Për kulturën në Iran dhe përtej "bombave atomike" të lajmeve

  • 20 January 2019 - 08:28
Për kulturën në Iran dhe përtej

Shkruan: Avni Rudaku

Sulmet më të mëdha që i bëhen Iranit janë trajtimi dhe izolimi i grave 

Shpesh ndodh që të ndryshojmë pikëpamjet për një kulturë, kur e prekim dhe e shohim direkt atë. Para se të shkojmë diku, ne kemi në mendjen tonë njëfarë skeme, të dominuar më shumë nga paragjykimet dhe stereotipet, sesa nga njohja e thellë nga leximi, filmat dokumentarë etj. Për Iranin, kjo skemë është edhe më e mbingarkuar dhe e 'bombarduar' nga "lajmet pesëminutëshe ndërkombëtare", "lajmet nga bota", duke na shpërfytyruar një vend, një kulturë dhe një civilizim. Ndonjëherë ndodh edhe e kundërta: e adhurojmë dhe e mitizojmë një vend nga filmat, suvenirët e gjetur ngado, por kur shkojmë atje, nuk janë sikur në TV. Bile, ndonjëherë na vjen keq të thyejmë mitet për vendet, pasi të kthehemi dhe kur ua tregojmë miqve tanë, duke ia zbukuruar vendin, duam t'ia rrisim vlerën udhëtimit tonë; për t'i thënë se jemi kënaqur etj. Por le të ndalemi me disa përshtypje të ndara për Iranin, pa harruar se para se të shkonim, mjaft shumë rezistojmë ndaj çdolloj propagande, por megjithatë kisha një pamje me të zymtë për Iranin para se të mbërrija.

1. Irani është një vend aq i madh, qoftë me territor, qoftë me muze, xhami, kisha, sinagoga, vende arkeologjike, sakaq do të duhej kohë shumë e gjatë për ta vizituar e për ta njohur. Është vend shumë i shtrirë dhe të duhet shumë kohë, qoftë për të shkuar me aeroplan, tren, autobus etj., për të mundur përthekimin e këtij gjiganti historiko-arkeologjik e kulturor. Në Evropë, këtë ndjenjë e keni për Gjermaninë: jetoni tërë jetën aty, sikur jetojnë shumë shqiptarë dhe aq vend i madh, sa për t'i vizituar 16 shtete brenda shtetit gjerman, nuk arrini dot ta prekni çdo pëllëmbë të saj. Edhe Gjermania ka shumë popullatë, territor e trashëgimi të pasur kulturore-historike, sikur flasim për Iranin, në këtë kontekst komparativ, por ky i fundit ndërlidhet shumë me histori të vjetër të civilizimit persian, e cila histori është e mbrojtur edhe nga UNESKO, edhe njihet nga të gjitha librat e historisë, si pjesa e trashëgimisë së vlerave universale të njerëzimit. Mua gjithmonë më kanë tërhequr vendet me histori të lashtë, me trashëgimi kulturore-historike, sesa ato me histori njëqind e dyqind vjeçare. Kjo varet pa dyshim edhe nga profesioni, dëshirat, interesimet dhe pasionet. Nëse dikush është i dhënë emocionalisht pas ekipit të Liverpulit, apo Barcelonës, e ka ëndërr të viziton edhe stadiumin e njërit apo tjetrit. Nëse dikush lexon tërë kohën një shkrimtar, lidhet emocionalisht me vendin ku ka jetuar ky shkrimtar, aty ku është inspiruar etj.

2. Fatkeqësisht, numri i turistëve të huaj në Iran është shumë, shumë i vogël. Rrallëherë kam parë turistë, e sidomos pas situatës së tensionuar në arenën ndërkombëtare dhe sanksioneve të fuqishme amerikane. Ata dhe ato që i kam parë, kryesisht kanë qenë nga Kina, Spanja, Rusia etj., por në numër të papërfillshëm. Habia ime ka qenë që më thoshin përngjaj me iranianët, por edhe habia ime ishte se ndonjëherë më dukeshin të ngjashëm me neve në disa vija fizike, veshje të burrave sikur veshja e disa burrave para luftës në Kosovë.

3. Irani është krejt ndryshe siç mund ta mendojmë. Jemi mësuar me pamjet pesëminutëshe mbi Iranin, ca njerëz me maska të bardha, duke riparuar reaktorët bërthamorë, thua se iranianët rrinë tërë ditën duke menduar se si të bëjnë bomba atomike! Por është krejt e kundërta: zhvillohet jetë normale, e sidomos në qytetet e mëdha si Teherani, Meshhed, Esfahan etj., ku kemi një jetë super moderne, jetë të gjallë kulturore, shfaqje teatrore në Teatrin e mrekullueshëm kombëtar të Teheranit dhe shumë teatro të tjerë, kinemanë e zhvilluar etj. Për kinemanë, tashmë e dimë se ka pasur edhe Oskarë, janë bërë shumë aktivitete javore në vendet evropiane, si në Berlin, "Java e filmit iranian në Gjermani"… Në Teheran shihni objekte të stilit modern, ndjekje të modës bashkëkohore, zona shumë të zhvilluara urbane dhe arkitektonike etj.

