Kthimi i trimave në atdhe, pa lejen e otomanëve

  • 17 February 2019 - 08:27
Kthimi i trimave në atdhe, pa lejen e otomanëve

Megjithëse Kongresi i Berlinit po ofronte dhe ata ende nuk i lejonte Sulltani turk, që të ktheheshin në Dardani, duke parë se ai po e zvarriste me qëllim kthimin e tyre në atdhe, ata vendosën që pa miratimin e Perandorisë as lejen e Sulltani dhe organeve qeveritare otomane të ktheheshin në Kosovë. Ndaj paria e forcave të shëndosha kombëtare, në elitën e të cilave, përveç Ymer Prizrenit e Sylejman Vokshit bënte pjesë edhe heroi Ahmet Korenica nga Gjakova, në mbrëmjen 9 qershorit 1878, arritën në Prizren ku vendosën që qysh ditën e nesërme të formonin Lidhjen Kombëtare Shqiptare, në mënyrë që ajo ti përpilonte dhe dërgonte me kohë kërkesat dhe vërejtjet e domosdoshme shqiptare Kongresit të Berlinit.

Kurse si vendi më i përshtatshëm për themelimin e kësaj Lidhjeje u zgjodh pikërisht qyteti i Prizrenit, qendra më me rëndësi social-ekonomike e kohës në truallin Dardan dhe një nga vendbanimet më të mëdha të Shqipërisë natyrale, në të cilin sipas statistikave të vet pushtuesve otoman, të viteve 1908-1909, jetonin 64569 shqiptar dhe asnjë turk, siç dëshmohet edhe nga vetë tabela e kohës! Pasi që Prizreni nuk kishte turq dhe ishte një nga vendbanimet urbane më me rëndësi, i cili ndodhej edhe në epiqendër të trojeve tona etnike, me plot arsye, u vendos që pikërisht aty, të themelohej Lidhja Kombëtare Shqiptare.

Dhe nga udhëheqësit kryesor të saj, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Abdyl Frashëri, Ahmet Koronica, Iljaz pashë Dibra etj, ishte paraparë që po në këtë qendër dhe qytet historik të gjithë kombit shqiptar, të shpërthente edhe kryengritja e armatosur kombëtare, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit nga shtetet hegjemoniste fqinje dhe çlirimin e atdheut, nga Perandoria pushtuese turko-osmane. Ato ditë të fillim qershorit të vitit 1878,në mesin e mese 110 delegatëve, dalloheshin sidomos figurat e shquara, të njohur për pjesëmarrje prej kohësh në kryengritjet antiosmane dhe luftimet kundër ushtrive të vendeve hegjemoniste fqinje ballkanike, të cilat qysh nga vitit 1875-76, kishin nisur pushtimet e pjesshme të tokave shqiptare.

Ndër emrat kryesor që u shquan për organizimin e Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes, ishin: Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizativ i Kuvendit), Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ahmet Koronica, Ali Ibra (Neza), Ali Gucia, Iljaz Dibra, Hasan Tetova, Abdullah Dreni, Shaban Prizreni, Zija Prishtina, Jashar Shkupi, Shaban Peja, Filip Doda, Shuajip Spahiu etj. Gjatë punimeve të Kuvendit, Prizreni ngjasonte më tepër në festë kombëtare, ku përveç banorëve të përhershëm, binin në sy sidomos qindra mysafirë të armatosur, të veshur me koloritet nga më të ndryshmet dhe rrobat e të gjitha krahinave të Shqipërisë etnike me delegatët që përfaqësoheshin në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit.

Ndërhyrjet brutale të sulltanistëve dhe "ylemave" 

Që nga fillimi i punimeve të Kuvendit, dominonte tendenca arrogante e krahut sulltanist, ylemave dhe funksionarëve otoman si dhe mytesarifit të Prizrenit, otomanit Qamil Beu, që me ndërhyrjet e tyre brutale, në kryesinë e degëve të Lidhjes të fusnin edhe mish dhie, me njerëz si Abdullah pashë Dreni, të cilin gjithsesi arritën ta emëronin hiq më pak se kryetar të degës së Lidhjes për Gjakovë. Megjithatë edhe përkundër agresivitetit të sulltanistëve, ylemave pro-turq dhe funksionarëve otoman që si delegat të caktonin jo vetëm pashallarë e bejlerë prootomanë vendorë, por edhe feudal sllav dhe sulltanistë nga Bosnja e Hercegovina, në mënyrë që Lidhjes së Prizrenit, t'i jepnin karakter islamik, t`ia ulnin imazhin patriotik e rrëzonin vlerën kombëtare si dhe t`ia nënshtronin atë tërësisht interesave turkootomane të Stambollit, me ndihmën e burrave si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Ahmet Koronica, Ali Ibra etj, Kuvendi arriti që më 10 qershor të vitit 1878, të themelonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.

