paraqiteshin me nga 3, 2 dhe 1 delegatë, si: Belgjika, Brazili, India, Greqia, Guatemala, Haiti Hegasi, Hondurasi, Kina, Kuba, Liberia, Serbia, Nikaragua, Panama, Polonia, Portugalia, Rumunia, Siami, Çekosllovakia. Këto shtete do të marrin pjesë në debate vetëm kur viheshin në rend dite çështjet e tyre. Në grupin e tretë ishin shtetet që i kishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë. Ato shtete ishin: Peruja, Ekuadori, Polonia, Uruguai. Në grupin e katërt hynin shtetet që kishin qenë NEUTRALE. Këto shtete kishin mundësi të marrin pjesë në Konferencë, nëse ndonjëra prej shteteve të pranishme e shtronte çështjen e tyre. As në këtë familje nuk ishte çështja shqiptare e shtruar fare, sepse askush nuk e prezantoi. Konferenca do të shkojë nga ekstremi në ekstrem, si: PROPOZIMI që Gjermania mos të ekzistojë fare (përfaqësuesi i Francës) e deri te propozimi që kolonitë gjermane të UZURPOHEN në tërësi. Kjo Konferencë do të karakterizohet me aplikimin e mundësisë që të plasohen INTRIGAT më të ulëta, duke plasuar sikurse në konferencat e tjera çështje të falsifikuara, siç veproi diplomacia serbiane. Në këtë drejtim do të shquhet në rend të parë delegacioni i Serbisë, të cilit i printe Nikola Pashiqi, dhe ekipi i tij që ia kalonte me numra edhe atij amerikan. E vërteta, Serbia, Brazili, Belgjika prezantoheshin në Sofrën e dytë, me nga 3 delegatë. Vendet e tjera që prezantoheshin me nga 2 delegatë ishin: Çekosllovakia, Portugalia, Greqia, Rumunia, Polonia, Higjasi, Kanada, Australia, Afrika Jugore. Në këtë shkrim analitik jemi të rreshtuar t`i paraqesim për here të PARË disa të dhëna të panjohura, si: kush e drejtonte delegacionin e Mbretërisë SKS dhe sa delegacione shqiptare ishin prezantuar si "zyrtare" në Sekretarinë e Konferencës. PËRFAQËSIMI I MBRETËRISË SERBOKROATE- SLLOVENE NË KONFERENCËN E PAQES NË VERSAJË MË 12. II. 1919 Krijimi i Mbretërisë SKS më 1 dhjetor 1918, ishte një element i ri politik dhe shtetëror në Ballkanin e përgjakur. Në të njëjtën kohë, po në Ballkan, do të shkatërrohet Perandoria e AustroHungarisë; do të vazhdojë deri më 1923 agonia e Perandorisë Osmane, për t` u shkatërruar edhe kjo dhe për t` u ridizajnuar në nivel modern në Republikë të Turqisë, e drejtuar nga i famshmi Kemajl Ataturku. Këto perandori do të zëvendësohen në një mënyrë me Perandorinë Jugosllave, pa ndihmën e Perandorisë ruse, e cila më 1917 ishte konvertuar në Perandori Sovjetike. Pra, rusët nuk ishin fare në Versajë, por serbianosllavët e jugut arritën të krijojnë një shtet të përbërë prej TRI fiseve, prapa të cilëve maskohej interesimi i Dinastisë Karagjorgjeviqe serbiane, që t` i "shtetëzojë" edhe sllavët e tjerë të jugut nën firmën e avancimeve të saj politike dhe ushtarake falë fuqisë ushtarake franceze. Kush e përbënte ekipin e Mbretërisë SKS në Versajë, më 12 janar 1919? Dihet se Mbretëria SKS nuk kishte kushtetutë. Por, kishte arritur të sajonte një ekip profesional prej 93 ekspertësh nga të gjitha lëmenjtë që nevojiteshin për të okupuar sipërfaqe sa më të madhe tokësore, kuptohet më së shumti duke i dëmtuar dhe duke okupuar viset etnike shqiptare. Në krye të ekipit shtetëror ishte Nikola Pashiq (ish- ministër dhe kryetar). Ministër i Punëve të Jashtme ishte emëruar nga mbreti Aleksandër Karagjorgjeviq, diplomati i njohur Ante Turmbiq (kroat). Në kryesi të qeverisë ishte edhe ambasadori i Serbisë në Paris, diplomati i karrierës Milenko Vesniq. Delegacionit iu kishte bashkuar edhe Ivan Zhogler (slloven, profesor universitar). Në këtë strukturë shtetërore ishin në rolin e këshilltarëve edhe: Mata Boshkoviq (ishambasador në Londër), Otokar Ribar (doktori i drejtësisë dhe deputet) dhe Dr. Josip Smodllaka, me profesion jurist dhe njëherësh e kishte pozitën e deputetit. Sekretar kryesor i ekipit shtetëror ishte caktuar nga Nikola Pashiqi V. Boshnjak, profesor universitar. Kurse sekretar gjeneral i misionit ishte caktuar Jovan T. Markoviq (ambasador fuqiplotë). Sektor i posaçëm ishte caktuar të ishte Sekretariati i Ekipit shtetëror në përbërje: Jovan Vuçkoviq (konsull gjeneral). Nikola Pashiqi ishte