Ministria e vetëlavdërimeve

  • 16 March 2019 - 08:43
Ministria e vetëlavdërimeve

Vazhdimisht e përcjell faqen zyrtare të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, por gjithmonë i rezervuar dhe me mendje kritike përgjatë çdo shkronje, fjale, fjalie mbështetëse e kryesore, paragrafi e teksti në tërësi. Në faqen e MKRS-së, kur njeriu i qaset për informacion zyrtar, të bezdisin shpesh titujt e fryrë të lajmeve dhe vetëlavdërimeve.

Jo më larg se pak ditësh, titulli i radhës në faqen e MKRS-së ishte: "MKRS-ja realizon 100% të masave të parapara me PKZMSA-në". Vetë 100- përqindëshi, tenton të krijojë përshtypjen për një ministri efikase, të përpiktë, të rregullt dhe me seriozitet të lartë në zbatimin e masave të kërkuara nga Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA-së) për vitin që e lamë pas. Po çfarë arritjeje është kjo, kur vetëm në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), janë gjetur aq shumë shkelje dhe tejkalime?! A ju duket e arsyeshme edhe numri aq i lartë i konkurseve për punëtorët që do të angazhohen në stafin e ri administrativ, teknik e menaxherial të MKRS-së në Prizren? A nuk dihej prej kohësh që do të ishte goxha e kushtueshme financiarisht zhvendosja e një pjese të MKRS-së në Prizren dhe nuk ishte planifikuar bartja e punëtorëve prej Prishtinës në Prizren, por sërish me punëtorë të tjerë?! A nuk ishte thënë në shumicën e raporteve të ZKA-së, se MKRS ka mbipunësuar njerëz me kontrata në vepër në Prishtinë? A nuk ishte thënë në shumicën e raporteve se nuk ka nevojë për aq shumë staf punonjësish?

Ç'vetëlavdërohet ministria në lajmin e fundit në faqen zyrtare? "Në funksion të avancimit të kornizës ligjore, përkatësisht përafrimit të legjislacionit me Acquis-në e BE-së, në kuadër të masave legjislative, MKRSja ka arritur të hartojë dhe sponsorizojë dy rregullore për të drejtën e autorit. Bëhet fjalë për rregulloren për kompensime të veçanta, akt nënligjor ky i ri në Republikën e Kosovës si dhe rregullorja për ndërmjetësim në fushën e të drejtës së autorit. Të dyja rregulloret janë miratuar në fund të tetorit të vitit të kaluar." (MKRS, 8 mars 2019. Marrë nga https://www.mkrsks.org/?page=1,6,2007#.XIs_GclKjIU) Ministritë këtë punë bëjnë: rregullore, vendime, hartimin e përpilimin e dokumenteve të rëndësishme, propozime e iniciativa për ndryshime ligjore, ligje të reja e ndryshimplotësim të tyre. E paskësha hartuar dhe sponsorizuar rregulloren për kompensime të veçanta dhe për ndërmjetësim në fushën e të drejtës së autorit, edhe punë e madhe?! Në shumicën e fushave, ka mangësi.

Vetëm shihni se si i qaset problemit të dëmtimit të Kalasë së Artanës, e cila ka pësuar dëme të konsiderueshme në muret e jashtme dhe të brendshme, dhe ministri do të duhej ta bënte një vizitë urgjente fill pas lajmit për dëmtimin, për t'i dhënë mesazh mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Shumë rregullore po ashtu janë hartuar e nuk janë zbatuar. Ka pasur raste sikur e thotë raporti i fundit i ZKA-së, se është shkelur Rregullorja e brendshme për Subvencionet dhe Transferet. Ose ta shkëpusim rekomandimin 3, faqe 11, të raportit të fundit të ZKA-së, se çfarë thotë me thyerjen e rregulloreve nga MKRS: "Ministri duhet të siguroj që kontrollet lidhur me shpenzimin e parasë publike janë duke funksionuar, ashtu që pagesat për projektet kapitale të realizohen në përputhje të plotë me Rregullën Financiare të Thesarit 01/2013 Për Shpenzimin e Parasë Publike." (ZKA për MRKS, 2018) Ose të mos e anashkalojmë edhe mungesën e rregulloreve të tjera që i evidentonte ZKA për MKRS-në, siç është mungesa e rregullores për tarifa të pagesës së stafit të brendshëm të angazhuar në projekte: "Tek subvencionimi i Baletit nga MKRS-ja në vlerë 39,560€, vërejtëm se Baleti i Kosovës nuk ka një rregullore që përcakton tarifat e pagesës së stafit të brendshëm të angazhuar në projekte, ndërkaq koreografet e jashtëm të angazhuar në projekte, janë paguar me para në dorë. Më tej, për pagesat e honorarëve të punëtoreve të rregullt nuk janë mbajtur në burim kontributet dhe tatimi në pagë, ashtu siç kërkohet me Ligjin e të Ardhurave Personale…"