Fjalimet e Ymer Prizrenit dhe Abdyl Frashërit si dhe këmbënguljet e Sylejman Vokshit, Ahmet Koronicës, Ali Ibrës etj, jo vetëm se ishin bindëse për shumicën e delegatëve në zhvillimin e punimeve të Kuvendit, por edhe mbrojtën me vendosmëri platformën atdhetare të Lëvizjes Kombëtare, duke u dhënë goditjen përfundimtare përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit me karakter islamik. Ndaj, pasi që krerët e Lidhjes, fillimisht lidhën Besën në Kuvend për shuarjen e të gjitha gjaqeve, ngatërresave dhe hakmarrjeve ndërmjet shqiptarëve, në emër të saj, si organizatë me karakter politik e ushtarak të Shqipërisë etnike, i nisën menjëherë Kongresit të Berlinit, kërkesat që do t'u paraqiteshin Fuqive të Mëdha më 13 qershor të vitit 1878, për të kundërshtuar sa më fuqishëm copëtimin e trojeve kombëtare, si dhe bërë me dije krijimin e një pushteti autokton dhe të veçantë nga ai i Portës së Lartë për përfaqësimin dhe mbrojtjen e Shqipërisë edhe me armë. Në letër, shprehej qartë gatishmëria e popullit shqiptar, për ruajtjen edhe me gjak të tërësisë tokësore të Shqipërisë etnike dhe mbarë atdheut nga rreziku i ndarjes dhe asgjësimit, e siç dëshmon edhe historia jonë, vetëm Lidhja përfaqësoi drejtë e si duhet interesat e popullit shqiptar dhe luftoi me vetëmohim të pashembullt deri në shuarje, për mbrojtjen e tokave tona kombëtare.

Pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të Lidhjes, Sylejman Vokshi, Ahmet Koronica, Ali Ibra etj, u kthyen menjëherë në Gjakovë dhe megjithëse kryetar për këtë qendër, nga sulltanistët ishte imponuar Abdullah pashë Dreni, një ish oficer i ushtrisë otomane nga po ky qytet, ata themeluan vet Degën e parë të Lidhjes Shqiptare, e cila përveç Gjakovës përfshinte edhe trevat e Hasit, Rekës, Bytyqit, Gashit, Krasniqes,etj. Por përkundër aktivitetit të pareshtur në terren dhe të gjitha vërejtjeve dhe kundërshtimeve të dërguara nga Lidhja e Prizrenit Kongresit të Berlinit, fatkeqësisht pas pazareve të dakroduara ndërmjet Rusisë dhe Perandorisë otomane, pa pyetur fare shqiptarët, Kongresi i Berlinit, kishte marrë vendim që përveç Ulqinit dhe Kelmendit edhe Plava e Gucia si dhe Hoti e Gruda, t'i dhuroheshin Malit të Zi.

Ndërsa kryetar të komisionit për dorëzimin e këtyre trojeve shqiptare Malit të Zi, Perandoria turke kishte caktuar, pikërisht mareshalin otoman Mehmet Ali pashë Maxharin, i cili më 25 gusht të vitit 1878, nga Stambolli fillimisht qëndroi në Prizren, ku në biseda me krerët e Lidhjes, kishte insistuar me këmbëngulje që ata të pranonin kërkesat e Sulltanit për dorëzimin e Plavës e të Gucisë si dhe të Hotit e Grudës, Malit të Zi. Madje më 26 gushtë, ai përveç Këshillit Kryesor të Lidhjes, kishte ftuar në një tubim të veçantë edhe parinë e vendit, me shpresë se paria do t'i pranonin pazaret e Portës së Lartë otomane me Rusinë, për faljen e trojeve të lartcekura shqiptare, shtetit xhuxh të malazezëve, duke u arsyetuar para tyre, se çdo veprim i kundërt, i bënte dëm Perandorisë, sikur shqiptarët të mos kishin asnjë brengë tjetër, përveç asaj për të sëmurën e Bosforit, siç do quhej më vonë Perandoria pushtuese anadollake.

