Konkurset letrare në Kosovë si në 'bahçe të babës'

  • 23 February 2019 - 17:39
Konkurset letrare në Kosovë si në 'bahçe të babës'

GËLLTITIN FONDE NGA NJË SËRË INSTITUCIONESH QEVERITARE, POR JO VETËM

Vokshi: Ekziston një rrezik goxha i madh në shuarjen e talenteve të reja

Tash e 20 vjet nga pas lufta, shumë njerëz kompetentë e të papërgjegjshëm kanë hapur konkurse letrare sezonale sa për t'i marrë disa mjete financiare nga organet qeveritare apo dhe lokale, dhe në fund të konkurseve janë ndarë certifikata si në "bahçe të babës".Dhe, kështu ka vazhduar tradita, duke u thirrur kinse në "zbulimin e talenteve të reja". Përjashtuar këtu disa raste kur ka pasur disa përpjekje të zbehta, të cilat janë shuar, pasi nuk kanë qenë vegla të klaneve politike ekzistuese. Megjithatë, ende lënë për të dëshiruar organizimet e këtilla, të cilat target kanë talentet e reja, kurse në fakt gëlltitin fonde nga një sërë institucionesh qeveritare, por jo vetëm.

MUHARREMI: SHKRIMTARËT E RINJ NUK PROMOVOHEN

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", shkrimtari Ilir Muharremi është shprehur se pretendimet krejt i kanë të mëdha e harrojnë se janë shumë të vegjël." Shtiren si artistë të sinqertë, para pushtetit përkulen në gjunjë. Talentet e reja nuk duhet ta bëjnë këtë. Nëse sadopak i kemi këta shumë të rinj duhet t'i respektojmë sikur gurët e çmuar. Shkrimtarët e rinj, por edhe ata më të vjetër, përballen me probleme në aktivitetin e tyre. Ata fare nuk promovohen nga institucionet. Ata nuk kanë aspak ndihmë, duhet vetë të gjitha t'i organizojnë e t'i menaxhojnë", është shprehur ai. Sipas tij, nuk duhet harruar se letërsia nuk bëhet vetëm në kryeqytet, por edhe në periferi. "Në qoftë se nuk e njohim edhe këtë, nuk ka se si të flasim për një grafik vlerash. Gjithmonë lakmojmë pas autorëve të huaj, autorët tanë na duken inferiorë dhe pak gëzojnë ndihmë nga shteti. A është kështu? Natyrisht, sepse tregu ynë është shumë i vogël, jemi numër i vogël i artistëve dhe njerëzve. Niveli i veprave artistike letrare është vërtet nën nivel". Muharremi ka theksuar se autorët kanë dëshirë të promovohen në rrjete sociale duke gënjyer për veten, duke e lartësuar veten, ose duke i obliguar kritikët të shkruajnë fjalë miradije për ta. "Veprat e tyre pak emocionojnë, estetikisht kanë shumë mangësi. Problemi i parë, me të cilin ballafaqohen shkrimtarët tanë është ai ekonomik, e pastaj ai artistik, estetik, i cili ende nuk ekziston ashtu si duhet të ekzistojë. Jetojmë në një vend shumë të vogël rural me letërsi tejet të vogël. Pretendimet krejt i kanë të mëdha, e harrojnë se janë shumë të vegjël. Shtiren si artistë të sinqertë, para pushtetit përkulen në gjunjë. Talentet e reja nuk duhet ta bëjnë këtë. Nëse sadopak i kemi këta shumë të rinj duhet t'i respektojmë sikur gurët e çmuar. Ka shumë botime e pak shkrimtarë. Lexues ka, por s'ka autor që i bindin lexuesit t'i lexojnë. Letërsia jonë është shumë e lodhur, u lodh nga historia. Arti nuk duhet të merret me historinë, por të ardhmen. Edhe ata lexues që i kemi janë ende të vegjël, duhet të rriten me librat", ka theksuar ai. Sipas Muharremit, Ministria e Arsimit nuk e di se kënd ta përkrahë, sepse janë lodhur nga propaganda se të gjithë janë shkrimtarë të mirë dhe meritojnë një hapësirë në raft librash. "Ndoshta, duhet krejt të botohen e të vërehet se kush e meriton e kush jo. Ata nuk shuhen, sepse ai, i cili e ndjen artin vazhdon të punojë. Ndërsa, ai i cili krijon vetëm për promovime dhe shoqërinë është i vdekshëm".