(Po aty, f.21) Për këtë arsye dhe shumë të tjera, lidhur me mungesën e shumë rregulloreve të MKRS-së, ishte edhe rekomandimi 14, faqe 22: "Ministri duhet që të hartojë rregullore gjithëpërfshirëse për kompensimin e të angazhuarve në projektet e Baletit, dhe se , kompensimi për të angazhuarit e jashtëm të bëhet vetëm përmes llogarisë bankare." (Po aty) Sipas ZKA-së, ka pasur edhe autorizime apo neglizhenca të tjera në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi, kur në vend të Ministrit, aso kohe (viti 2017), janë nënshkruar marrëveshjet për bashkëpunim prej Sekretarit të Përgjithshëm. Në mesin e shkeljeve të rregulloreve nga MKRS, është raportuar sidomos shkelja e Rregullores Financiare për Shpenzimin e Parasë Publike, për Subvencione etj. Por edhe vërejtja i është dhënë për mungesë të disa rregulloreve, e të cilat akoma nuk janë hartuar. Kot vetëlavdërohet MKRS-ja! MASAT E TJERA ZBATUESE TË MKRS-SË Në pjesën tjetër në vazhdim të njoftimit vetëlavdërues me titull bombastik të faqes së MKRS-së, tregohen edhe arritjet e tjera, si masa zbatuese: "Ndërsa masat zbatuese që MKRS-ja ka përmbushur sipas kërkesave të PKZMSA-së, janë trajnimi i 6 gjyqtarëve për të drejtën e autorit; miratimi i koncept dokumentit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; zbatimi i strategjisë kombëtare për trashëgimi kulturore, ku përfshihet avancimi dhe plotësimi i databazës së të dhënave; hartimi i planeve për menaxhimin e aseteve të trashëgimisë; realizimi i projekteve të restaurimit dhe konservimit në fushën e trashëgimisë dhe ndërhyrjen emergjente dhe hulumtime në këtë fushë."(MKRS, 8 mars 2019. Është shumë e rëndësishme të trajnohen gjyqtarët për të drejtën e autorit, sepse përnjëmend kemi mangësi serioze në këtë fushë. Jo vetëm se nuk kemi kuadro profesionistë e të mjaftueshëm, por që në fillim kemi pasur staf të dobët që është marrë me të drejtat e autorit. Ama duhet edhe zbatim, por me shumë sfida reale. Pa harruar se deputetët janë amatorë në këtë fushë dhe për fatin e keq nuk na dominojnë juristët në Kuvendin e Kosovës, prandaj as nuk kanë çfarë të shtojnë në këtë fushë, as të heqin. Është fushë e panjohur për shumicën e tyre dërmuese. Në anën tjetër, sa i përket edhe një fakti tjetër është se, zbatimi ligjor në fushën e të drejtave të autorit, në një vend me aq shumë varfëri, është sfidë që duhet ta pranojmë.