përkujdesur që nga Serbia t` i grumbullojë edhe 146 zagarë (gjuetie) duke i dhuruar çdo delegacioni me ndikim nga dy e tre zagarë qensh gjuetie. Sidomos me zagarë racorë u shpërblyen përfaqësuesit e Francës, Anglisë, Italisë, Japonisë dhe sidomos ai i SHBA-së. Në fshehtësi dy zagarë iu kishin dhuruar Wilson-it, i cili pastaj me urdhër e ngriti flamurin serb në ndërtesën e qeverisë dhe për Serbinë i harxhoi 7 minuta fjalim. Për shqiptarë e foli vetëm një fjali dhe ne nuk ia harrojmë:"Se Shqipëria duhet të ekzistojë, pasi askush nuk po e përmend", do të shkruajë në kujtimet e veta Nuredin Vlora (përfaqësues i Delegacionit shqiptar nga Amerika). PREZANTIMI I SHQIPTARËVE NË KONFERENCËN E PAQES NË VERSAJË, 12-18 JANAR 1919 Si janë prezantuar shqiptarët në Versajë nga 12 janari 1919 e deri në mbarim të Konferencës, tepër mirë kemi kaluar. Lidhur me këtë institucioni që është prezantuar denjësisht është padyshim Qeveria e Durrësit e Turhan Pashë Permatit. Kjo Qeveri ishte prezente e rregullt në margjina nga 18 janari 1919. Kjo Qeveri ishte prezantuar në Versajë me tri PLAGË të rënda kombëtare:1. Kishte pranuar protektoratin e Italisë mbi Shqipërinë Bregdetare;2. Kishte pranuar okupimin e Vlorës nga Italia;3. Kishte pranuar okupimin e vilajeteve të Kosovës dhe Manastirit nga Serbia, si dhe e kishte pranuar okupimin e Çamërisë nga Greqia. Sipas dokumenteve franceze dhe serbiane, më i merituari për okupimin e Kosovës dhe Çamërisë në anën tjetër ishte Esat Pasha, i cili më 1914 kishte lidhur aleancë me Nikola PASHIQIN në Nish. Aleancën e tij e kishte vijuar Ahmet Zogolli më 1915, gjithashtu në një qytet serbian. Kuptohet, rivali kryesor ndaj Çështjes shqiptare, në Konferencën e Versajës ishte Delegacioni i Mbretërisë SKS, i cili përbëhej prej 93 ekspertëve dhe një ekipi shtetëror reprezentativ. Shqiptarët do të përfaqësohen nga SHATË (7) delegacione, të cilat e luftonin njëra- tjetrën, sikur të ishin në gjendje lufte. Ja delegacionet, të cilat në vend që të flasin me një zë, edhe aty filluan të merren me pazare sa kush jep dhe kush me kënd është. 1. Delegacionin e Qeverisë të dalë nga Kongresi i Durrësit ( 25. XII. 1918) e përbënin: Turah Pashë Permeti, kryetar, Prenk Bib Doda nënkryetar, Myfti Libohova, Imzot Bumçi, Mehmet Konica, Mehdi Frashëri, Dr. Turtulli, Fejzi Alizoti, Luigj Gurakuqi, Petro Poga, Sami Vrioni, Mustafa Kruja, Mithat Frashëri, Lef Nosi. 2. Delegacionin nga Amerika e përbënin: Nuredin Vlora ( ishte i martuar me mbesën e Woodrow Wilson-it, President i SHBA-së, por që pas pesë vjetësh ishte divorcuar me të). Dokumentet sekrete të CIA-s potencojnë se Nuredini përmes gruas ndikoi te Wilson-i që ta artikulojë çështjen e Shqipërisë. Pjesëmarrësit e tjerë ishin edhe: Dr. Turtulli, Mehmet Konica, Paraçeva Çiriazi, Filoshqiptari Erikson dhe Mihal Grameno. Në realitet, një përkrahës anësor i çështjes shqiptare në Versajë, pa e llogaritur fare ishte bërë Presidenti i 28-të i SHBA-së, Woodrow Wilson, (1856-1920). Ky personalitet i takonte Partisë Demokrate. Me profesion ishte jurist. Si profesor universitar, më 1910 zgjidhet Guvernator i Nju- Xhersit. Më 1912 zgjidhet President i SHBA-së. Në fillim të Luftës së Parë Botërore, SHBA-ja ishte neutrale. Në luftë Wilson-i do ta inkuadrojë SHBA-në më 1917. Atëbotë ky shtet gjigant ishte borxhli. Por, doli nga lufta me dhjeta miliarda dollarë suficit, me një anë dhe superfuqia numër një në botë. Me paraqitjen e Wilson-it në jetën politike, do të përfundojë dominimi i Gjashtë Fuqive Evropiane jo vetëm ndaj Ballkanit, por edhe ndaj botës në përgjithësi. Në lidhje me këtë, në janar 1918 Wilson-i do të bëhet i njohur me publikimin e 14-të pikave historike të tij, me të cilat e plasoi Planin e paqes në botë. Njëherësh do të promovohet si iniciator i themelimit të Shoqatës së Kombeve, së cilës SHBA-ja kurrë nuk iu bashkuan, për shkaqe principiele politike. Wilson-i për shkak të rolit të tij për sigurimin e paqes do ta fitojë Çmimin Nobel për Paqe. Më 1920 do të largohet nga politika. Po në këtë vit (1920) vdes ky vigan i politikës amerikane dhe botërore.

(Kosova Sot)