Rezistenca mahnitëse e shqiptarëve detyroi Fuqitë e Mëdha që ta rishikonin edhe një herë vendimin e tyre

  • 23 February 2019 - 08:13
Rezistenca mahnitëse e shqiptarëve detyroi Fuqitë e Mëdha që ta rishikonin edhe një herë vendimin e tyre

Korenica ishte jo vetëm luftëtar e udhëheqës i shquar, por edhe njëri ndër anëtarët më të vendosur dhe më besnikë të Komitetit të Stambollit

Pas kushtrimit të lëshuar nga krerët e Lidhjes, në Gjakovë vërshuan i madh e i vogël nga të gjitha anët, jo vetëm nga Malësia dhe fshatrat përreth, por edhe burra të zgjedhur deri nga vetë Peja me Rugovë.Kurse më 27 gusht të vitit 1878, me urdhër të Sylejman Vokshit, pikërisht në orën 3 të asaj pasditeje, Ramadan Zaskoci, djaloshi tetëmbëdhjetë vjeçar nga Luma, vrau telegrafistin otoman në Prizren, akt ky që paralizoi të gjitha lidhjet me Portën e Lartë dhe paralajmëroi përfundimisht pashain turk se më parë, ai do ta linte kokën këtu, se që do të mund t'ia dilte mbanë, detyrës së ngarkuar nga sulltani, për faljen e tokave shqiptare Malit të Zi.

Në fillim të shtatorit të atij viti, vetëm Kulla e Abdullah Drenit ishte rrethuar prej më se 3500 luftëtarëve të Lidhjes, fakt ky i cili shpalos bindshëm, tërë përmasën e vërtetë që kishte marrë kryengritja shqiptare kundër mareshalit otoman, duke e vënë Maxhar pashën në lajthitje aq të madhe, saqë të mendonte me dëshpërim vetëm se si të arrinte t'ia bënte të paktën një telefon sulltanit (babës mbret), me shpresën se ai do të mund ta shpëtonte edhe kësaj here nga taksirati që e kishte zënë me shqiptarët.

Nisën luftën për asgjësimin e mareshalit otoman Mehmet Ali pashë Maxharit 

Madje mareshali otoman, i tmerruar nga moria e njerëzve që filluan ta rrethonin atë dhe mbështetësit e tij në sarajet e Abdullah Drenit, dha urdhër që të liroheshin menjëherë Haxhi Zeka dhe Ali pashë Gucia, me arsyetimin se kinse, pikërisht në ato momente, ata i falte sulltani, por më kot, sepse tanimë ishte bërë vonë për çdo gjë dhe vetëm lufta mund t'i sqaronte të gjitha komplikimet që kishte shkaktuar ai vetë.

Ndaj, Dega e Lidhjes me në krye Sylejman Vokshin dhe Ahmet Korenicën, pas kalimit të ultimatumit prej 24 orësh, për largimin nga kulla dhe kthimin e tij për në Turqi, me insistimin e Ahmet Korenicës, pas më tepër se një muaji orvatjesh për marrëveshje, më 3 shtator të vitit 1878, trimat e Lidhjes mësynë kullën dhe nisën luftën për asgjësimin e mareshalit otoman Mehmet Ali pashë Maxharit dhe mbrojtësve të tij, në mënyrë që ai, të mos arrinte assesi, ta realizonte planin e Portës për dorëzimin e Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi. Luftimet me mbrojtësit e mareshalit otoman, jo vetëm se zgjatën për mese tri ditë e tri net me radhë, nga 3 deri më 6 shtator të vitit 1878, por ato ishin edhe aq të rrepta, e të përgjakshme, saqë në përballjen e zhvilluar, për jetë a vdekje, u vranë rreth 500 veta dhe plagosën mese 700 të tjerë, nga të dy palët.