Për aq më keq edhe përkundër kundërshtimit të ashpër të Krerëve të Lidhjes dhe parisë së shqiptarëve në Prizren, mareshali otoman Mehmet Ali pashë Maxhari vendosi të shkonte në Gjakovë, që të provonte për të "shkelur" Degën e Lidhjes së atjeshme, në rrugëtimin e tij drejt kufirit me Malin e Zi, ku kishte planifikuar t`ua dorëzonte udhëheqësve malazez Plavën dhe Gucinë, e pastaj të arrinte edhe në Podgoricë, për t`ia bërë "për hair" tokat shqiptare knjaz Nikollës, por gjithë këto hesape, mareshali otoman i kishte bërë pa hanxhiun, siç edhe do të dëshmohej vetëm pak ditë më vonë.

Mobilizimi i shqiptarëve për luftë me forcat e mareshalit otoman

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e udhëhequr nga njerëz si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi ,Ahmet Korenica etj, siç dihet edhe historikisht, ishte organizata e parë kombëtare, që përgatiti projektin më serioz dhe më të kompletuar politik e ushtarak për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë etnike edhe me luftë të armatosur, e cila përfaqësoi drejtë e si duhet interesat e popullit shqiptar dhe luftoi deri në shuarje, me vetëmohim të pashembullt, për mbrojtjen e tokave tona kombëtare. Megjithatë, Mehmet Ali pashë maxhari, i cili si përfaqësues i sulltanit, kishte ardhur ta bënte me forcë dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë, Malit të Zi, as që kishte dashur të dëgjonte për kundërshtimin e këtij plani, nga Krerët e Lidhjes së Prizrenit

Madje përkundër paralajmërimeve të tyre, për mundësinë e shpërthimit të luftimeve, ndërmjet forcave të Lidhjes dhe ushtarëve otoman, ai më 31 gusht të vitit 1878, nga Prizreni ishte fortifikuar në sarajet e Abdullah Drenit në Gjakovë. Deri vonë, Abdullah pashë Dreni, ishte edhe vet oficer i ushtrisë otomane dhe kishte luftuar bashkë me Mehmet Ali pashë Maxharin në Plevne të Bullgarisë ku ushtria otomane megjithëse ishte thyer dhe kishte humbur betejën nga forcat ruse, për çudi Abdullah Drenit iu dha titulli pasha dhe bë mik me mareshalin otoman. Ndaj Mehmert Ali pashë Maxhari, nuk e ndjente veten askund më të sigurt se sa tek ai, kështu që me të arritur në Gjakovë, pa menduar dy herë, u vendos në sarajet e Abdullah pashë Drenit.

Në kullat e Abdullah Drenit, mareshali otoman kishte planifikuar ta shpallte edhe zyrtarisht, hyrjen në fuqi të Traktatit të Berlinit, të ratifikuar nga Porta e Lartë, pa miratimin e shqiptarëve, qysh më 3 gusht të vitit 1878, për të vazhduar pastaj rrugën për në Guci. Por edhe në Gjakovë e rrethinë, njëjtë si në gjithë territorin e Dardanisë, pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, fjalën kryesore, kudo e kishte Lidhja dhe të gjitha ligjet tanimë i bënin krerët e saj. Ndaj, Haxhi Zeka dhe Ali Pashë Gucia, nga dega e Lidhjes për Gjakovë, u dërguan si përfaqësues të forcave shqiptare në konakun e Abdullah pashë Drenit, që atij vetë dhe përfaqësuesit të sulltanit, në emër të kombit, t`ua përcillnin këto dy porosi: 1. Abdullah Dreni ta nxirrte menjëherë nga shtëpia, mysafirin e paftuar dhe shitësin e tokave shqiptare. 2. Mareshali otoman të hiqte dorë nga tendenca e tij e çmendur dhe kthehej sa më parë në Stamboll.

Fillimisht mareshali otoman, të deleguarit e Lidhjes i priti me shprehje të zgjedhura dhe sjellje të buta, por sapo dëgjoi fjalët e Haxhi Zekës dhe Ali pashë Gucisë se shqiptarët nuk pranonin për asnjë çmim dorëzimin e Plavës e të Gucisë Knjaz Nikollës së Malit të Zi, pashë maxhari ndryshoi menjëherë qëndrimin dhe reagoi me ashpërsi të pa kontrolluar. Madje kur Ali Pash Gucija, përveç se ia rikujtoi në detaje mareshalit otoman, shërbimet e shqiptarëve ndaj Sulltanit dhe Perandorisë turke, si dhe tërhoqi vërejtjen se tani e tutje, fati trojeve kombëtare ishte në duart e Lidhjes dhe Sulltani as Perandoria otomane, nuk mund tu bënin më nderë malazezëve dhe askujt tjetër me tokat shqiptare, e sidomos me vendlindjen e tij, Gucinë, pashë Maxhari jo vetëm se u tërbua, por dha urdhër që ata edhe të burgoseshin menjëherë nga zaptitë e tij.