VOKSHI: EKZISTON NJË RREZIK GOXHA I MADH NË SHUARJEN E TALENTEVE TË REJA

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", njohësja e çështjeve kulturore në vend, Violeta Vokshi ka deklaruar se përderisa, në një vend arti letrar nuk ka zënë një vend të merituar, atëherë shumë pak mund të bëhet fjalë për një punë sensibilizuese për zbulimin e talenteve të reja. "Arti letrar sot në raport me vitet e mëparshme ka një disproporcion apo më mirë të themi, nuk është duke u vlerësuar në masë të duhur nga ana institucionale e shtetit tonë! Përderisa, në një vend arti letrar nuk ka zënë një vend të merituar, atëherë shumë pak mund të bëhet fjalë për një punë sensibilizuese për zbulimin e talenteve të reja...! Siç e ceka edhe më lart, shumë pak janë marrë iniciativa nga institucionet përkatëse - me theks të veçantë nga Ministra e Kulturës dhe Ministria e Arsimit, sa i përket zbulimit të talenteve të reja, të cilët i përkasin këtij profili", ka theksuar ajo. Sipas saj, në shoqërinë tonë, në përgjithësi, është mbjellë stereotipi për Gjuhën, Kulturën dhe Artin shqiptar në përgjithësi:''Si një punë jo e trendit dhe e kohës'', andaj eksiton një rrezik goxha i madh në shuarjen e talenteve të reja, në këto profile të lartpërmendura, në përgjithësi.

 

SHALA: KUSH JANË ATA PERSONA KOMPETENTË, QË E VLERËSOJNË TALENTIN E TJETRIT

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", studiuesja Zyrafete Shala ka potencuar në disa prej konkurseve që organizohen në Kosovë, vlerësimi i talentëve apo ndarja e çmimeve bëhet nga juria që përbëhet nga krijuesit që i përzgjedh organizatori. Shumica nga ata krijues ka vite që merren, me imitimin e propozimeve estetike letrare ta zëmë, të viteve '70 dhe asnjëherë nuk kanë arritur ta perfeksionojnë atë imitim, e lëre më të sjellin diçka novatore në letërsi.

"Sa i përket zbulimit të talentëve të rinj, më tepër se te mungesa e konkurseve letrare, do të duhej të ndaleshim në disa çështje të tjera më relevante. Në radhë të parë do të duhej t'i jepnim rëndësi faktit se kush janë ata, personat kompetentë që e vlerësojnë talentin e tjetrit? Cili është kontributi i tyre në letërsinë shqipe? Me çka është dëshmuar se mund t'i ndajnë talentët dhe jotalentët?

Në disa prej konkurseve që organizohen në Kosovë, vlerësimi i talentëve apo ndarja e çmimeve bëhet nga juria që përbëhet nga krijuesit që i përzgjedh organizatori. Shumica nga ata krijues ka vite që merren, me imitimin e propozimeve estetike letrare ta zëmë, të viteve '70 dhe asnjëherë nuk kanë arritur ta perfeksionojnë atë imitim, e lëre më të sjellin diçka novatore në letërsi. Është shumë lehtë të argumentohet kjo. Le të shohim sa krijues shqiptarë dy dekadat e fundit kanë tejkaluar kufijtë kombëtarë? Nuk është fjala për botime në një gjuhë të huaj, se rrugë të tilla kemi gjetur mjaft, por sa krijues tanë kanë arritur të bëjnë emër në një vend apo kulturë tjetër?  Ky është indikatori më i mirë që flet për nivelin e letërsisë sonë, kot i thurim himne njëri-tjetrit. Do të ishte shumë e dhimbshme për mua nëse të rinjtë tanë do të vazhdonin të inspiroheshin prej një letërsie lokale, po e them kushtimisht, është koha ta kërkojmë një vend jashtë kafazit ku jemi mbyllur, se për kultura mund të zgjerohet edhe pa viza, përmes leximit dhe përpunimit të shijes estetike", ka përfunduar Shala.

Armend Preteni

(Kosova Sot)