Pushtimi sllav i shumicës së trojeve tona kombëtare

  • 10 February 2019 - 08:49
Pushtimi sllav i shumicës së trojeve tona kombëtare

Shkruan: Gani Qarri

Ndaj për të mbajtur në këmbë shpresën e vetme shpëtimtare të kombit, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila tërë mbështetjen e kishte në popull, në ditët më të vështira të përballjeve me otomanët, heroi Ahmet Korenica si patriot që ishte, jo vetëm se mori pjesë në të gjitha luftimet e organizuara nga ajo, por shiti edhe krejt pasurinë që pati, për të furnizuar luftëtarët e Lidhjes me armatim e municione, si dhe veshmbathje e ushqime, për rreth katër muaj me radhë.

Megjithëse nuk dihet saktësisht moti i lindjes së këtij burri të madh të kombit, mendohet që Ahmet Korenica të ketë ardhur në jetë, rreth vitit 1820, në një familje të kamur në Gjakovë. Madje, përkundër faktit se për figurën e tij heroike flitet në përmasa sipërore edhe nga vetë Abdyl Frashëri, në mungesë të shënimeve të mjaftueshme historike, biografia e Ahmet Korenicës mbetet ende jo e plotë dhe e papasqyruar tërësisht, me një jetëshkrim përmbajtësor dhe definitiv. Ato që mund të them unë si studiues për heroin janë shpjegimet nga profesori im i paharruar i letërsisë, i ndjeri mr. Besim Peni, të cilat deri me djegien e shtëpisë më 1999 nga forcat pushtuese serbe, i kisha të ruajtura në fletoret e shënimeve, nga vitet e studimit. Sipas thënieve të prof. mr. Besim Penit, i cili edhe vetë ishte nga Gjakova, Ahmet Korenica mësimet e para i mori në vendlindje, kurse ato për gjyqtar (kadi), në Stamboll ku dhe u njoh e miqësua edhe me vëllezërit Frashëri. RUSIA FILLIMISHT KRIJOI SATELITËT E SAJ NË BALLKAN

Gjatë kohës sa studioi atje, heroi ynë u bë mik i pandarë deri në vdekje, sidomos me Abdyl Frashërin, të cilin e kishte edhe mysafir familjar, jo vetëm njëherë në Gjakovë. Ndërsa, përveç shoqërisë personale, Ahmet Korenicën dhe Abdyl Frashërin, më tepër se çdo gjë tjetër, i lidhte dhe mbante bashkë, ideali i pandashëm për liri dhe çështja e pazgjidhur kombëtare.

Ahmet Korenica ishte edhe anëtar i nderuar i Komitetit të Stambollit, që nga themelimi i tij, më 1877, komitet i cili në kohën e "Krizës lindore" përbëhej prej plejadës së intelektualëve më të shquar të kombit nga të gjitha trevat e atdheut tonë të përbashkët, si: Ymer Prizreni, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Abdyl Frashëri, Ahmet Korenica, Zija Prishtina,Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj., të gjithë ideologë dhe patriotë të shquar shqiptarë, të cilët duke parë me sy pushtimin e tokave të tyre nga shtetet hegjemoniste fqinje,qysh atëherë, më kot kërkuan pareshtur nga Porta e Lartë që t'i lejonte ata, ta formonin një organizëm kombëtar për mbrojtjen e trojeve të veta. Heroi Ahmet Korenica, si personalitet me renome, i ngritur e inteligjent dhe njëri nga kuadrot më të mirë-arsimuar të atyre viteve, punoi gjyqtar në qytetet më me rëndësi, të Rumelisë nën sundimin e atëhershëm të Perandorisë otomane, si në Selanik dhe Manastir. Lufta rusoturke, edhe pse shkaktar të shpërthimit të saj, nuk ishin shqiptarët, megjithatë asnjë popull tjetër në Ballkan nuk rrezikonte më tepër sesa vetë ata dhe trojet e tyre etnike, gllabërimi i të cilave, që nga ajo kohë e këndej, asnjëherë nuk diti të ndalur. Luftë e cila solli para sprovës më të rëndë përpjekjet për të qenë apo jo, të të gjithë kombit tonë, dhe vuri në pikëpyetjen më të madhe të deriatëhershme historike, vetë ekzistencën e popullit shqiptar në tërësi.