Përveç Abdullah Drenit, Shaqir Currit e Bajram Rrustemit,vullnetarët e Lidhjes e vranë edhe vet mareshali otoman Mehmet Ali pashë Maxharin, të cilin siç thuhet, heroi i kombit Ahmet Korenica me duart e tij,e hodhi nga dritarja në përroin që shkon prapa sarajeve, ndërsa në shenjë revolte, kryengritësit ua vunë flakën edhe kullave të Abdullah Drenit. Pas vrasjes së mareshalit otoman në Gjakovë, Ahmet Korenica kërkoi që Lidhja me vendosmëri të njëjtë, ti kundërvihej në të gjithë territorin edhe Perandorisë pushtuese otomane si dhe shteteve hegjemoniste fqinje, gjë që pa vonuar shumë, pikërisht po kjo edhe do të ndodhte. Perandoria otomane, për të treguar se ishte e vendosur që me çdo kusht të zbatonte pazaret me tokat shqiptare të nënshkruara me Rusinë në Kongresin e Berlinit, dërgoi në Dardani një mareshal tjetër otoman, me emrin Muhar Pasha, që me forca të shumta ushtarake ta shuante rezistencën shqiptare dhe dorëzonte Plavën e Gucinë Malit të Zi.

Me zjarr e hekur në mbrojtjen shqiptare në Ulqin 

Por i frikësuar nga gjendja e ndezur dhe droja se mund të pësonte edhe vet, fatin e keq të Magjar Pashës, ai u dha urdhër forcave Osmane që të tërhiqeshin nga Plava dhe Gucia, me shpresën se shqiptarët, nuk do të mund ti mbronin vet ato. Megjithatë burrat e Lidhjes dëshmuan të kundërtën dhe luftuan trimërisht mu si luanët, duke thyer me turp forcat malazeze si dhe dëbuar ato kokulur, përtej kufirit të tokave tona kombëtare. Rezistenca mahnitëse e shqiptarëve, detyroi Fuqitë e Mëdha që ta rishikonin edhe një herë vendimin e tyre, të cilat kësaj radhe propozuan që në vend të Plavës e Gucisë, ti jepnin Hotin dhe Grudën Malit të Zi, gjë që qoi në luftime të serishme ndërmjet luftëtarëve të Lidhjes dhe forcave pushtuese malazeze.

Ndaj, betejat e nisura në dhjetor të vitit 1878, për mbrojtjen me gjak të Plavës dhe të Gucisë, vijuan pastaj edhe për mbrojtjen e Kelmendit si dhe Hotit e Grudës. Kurse Stambolli përveçse i ofroi Malit të Zi Ulqinin, dërgoi edhe gjeneralin e njohur gjakatar Dervish Pashën me ushtri, i cili pasi e theu me zjarr e hekur mbrojtjen shqiptare në Ulqin, ua dorëzoi me forcë, malazezve këtë qytet tonin bregdetar me rrethinë, përkundër faktit se si Ulqini ashtu edhe vet Tivari me pjesët që i rrethonin, ishin tërësisht të banuara vetëm me shqiptar.

Veprimtaria patriotike e heroit Ahmet Korenica 

Ahmet Korenica jo vetëm se ishte që nga ditët e para, një nga anëtarët më të denjë të Komitetit të Stambollit dhe pjesëmarrës i lartë i Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, dimensionet e veprimtarisë patriotike të të cilit nuk kufizoheshin vetëm në Gjakovë, Malësi e Has, ku gjatë veprimtarisë së tij kombëtare ky hero shpesh herë gjeti strehim të sigurt, por ato u zgjeruan edhe në Lumë, Rekë e Drenicë dhe arritën deri në Llap e Gollak.