Ngjarja epike 

Ishte viti historik 1878 dhe ende pa u mbushur 3 muaj të plotë që kur ishte formuar Lidhja, por veprimet e saj, për kohë aq të shkurtër, kishin marrë përmasa të atilla, sa që inspiruan edhe penat më të njohura të kohës për krijime të veçanta letrare e historike. Vlerësimi i lartë i krerëve më të shquar dhe fillimi i epokës së art të Lidhjes në misionin e saj të shenjtë për mbrojtjen e trojeve kombëtare, ndikoi që përveç këngëve epike të cilat do t'i kushtoheshin mbrojtjes heroike të Plavës e të Gucisë, Hotit e Grudës, Kelmendit e Ulqinit, luftës së Slivovës e të Shtimjes, atëbotë këngë historike do t'i thureshin fillimisht betejës së lavdishme të degës së Lidhjes në Gjakovë kundër mareshalit otoman Mehmet Ali pashë Maxharit, e cila jo vetëm se ishte edhe lufta e parë e organizuar e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por ajo edhe u shqua sidomos për karakterin kombëtar dhe organizimin e famshëm ushtarak të saj. Me këtë rast, do ta veçoja Gjergj Fishtën, që asokohe edhe shkroi poemën e njohur epike "Mehmet Ali pasha", kushtuar pikërisht luftimeve të përgjakshme të degës së Lidhjes në Gjakovë, poemë në të cilën përmendet me pietet edhe heroi i njohur kombëtar Ahmet Korenica, si dhe burgosja e të deleguarve të Lidhjes Haxhi Zeka e Ali pashë Gucia, në kullat e Abdullah Drenit, nga mareshali otoman.

Kërcënimet e heroit Ahmet Korenica, drejtuar mareshalit otoman 

Burgosja e të deleguarve të Lidhjes dhe këmbëngulja e mareshalit otoman Mehmet Ali pashë Maxharit, që t`ia dorëzonte edhe me forcë Plavën dhe Gucinë Malit të Zi, ngritën në këmbë të madh e të vogël,në Gjakovë dhe rrethinë, me ç`rast edhe shpërtheu beteja më e përgjakshme e deriatëhershme ndërmjet forcave të Lidhjes dhe trupave pushtuese osmane. Beteja e Gjakovës ishte vetëm fillimi i luftimeve të armatosura të Lidhjes së Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga vendimet e dëmshme të Kongresit të Berlinit, me të cilën shqiptarët dëshmuan se nuk do t'u bindeshin, për asnjë çmim pazareve të Perandorisë turke në dëm të tokave të tyre. Kurse njëri pre udhëheqësve kryesor të Lidhjes për Gjakovë, në ato vite të lavdishme, pikërisht në kohën kur, pashai otoman Mehmet Ali pashë Maxhari, kishte ardhur në Gjakovë, me qëllim që ti detyronte edhe me dhunë krerët e Lidhjes Shqiptare, të pranonin dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë, Malit të Zi, heroi Ahmet Korenica do ti përgjigjej:

-"Dëgjo mirë o pasha i turkit, jo ti, por edhe vetë sulltani, po të vije këtu, ne nuk e kemi ndërmend që tokat tona, të cilat na i kanë lanë të parët tanë amanet, t`ia dorëzojmë Cernagorës"! Ndërsa pas veprimeve të pamatura të mareshalit otoman dhe burgosjes së të deleguarve të Lidhjes, heroi Ahmet Koronica, do të shtonte me përbuzje; -E paq veten në qafë Maxhar pasha, se vërtetë qenke mbushë "taksirate" dhe shkrua ta lësh kokën në këtë vend, se ti i gjallë më nuk do të dalësh nga kullat e Abdullah Drenit! Dhe vërtetë dega e Lidhjes Shqiptare në Gjakovë, posa shpalli kushtrimin e përgjithshëm, në qytet dhe rreth tij u grumbulluan mijëra luftëtarë nga Gjakova, Hasi, Reka, Gashi, Krasniqja, Bytyçi dhe Peja, përderisa të gjithë meshkujt e aftë për armë, përgatiteshin për ta mbrojtur edhe me luftë Plavën dhe Gucinë, nga agresioni malazez. (vijon)

(Kosova Sot)