Kjo nxiti edhe më tepër veprimtarinë e ngjeshur dhe të përbashkët atdhetare të Ahmet Korenicës e Abdyl Frashërit si dhe të gjithë patriotëve të Shqipërisë etnike, për daljen zot tokave të atdheut dhe shpëtimin e trojeve shqiptare nga copëtimi dhe pushtimi i tyre, prej shteteve hegjemoniste fqinje. Tragjedia më e madhe për shqiptarët, nisi menjëherë pas nënshkrimit, më 3 mars të vitit 1878, të "Traktat të Paqes" ndërmjet Rusisë dhe Perandorisë turke, në vendin e quajtur Shën Stefan. Vetëm një muaj pas hyrjes në fuqi, të të ashtuquajturës "Paqja e Shën Stefanit", për shqiptarët, para se paqe, ajo u shndërrua në luftë, fillim shpërnguljesh e masakrash nga më të tmerrshmet dhe golgotës së pandërprerë e të pa fund , deri në vitin 1912,kur pas luftërash e përpjekjesh shumë të mundimshme, shqiptarët arritën përfundimisht, që më 28 nëntor të atij viti, ta shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë. Por megjithëse Perandoria Ruse, për shkak të kundërshtimeve të forta të Fuqive tjera të Mëdha, përveç Besarabisë dhe disa krahinave në Jug të Kaukazit, vet nuk mundi të pushtonte territore edhe në Ballkan, sipas marrëveshjes së Traktatit të Shën-Stefanit, Perandorisë Osmane i merreshin mese 80% e hapësirave që ajo kishte mbajtur deri atëherë nën pushtim, në Gadishullin Ballkanik shumica e të cilave ishin shqiptare, dhe në bazë të pazareve ruso-turke, tani ato u epeshin vendeve sllave, të afërta me Rusinë. Kështu që, për të copëtuar sa më lehtë dhe futur nën domenin e vet tokat tona etnike, Rusia fillimisht krijoi satelitët e saj në Ballkan, si: Bullgarinë, Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat jo vetëm se, nga ish- principata autonome nën Perandorinë turke, u shndërruan në shtete të pavarura, por edhe u zgjeruan e rritën, për disa herë më tepër, në dëm të tokave shqiptare.

GATI GJYSMA E TROJEVE TONA KOMBËTARE DO T'U FALESHIN SHTETEVE HEGJEMONISTE SLLAVE Për aq më keq, përveç pushtimit sllav të shumicës së trojeve tona kombëtare, Traktati i Shën-Stefanit nuk e njihte as si hapësirë gjeografike Shqipërinë, fakt me të cilin u la të kuptohej qartë se si për Rusinë ashtu edhe për Perandorinë turke, Shqipëria dhe shqiptarët, praktikisht nuk ekzistonin më, si subjekt trajtimi politik, as në të ardhmen, qoftë në konferenca apo kongreset e tjera ndërkombëtare. Ndaj, me Traktatin e Shën-Stefanit dhe marrëveshjen rusoturke, pa pyetur fare shqiptarët, gati gjysma e trojeve tona kombëtare, do t'u faleshin shteteve hegjemoniste sllave dhe copëtoheshin në mënyrën më cinike të mundshme, ndërmjet tyre:

1. Bullgaria, përveç krahinave shqiptare të Kaçanikut, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, Strugës, Poradecit, Korçës e Bilishtit do të zgjatej e zgjerohej deri në malet e Voskopojës.

2. Serbia, e cila ishte paraparë të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, përveçse kishte okupuar Sanxhakun e Nishit, Pirotin, Vranjën, Leskovcin dhe arritur deri në Gjilan, ajo do të aneksonte edhe viset veriore dhe verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës, treva këto që nga fillimi deri në mbarim, që të gjitha ishin të banuara me popullsi shqiptare, të cilat Serbia me masakra të papara, vrasje, tortura dhe djegie i kishte spastruar tërësisht nga shqiptarët, duke i detyruar ata t`i braktisnin vatrat e veta dhe të shpërnguleshin në vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit.

