Politikanët, me 'dy ditë shkollë' e sollën kulturën para kolapsi

  • 16 February 2019 - 08:26
Politikanët, me 'dy ditë shkollë' e sollën kulturën para kolapsi

Vokshi: Çdo pore të jetës sonë e kanë kapluar antivlerat kulturore, edukative, arsimore 

"Politikanët tanë, më së paku merren me kulturë. Shkojnë në shfaqje, e as që e kanë lexuar veprën, nuk e njohin skenën, nuk kanë lidhje fare. Piktorët e artit figurativ kanë mbetur të pambështetur, derisa Ministria e Kulturës i mbështet fushat e tjera të artit. Ndoshta është ajo se piktorët nuk e ngritin zërin, mbyllen nëpër atelietë e tyre. Si mund ta kenë në plan të parë librin, teatrin, galerinë, kur ata vetë nuk lexojnë, e nuk i vizitojnë as teatrin e as galerinë", thotë për gazetën "Kosova Sot", shkrimtari Ilir Muharremi 

Ndryshe nga vendet demokratike, ku kultura konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit, që kontribuojnë për një strukturë të shëndoshë shoqërore, në Republikën e Kosovës, institucionet shtetërore kulturën e kanë hedhur në fund të pusit. Njëmbëdhjetë vjet pavarësi, asnjë qeveri nuk e ka pasur prioritet kulturën, pavarësisht "zhurmave mediatike", shumë artistëve të zellshëm u janë mbyllur dyert, gjersa klaneve të caktuara u është dhënë hapësira e nevojshme me rrotacion. Për më shumë se një dekadë, artistët e pavarur kulturorë të Kosovës kanë kontribuar në arenën ndërkombëtare në krijimin e një imazhi pozitiv të shtetit të ri. Megjithëkëtë, artistët kosovarë ende përballen me pengesa të shumta shoqërore dhe politike. Edhe pse arti njihet si një mjet për të rrënuar barrierat, kërkesat e rrepta të vizave po izolojnë artistët kosovarë, duke i mbajtur larg nga skena ndërkombëtare e artit, përjashtuar këtu disa raste, kur artistët tanë individualisht pa asnjë mbështetje kanë shënuar sukses në shumë fusha të artit.

Vokshi: Ministrinë e kulturës e udhëheqin njerëz të cilët më se paku kanë të bëjnë me kulturën

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", njohësja e çështjeve kulturore në vend, Violeta Vokshi - Shamliu është shprehur se Ministria e Kulturës me projektet e tyre klanore dhe antikulturore, i injoroi dhe anashkaloi deri ne atë masë artistët e vërtetë, saqë këta të fundit, të cilët kishin kultivuar një bagazh të mirëfilltë në artin muzikor, teatrin, si dhe në shkrime dhe botime të librit në përgjithësi, artistët në fjalë përjetuan një dëshpërim të paimagjinueshëm. "Është fenomen, i cili ka ndodhur, dhe akoma a po vazhdon të jetë aktual, që vendet kyçe apo institucionet tona shtetërore, të udhëhiqen nga njerëz të cilët shumë pak, apo më mirë të themi fare nuk plotësojnë kritere për ta udhëhequr çdo dikaster të institucioneve tona shtetërore, e një ndër to është edhe fusha e Artit dhe Kulturës.

Si mund të mos jetë para kolapsit kultura në vendin tonë, kur Ministrinë e Kulturës e udhëheqin njerëz të cilët më se paku kanë të bëjnë, apo më mirë të themi fare nuk janë profesionist adekuat të kësaj lëmie. Politikanët tanë të famshëm me "diplomat" e tyre, ishin kontribuues të pashoq në kultivimin dhe zhvillimin e vlerave antikulturore në vendin tonë!. E kemi kuptuar qartë dështimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, gjatë këtyre viteve, në kultivimin e vlerave kulturore, dhe si pasojë e këtij dështimi kulturor, ishte injoranca apo mospërkrahja shtetërore që iu bë artistëve tanë me vlera të mirëfillta dhe të larte kulturore, përgjatë këtyre viteve të pasluftës", është shprehur ajo.

Tutje Vokshi potencon: "Si mund të ishte prioritet te ndonjëri prej ministrave të Kulturës përgjatë këtyre viteve: libri, teatri, arti, ose më mirë të themi Kultura në përgjithësi, përderisa, fokusi kryesor i kësaj ministrie, gjatë kësaj periudhe kohore, ishte dhe vazhdon të jetë: suportimi i projekteve klanore dhe antikulturore! Ne të gjithë jemi të njoftuar, që në të gjitha fushat e jetës ekzistojnë teorikisht ''Ligjet'' në kuadër të ministrive të fushave përkatëse, e një ndër këto ligje edhe ligji për të drejtën e autorit, por shtrohet pyetja sa janë të zbatueshme këto ligje në praktikë? Në çdo cep, të institucioneve tona, janë bërë zhvatje dhe keqpërdorime nga politikanët tanë, me paranë e taksapaguesve të qytetarëve të ndershëm të Republikës së Kosovës, andaj tregon fakti, ku jemi ne sot pas njëmbëdhjetë viteve të Pavarësisë së Shtetit të Kosovës", është shprehur ajo. Shton se çdo pore të jetës sonë, e kanë kapluar antivlerat kulturore, edukative, arsimore...etj.

Muharremi: Politikanët tanë, më së paku merren me kulturë

Gjersa shkrimtari Ilir Muharremi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka deklaruar se piktorët e artit figurativ, kanë mbetur të pambështetur, derisa Ministria e Kulturës i mbështet fushat e tjera të artit. "Ndoshta është ajo se piktorët nuk e ngritin zërin, mbyllen nëpër atelietë e tyre. Politikanët tanë, më së paku merren me kulturë. Shkojnë në shfaqje, e as që e kanë lexuar veprën, nuk e njohin skenën, nuk kanë lidhje fare. Piktorët e artit figurativ kanë mbetur të pa mbështetur, derisa Ministria e Kulturës i mbështet fushat e tjera të artit. Ndoshta është ajo se piktorët nuk e ngritin zërin, mbyllen nëpër atelietë e tyre. Si mund ta kenë në plan të parë librin, teatrin, galerinë, kur ata vetë nuk lexojnë, e nuk i vizitojnë as teatrin e as galerinë. E drejta e autorit, është ka i dëmton shumë artistët, sepse nuk aplikohet. Përveç politikanëve, pothuajse një masë e madhe e popullit nuk merret me kulturë. Faji është te populli jo veç te politikanët", ka përfunduar Muharremi.

(Kosova Sot)