Madje, ai bashkë me Haxhi Zekën kishin shtrirë veprimtarinë kombëtare dhe pushtetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe në Peshter e Pazar të Ri, që atëbotë i takonin Shqipërisë etnike dhe ishin të banuara pothuajse vetëm me shqiptarë. Vend me rëndësi në historinë e qëndresës patriotike të Ahmet Korenicës, padyshim zënë edhe trimëritë tij në luftimet e mirënjohura të Lidhjes Shqiptare në Carralevë e Slivovë, ku përveç Ali Ibër Nezës ishte plagosur edhe ai vetë bashkë me Haxhi Zekën, por asnjëri prej tyre, me gjithë kërkesën e Sylejman Vokshit, nuk do të tërhiqeshin, për asnjë moment nga fronti i luftimeve heroike të zhvilluara kundër forcave otomane të Dervish Pashës. Betejë e njohur e vendimtare dhe njëra nga përballjet më të përgjakshme të Lidhjes, në të cilën heroi Sefë Kosharja u kap i plagosur dhe më 20 prill të vitit 1881,u varë me plagë në trup,nga gjenerali gjakatar osman Dervish Pasha, në një lis të fshatit të tij, ndërsa ra heroikisht edhe trimi Mic Sokoli me bashkëluftëtarët më të ngushtë të tij! Atë ditë u bënë aq luftime të rrepta, saqë trimave të rënë bashkë me Mic Sokolin nuk mund t`u gjendeshin më as trupat nëpër varre.

Megjithëse edhe në vargjet e zgjedhura epiko-heroike të këngëtarit popullor, shprehet dhembja e thellë për përmasat tragjike të betejës dhe humbjen e trimave dhe luftëtarëve më të dalluar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si: Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Smajl Mehmeti, Smajl Hyseni dhe shumë udhëheqës e luftëtarë të tjerë të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të rënë trimërisht në luftime me turqit për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë etnike, megjithatë, ne shqiptarët as pas 138 vjetëve të kaluar nga ato luftime heroike dhe shumë betejave të tjera pasuese historike, mjerisht ende nuk po arrijmë ta bëjmë realitet shtetin tonë kombëtar në trojet e Katër Vilajeteve, të cilat i përkisnin Shqipërisë etnike.

Ndërsa, sa i takon heroit të shquar Ahmet Korenica, luftëtarit dhe udhëheqësit të përbetuar kombëtar për mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve të Shqipërisë nga pushtuesit, megjithëse për figurën e tij flitet me pietet, jo vetëm për aksionin heroik të vrasjes së Mehmet Ali Pashë Maxharit, më 3-6 shtator 1878 në Gjakovë, por edhe për trimëritë e shquara në luftimet e tjera të Lidhjes Shqiptare kudo që ato zhvilloheshin kundër pushtuesve otomanë, në fakt, sot e asaj dite, mungojnë shumë të dhëna autentike dhe biografia e tij e bujshme, mbetet ende e paplotësuar tërësisht.

Kurrë nuk u kthye më në atdhe

Ahmet Korenica, si njëri nga aktivistët dhe idealistët më të brumosur të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishte jo vetëm luftëtar e udhëheqës i shquar, por edhe njëri ndër anëtarët më të vendosur dhe më besnikë të Komitetit të Stambollit, i njohur i hershëm dhe mik për kokë edhe i vetë Abdyl Frashërit. Komitet i Stambollit u themelua që në vitin 1877, nga patriotët më të shquar kombëtare të kohës, me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së territoreve shqiptare nga pushtimet e huaja, pasi Perandoria osmane, menjëherë pas luftërave ruso-turke të viteve 1875/76, me komoditet dhe lehtësi të paparë, ua dorëzonte ato, hegjemonizmit sllav dhe atij grek.

Por pasi ky Komitet kishte rol të kufizuar hapësinor dhe nuk mund të mbulonte të gjitha trojet shqiptare me strukturat adekuate, më 10 qershor të vitit 1878, nga atdhetarët më të denjë, si: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Ahmet Korenica etj., u themelua Lidhja e Prizrenit, e cila edhe sot e kësaj dite është dhe mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike në të gjithë kronologjinë e ngjarjeve kombëtare shqiptare dhe një ndër Lidhjet më të organizuara Politike gjithëkombëtare pas Lidhjes së Kuvendit të Lezhës, të themeluar nga kryeheroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu më 2 mars të vitit 1444 në Lezhë.