3. Mali i Zi do të përfshinte brenda kufijve aq shumë toka shqiptare duke nisur nga krahina e Tivarit, Ulqinit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Plavës, Gucisë, dhe vetë Rugovës së Pejës, saqë do ta rriste sipërfaqen e tij, për më tepër se tri herë dhe nga 4700 km² sa ishte ai vet, deri më atëherë, arriti në 15.700 km². Pjesa tjetër e Shqipërisë, sipas marrëveshjes, për momentin, vijonte të mbetej nën sundimin e Perandorisë Otomane.

Me këto ndarje Perandoria turke dhe ajo ruse e gjymtuan aq rëndë kombin dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë etnike, saqë pothuajse e bënë të pamundur luftën dhe përpjekjet e popullit shqiptar për çlirim dhe krijimin e shtetit kombëtar. Ndaj, të mbetur krejtësisht të vetmuar, para dy perandorive më të fuqishme të kohës të cilat atdheun e tyre e kishin dënuar me vdekje, shqiptarët u detyruan që qysh në dhjetor të vitit 1877, në krahinat që kërcënoheshin nga pushtimi serb e malazez, fillimisht të krijonin "Besëlidhjet" dhe mobilizonin bashkëkombësit në luftë me thirrje kushtrimi për mbrojtjen e trojeve të veta me pushkë nga okupimi prej shteteve hegjemoniste fqinje. Shqetësimi i madh për rritjen dhe zgjerimin e shpejt të ndikimit rus në Gadishullin Ballkanik, bëri që "Traktati i Shën Stefanit" të mos pranohej për kohë të gjatë, veçanërisht nga Anglia dhe Austro-Hungaria, ndaj me këmbënguljen e tyre, u vendos që ky Traktat të rishikohej në kongresin e Fuqive të Mëdha, i cili do të mbahej nga 13 qershor deri më 13 korrik të vitit 1878, në Berlin të Gjermanisë. Ndërsa para rrezikut që u kërcënohej tokave shqiptare me copëtim të tërësishëm, aso kohe Komiteti i Stambollit, kishte kërkuar leje zyrtare nga Perandoria Osmane, për formimin e një Lidhje të veçantë Shqiptare, e cila do të mbronte trojet e veta nga pushtimet e shteteve hegjemoniste fqinje. Megjithatë, përkundër të gjithave sa ndodhnin, kërkesa e shqiptarëve jo vetëm se nuk u pranua, por ajo ndeshi në kundërshtim aq të rreptë të Portës së Lartë, sa që osmanët ndaluan çdo lëvizje kombëtare, duke urdhëruar shqiptarët që të protestonin jo për tokat e tyre dhe idealin e lirisë e të çlirimit të trojeve të veta, por për interesat otomane dhe vetëm si "turko"-myslimanë, të cilët-kinse as nuk dëshironin të ndaheshin nga Perandoria turke.

Madje, siç u dëshmua vetëm pak kohë më vonë, Sulltani për të ndaluar formimin e Lidhjes Kombëtare të Shqiptarëve, në fund të majit dhe vetëm disa ditë para mbajtjes së Kongresit të Berlinit, ftoi në Stamboll personalitetet më të dëgjuara të jetës politike dhe shoqërore shqiptare. Ai jo vetëm se përzgjodhi pikërisht ata të cilët njiheshin si kundërshtarët më të mëdhenj të Perandorisë turke që nga koha e Tanzimatit e këtej, si: Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Iljaz pashë Dibrën, Ali pashë Gucinë, Abdyl Frashërin, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon e tjerë, por për disa ditë me radhë ushtroi trysni të pa parë, për t'i frikësuar ata që të ndërmerrnin çfarëdo akti në drejtim të ringjalljes kombëtare dhe detyruar që Lidhjes Shqiptare, t'i jepnin karakter të organizatës islamiste. 

(Kosova Sot)