4. Teherani, si kryeqytet i Iranit, është qytet jashtëzakonisht i zhvilluar, me infrastrukturë rrugore, me ura të shumta, kalime, nënkalime e mbikalime. Teherani është qytet i mbipopulluar edhe nga lëvizjet e fundit të migrimit të brendshëm ruralo-urban dhe lëvizjeve të brendshme të popullatës, por edhe me numër të madh të banorëve e të mjeteve të transportit. Metro nëntokësore e Teheranit ka zhvillim evropian e tejevropian. Komunikacioni është i dendur dhe shenjat e komunikacionit janë të pazbatueshme. Pavarësisht semaforit që sinjalizon daljen e këmbësorëve, gjithmonë duhet shikuar në drejtim të veturave, sepse mund të të godasin. Është komunikacion aq i dendur, sakaq ka lindur nevoja edhe për motoçikleta, por jo edhe biçikleta. Pak mund të shihni biçikleta, pasi është edhe rrezik se si dalin veturat nga një shirit komunikacioni në tjetrin. Sidoqoftë, trotuaret janë shumë të rregulluar, madje edhe për njerëzit me nevoja të veçanta, si p. sh., të verbrit që ecin me shkop etj. Rrugët janë shumë të mira dhe shumë prej tyre edhe në rrugë jashtë atyre të autostradave nacionale, janë me tetë shirita komunikacioni, katër me një drejtim, katër në tjetrin. Komunikacion të dendur ka deri në pas mesnate, por në fundjavë, bie dukshëm. Për shkak të traditës islame dhe iraniane, këtu fundjava nuk është në të shtunën apo të dielën, por të enjten dhe të premten. Pra, e enjtja është "e shtunë", ndërsa e premtja (e xhuma) është "e diel". Boritë e veturave "tyt-tyt" dëgjohen shpesh, pasi që shoferët dhe shoferet iraniane janë në nxitim për të shkuar më shpejt, e humbin durimin nga tollovia në trafikun rrugor dhe dalin sa në atë "trakë rrugore", sa në atë tjetrën.

5. Sulmet më të mëdha që i bëhen Iranit janë trajtimi dhe izolimi i grave. Duke qenë Irani shtet autoritarist (e për disa diktatorial) e teokratik, i njohur si "Republika Islamike e Iranit" (lexo: Fared Zakaria e quan Iranin "demokraci joliberale), njerëzit jashtë këtij vendi, mendojnë se këtu vajzat e gratë janë krejt të mbyllura në shtëpi, nuk studiojnë, nuk dalin në restorante etj. Por, është krejt më ndryshe. Në Teheran, Esfahan etj., shpesh më shumë shihni vajza e gra sesa meshkuj e burra. Më shumë kam parë në Teheran, vajza që ecin vetëm, pa kujdestarë, sesa për shembull, në Kosovë, ku vajzat jo për shkak të fesë, por nga e kaluara patriarkale, rrallëherë dalin vetëm, pa u shoqëruar me një shoqe. Gratë në Iran kanë të drejtë të vozisin dhe aq shumë shihni shofere gra, sakaq të shkon mendja se këtu gratë edhe më shumë janë të pasionuara në vetura, sesa burrat. Po ashtu, gratë dhe vajzat përdorin metronë nëntokësore, autobusin urban dhe ndërlokal etj. Shkojnë në kinema, në teatër, në restorante. Në teatër dhe kinema, nuk janë as ndarjet në hapësira ulësesh, veç për gra, veç për burra - më thotë një nga iranianet që e njeh shumë mirë jetën kulturore në vend. Ekzistojnë disa ndarje, por nuk duken aq problematike për ta sa për neve që na duken absurde: gratë zakonisht i shihni mbrapa ulëses së shoferit dhe në mes është njëfarë ndarëse me burrat, të cilët zakonisht ulen në fund. Edhe në metro, kemi vënë re se burrat ishin të ulur veç, gratë veç. Po ashtu, gratë të pyesin në rrugë për ndonjë adresë, edhe i pyesni po ashtu. Ka edhe vajza që vijnë e të afrohen për bisedë sikur i huaj që jeni dhe kënaqen duke folur në gjuhën angleze. Gratë i shihni duke punuar në recepcion të hoteleve, në stacion të autobusëve, në banka, në universitete, në muze, por edhe si kameriere, si banakiere, kudo.