Përpos Sylejman Vokshit, Ahmet Korenica ishte personaliteti më aktiv, sidomos në Degën e Lidhjes Shqiptare për Gjakovë me rrethinë dhe udhëheqësi i njërës prej ngjarjeve të para historike dhe më domethënëse të Lidhjes së Prizrenit, si aksioni i përgjakshëm kundër mareshalit otoman Mehmet Ali pashë Maxhari në sarajet e Abdullah pashë Drenit në Gjakovë, i cili nuk hezitoi ta shiste edhe krejt pasurinë që pati, për të ndihmuar vijimin e veprimtarisë luftarake të Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Prizrenit.

Ndërsa, përveç lavdisë dhe heroizmave të shquara në beteja, Sylejman Vokshi dhe Ahmet Korenica, përjetimin më të rëndë e patën, në momentin kur ushtria pushtuese otomane, pas shuarjes së Lidhjes, në pamundësi për të kapur kryetarin saj, heroin Ymer Prizreni, arrestuan dhe internuan në Anadoll gruan dhe vajzat e udhëheqësit të kësaj Lidhje të ndritshme kombëtare. Kjo e irritoi edhe më shumë Ahmet Korenicën, i cili si njëri nga kundërshtarët më të vendosur të pushtuesit otoman, jo vetëm se nuk iu nda kurrë luftimeve të Lidhjes, por ai as nuk u dorëzua para asnjë sakrifice, deri në vitin 1885, kur edhe u zu rob me tradhti, bashkë me Sylejman Vokshin dhe u dënua e internua, larg atdheut nga gjykata otomane në Stamboll. Tradhtia ndaj Sylejman Vokshit shtjellohet pjesërisht edhe në këngën popullore "Demë Isufi" të kënduar nga Dervish Shaqa, Qamili i Vogël, Bajrush Doda etj., në vargjet e të cilës sqarohet se si malësorët e organizuar nga Ali Ibra për të luftuar kundër Vesel Pashës, me të arritur afër Gjakovës në vendin e quajtur Qafa e Osekut, u mashtruan me ryshfet nga komandanti i ushtrisë turke, dhe në vend se të luftonin kundër tij, siç ishin besatuar, ata u zunë ndërmjet veti, morën nga "100 pare për njeri" dhe lejuan të shpëtonte gjenerali i ushtrisë turke, Vesel Pasha.

Sa i takon heroit të kombit Ahmet Korenica, habit fakti se si në ndonjë shkrim të pabazuar, aty-këtu trumbetohet pa fakte se edhe përkundër gjithë asaj lufte që ky burrë trim zhvilloi kundër pushtuesve osmanë, kinse pas shuarjes së Lidhjes së Prizrenit, ai sërish u punësua si kadi në Manastir, gjë që nuk është fare e vërtetë. Përkundrazi, ditën e zënies me tradhti të Sylejman Vokshit nga otomanët, bashkë me të u kap edhe heroi Ahmet Korenica. Këtë e vërteton edhe historiani i mirënjohur shqiptar Kristaq Prifti, i cili në librin me titull "Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881", shkruan qartë se më 1885 Ahmet Korenica u arrestua nga turqit dhe soll para gjyqit bashkë me Sylejman Vokshin.

Sipas po këtij historiani të shquar kombëtar, nga dokumentet e gjykimit të heroit tonë, dëshmohet se ai u internua në Anadoll, ndaj prej momentit të burgosjes nga turqit dhe internimit të tij në Anadoll, fatkeqësisht zhduken përgjithmonë të gjitha gjurmët e heroit Ahmet Korenica. Dhe, sado që në mungesë të shënimeve autentike, ende as sot e kësaj dite nuk mund të thuhet me saktësi, nëse ai vërtet u mbyt menjëherë pas internimit nga otomanët, apo vdiq më vonë në vitet pasuese nga torturat e gardianëve turq në burgjet e sulltanit, ajo që është plotësisht e sigurt dhe tash e atëherë dihet botërisht nga të gjithë shqiptarët, mbetet fakti se heroi ynë i shquar Ahmet Korenica, pas rënies në duart e pushtuesve turko-aziatikë, gjallë as vdekur, ai nuk u kthye më kurrë në atdhe. (Fund)

(Kosova Soty)