Shumë studentë të varfër raportojnë për sfidat që kanë për librat që duhet t'i blejnë të rinj dhe detyrohen të "verbohen" me skripta. S'po flasim për shumicën demotivuese për të mos lexuar fare, por po flasim për kategorinë e studentëve që duan të lexuakan, por nuk kanë mjete financiare për t'i blerë librat. Po ashtu, nëse do të respektoheshin të drejtat autoriale në kanalet si "youtube.com", shumë këngë do të detyroheshim t'i blinim në CD, USB etj. Na ka rastisur që kur ishim në Gjermani për afër një vit, në shumë linqe "youtube" për muzikën tonë të preferuar, nuk mund të hynim, sepse duhej paguar. Ishim mësuar në Kosovë kur gjithçka merret pa të drejtë autori dhe askush nuk jep përgjegjësi. Në anën tjetër, kur njeriu e mendon varfërinë, papunësinë, punën e paguar keq, vonesat në paga etj., nuk ka sesi të lë anash edhe sfidat në zbatimin e kësaj fushe dhe nuk mund ta ketë fajin vetëm MKRS, sepse më shumë se me këtë ministri, kjo fushë kushtëzohet nga performanca dhe suksesi që duhet të bëhet në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, Ministrinë për Tregti dhe Industri, Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale. E sa kemi suksese në këto tri të fundit, vaj halli për ne!!! TË TJERAT VETËLAVDËRIME TË MKRS-SË Kur e lexojmë gjer në fund njoftimin me aq thurje vetëlavdërimi të MKRSsë, e gjejmë edhe këtë elozhe më tutje: "Në fushën e trashëgimisë, në Listën nën mbrojtje të Përkohshme janë përfshirë 1595 asete, me 28 sish të reja.

Ka përfunduar plani i menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit, Kalanë e Prizrenit, të Vushtrrisë dhe të Novobërdës dhe këto të dhëna janë dërguar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për përfshirjen e trashëgimisë kulturore në hartat zonale. Kanë nisur dhe janë realizuar shumë projekte dhe janë bërë intervenime emergjente në kategorinë e trashëgimisë arkitekturore dhe arkeologjike. Janë realizuar edhe projekte të konservim-restaurimit. Kanë përfunduar punimet në shumë shtëpi e shumë objekte me vlera të trashëgimisë kulturore që kanë pritur me vite të restaurohen duke marrë kësisoj masa preventive nëpërmjet intervenimeve emergjente."(Po aty) Pse nuk shtohet kur përmendet Novobërda, se me gjithë investimin mbi 1 milion nga Komisioni Evropian dhe me kontraktim e supervizion nga zyrtarët e UNESKO-s, Kalaja e Novobërdës ka pësuar dëme të konsiderueshme në muret e jashtme dhe paraqet aktualisht edhe rrezik dhe janë detyruar të angazhojnë edhe roje për të mos rrezikuar ndonjë vizitor?! Pse nuk shpjegohet se si Kalaja e Pogragjës në Anamoravë, Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë etj., nuk janë në gjendje të mirë? Kalaja e Pogragjës është e mbushur me bar të egër dhe pa asnjë investim as në shtegun e ecjes, as pushimit etj. Kulla e Vokshit po rrezikohet dhe MKRS-ja do të duhej të ishte më e zëshme rreth saj, pavarësisht kompetencave komunale të Gjilanit e Gjakovës, Qendrave Rajonale për Trashëgimi Kulturore etj. Një tjetër që e konsideron sukses, MKRS, është edhe çmimi vjetor për diversitet kulturor: "Në shënim të Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore dhe ne zbatim të Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore, Objektivi 4 Promovimi i Trashëgimisë Kulturore respektivisht pika 4.3 Promovimi i diversitetit kulturor, respektimi dhe mbrojtja e trashëgimisë dhe shprehjes kulturore të komuniteteve të Kosovës, MKRS-ja përmes Departamentit të Trashëgimisë Kulturore ka përmbyllur me sukses konkursin për "Çmimin Vjetor për Diversitet Kulturor 2018". (Po aty) Për shumicën e çmimeve nuk mund të vetëlavdërohet MKRS-ja. Reagimeve u ka humbur shpesh kuptimi, prandaj nuk po ka edhe aq më reagime e kundër-reagime për këto çmime, sikurse kishte aq shumë dikur. Nuk e shoh mbylljen me sukses të këtij konkursi, sepse shoh njerëz që kontribuojnë vazhdimisht për diversitet kulturor, por nuk përmenden kurrë, nuk janë të zëshëm dhe nuk "bërtasin". Prandaj, as nuk shpërblehen!

(Kosova Sot)