6. Arti i rrugës shënon identitetin unik urban të Teheranit dhe pjesëve të tjera publike. Nuk ka vend që kam parë deri më tash, e që e ka artin më të veçantë në rrugët e muret publike, sesa e ka Irani "strit artin". Artistët këtu kanë ndjekur ritmin bashkëkohor, por në mënyrë të shkëlqyer e kanë kombinuar me motivet lokale, kombëtare e fetareislame. Islami shiit është fe zyrtare e Republikës Islamike të Iranit. Është hera e parë që shoh një shtet me shumicë shiite. Xhamitë shiite nuk dallojnë lehtë nga xhamitë sunite, por mund të shihen nga disa ngjyra të dominuara iraniane-shiite, si e zeza, e gjelbra etj. Dallohen kur shkoni brenda dhe shihni ritualet paksa të ndryshme. Ndonëse më shumë me dallime politike e historike, si dhe dallime nga kontekste të ndryshme perandorake, shiitët duket se gjithçka kanë shkurtuar dhe kanë krijuar identitetin e tyre të mëvetësishëm fetar si: namazin (lutjet) e mëngjesit e falin veçmas, pastaj namazin e drekës (mesditës) e të ikindisë (pasdites) i bëjnë bashkë dhe në mbrëmje, bashkojnë akshamin me jacinë. Po ashtu, disa rende (rekate) lutjesh të pëlqyeshme, nuk i falin, por vetëm ato që janë të obligueshme (farz). Dallim tjetër që është për të veçuar është ndryshimi i ezanit, kur përmendet pas profetit Muhamed, edhe udhëheqësi Ali. Këtë e kam hasur kur e dëgjova në qytetin e Teheranit, se ezani shiit ndryshonte paksa me ezanin sunit. Dallim tjetër është se si janë të lidhur me Qerbelanë, vdekjen e Hasanit dhe Hysenit, pasi shumë iranianë shiitë shkojnë për vizitë në këtë vend të cilësuar të shenjtë. E pyeta një shiit se, në mes të Qabesë në Arabinë Saudite dhe Qerbelasë në Irak, cili vend peshon më shumë për një shiit iranian, përgjigjja e tij ishte: Dyja janë me rëndësi, por Qerbelaja më shumë. Kjo tregonte për identitetin unik religjioz të shiitëve, pasi që kishin disa ndarje të dukshme e të protokolluara tashmë, për të bërë diferencën me islamin sunit, ndonëse me mijëra iranianë shiitë shkojnë për vizitë edhe në Qabe. Kjo beteja me Qerbelanë apo Mekën, më ka ardhur interesant, e ndërlidhur me një shpjegim hipotetik që dëgjova këtu: për shkak të urrejtjeve dhe ndërskamcave në mes të Arabisë Saudite dhe Iranit, por edhe ndarjet historike në mes të suniteve dhe shiiteve, dhe ndërlidhjes me kontekstin aktual politik të tensioneve politike në mes dyja vendeve, ka një dëshirë të nënkuptueshme, që më mirë të shkojnë paratë në Irak, tashmë si aleat fqinj kulturor, sesa në Arabinë Saudite. Ta shpjegojmë edhe më tej: Arabia Saudite fiton mjete financiare nga haxhi i miliona myslimanëve të botës për çdo vit, madje edhe të shumë shiitëve që e konsiderojnë vend të shenjtë dhe presin në radhë të gjata nëpër vite, për të udhëtuar në Mekë. Nëse Irani është në përplasje dhe ushqyeshmëri të urrejtjes me Arabinë Saudite, dhe anasjelltas, nga ushqyeshmëria me urrejtje ndaj iranianëve, atëherë këto para pse të forcojnë shtetin arab, pasi që këto mjete mund të shkojnë te sauditët nesër, edhe për të blerë armë. Pra, e shihni se si një ngjarje historike-kulturore, e ndarjeve të shkuara e të transmetuara brez pas brezi, mund të vjen edhe me supozime apo me gjasa për interpretime të reja nga aktualitetet politike. Por para disa kohësh, lideri suprem i Iranit, për të treguar se Arabia Saudite është vend i afërt me Iranin për nga feja dhe nuk mund të sulmohet as Qabja e shenjtë për dyja sektet shiite e sunite dhe se nuk mund të futet Irani në luftë me Arabinë Sauditë nga askush, kishte shtuar se, "ne e dimë se kë ta sulmojmë në rast se na sulmon". Me fjalë të tjera, dallimet në mes të sunitëve arabë dhe shiitëve iranianë janë shumë të vogla, por janë të riprodhuara dhe ri-interpretuara nga zhvillimet aktuale politike.( Vijon)

P. S. Udhëpërshkrimet dhe vrojtimet për Iranin do të vazhdojnë në kolumnet e ardhshme, ku do të vëmë theksin në muzetë, pallatet shumëshekullore, hamamet e vjetra, gjithçka mbi jetën kulturore në vend etj.