Shtypi gjerman mbi luftën në Kosovë

  • 16 March 2019 - 13:18
Shtypi gjerman mbi luftën në Kosovë

Sivjet bëhen 20 vjet nga ndërhyrja e trupave të NATO-s në luftën e Kosovës, e në kuadër të këtij përvjetori botohen dy vëllime me shkrime nga "Shtypi gjermanofolës për Luftën në Kosovë", 1999, (Die deutschsprachige Presse über den Kosovokrieg). Në këto dy vëllime, të përgatitura nga Hajdar Sadrija dhe Shefqet Dibrani, janë përfshirë 1.532 artikuj të ndryshëm me mbi 4 milionë e 300 mijë karaktere, të përfshira në dy vëllime me rreth 1200 faqe të formatit A4.

Materialet janë mbledhur nga z.Hajdar Sadrija, kurse janë redaktuar, sistemuar dhe parathënien e ka shkruar Shefqet Dibrani, por publikohen me rastin e 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s mbi trupat e ushtrisë serbe në Kosovë dhe brenda në Serbi. NJË PUNË PROFESIONALE Siç e theksuam më lart, materialet e prezantuara në këto dy vëllime janë shkrime informative, komente dhe analiza të marra nga shtypi në gjuhën gjermane, të cilat për shkak të volumit i kemi ndarë në dy pjesë: Vëllimi I, përmban shkrime nga data 05 shkurt - 20 prill 1999, kurse në vëllimin II janë përfshirë shkrimet nga data 21 prill - 02 korrik 1999. Për mbledhjen e këtyre materialeve duhet falënderuar z. Hajdar Sadrija, veprimtar i viteve të 80-ta, ndërsa gjatë periudhës 1993-1997 ishte kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër.

Hajdar Sadrija është i njohur për shpërndarje të shkrimeve, broshurave dhe materialeve në shërbim të kauzës kombëtare. E disa nga këto shkrime janë botuar edhe në Gazetën "RILINDJA" që dilte në Zvicër, në shtojcën katër faqesh në gjuhën gjermane. Rubrikën në gjuhën gjermane, gjatë asaj kohe e ka përgatitur vetë z. Hajdar Sadrija. Gjithsesi angazhimi i Hajdar Sadrisë, për t'i mbledhur e ruajtur këto shënime duhet vlerësuar, ashtu sikurse e meriton për t'u vlerësuar edhe veprimtaria e tij në fusha të tjera. Me një fjalë, Hajdar Sadrija, gjatë gjithë jetës së tij, ka dëshmuar një përkushtim të rrallë dhe mjaft pragmatik në shumë fusha. Edhe këto dy vëllime shkojnë në këtë drejtim.

Një punë profesionale në redaktimin teknik të shkrimeve, sistemimin e materialeve dhe faqosjen e tyre, për të dalë këto dy vëllime në mënyrë sa më të kompletuar e ka bërë Shefqet Dibrani, autor librash dhe aktivist i LDK-së në Zvicër. DOKUMENTE ME VLERA TË VEÇANTA Në aspektin profesional vlen për t'u theksuar se këto shkrime kanë qenë të publikuara para dy dekadash, e pasi nuk ka qenë e mundur për t'i ruajtur shënimet e publikimit në internet, siç thuhet në parathënie, ka mundësi të jenë përvjedhur ndonjë gabim a lajthitje e lehtë, përkitazi me burimin e saktë, prandaj përgatitësit kanë kërkuar ndjesë për gabimet eventuale. Siç thuhet, librat e kësaj kategorie kryesisht janë të karakterit arkivor, gjithsesi dokumente me vlera të veçanta historike e faktografike, pasi paraqesin një pasqyrë reale të asaj kohe.

Kështu siç janë radhitur e sistemuar, me të vetmin kriter aspektin kronologjik, do të vihet në pah angazhimi serioz i shtypit dhe mediave në hapësirën gjermanofolëse për çështjen e Kosovës. Pa dyshim shtypi dhe mediat në gjuhën gjermane, kanë pasur rol të veçantë në sensibilizimin e opinionit për atë çfarë ndodhte në Kosovë dhe rajon, veçmas atëherë kur Aleanca Veriatlantike, e prirë nga NATO-ja, përgatitej për ta ndalur gjenocidin dhe pastrimin etnik që serbet e bënin kundër popullit të pambrojtur shqiptar në Kosovë. Publikimi i këtyre materialeve bëhet në 20-vjetorin e ndërhyrjes së trupave të NATO-s në luftën e Kosovës. Merita e Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë është e madhe. Me një fjalë hapësira gjermanofolëse në ato rrjedha kishte rol dhe ndikim specifik, prandaj le të mbetet ky publikim një falënderim modest për Aleancën Veriatlantike dhe për trupat e NATOs, të cilët me angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë në luftën e Kosovës, realizuan pavarësimin e Kosovës nga Serbia!... thuhet pos tjerash në parathënien e shkruar nga publicisti dhe autori Shefqet Dibrani. E krejt në fund theksohet se publikimi i këtyre materialeve në dy vëllime do të pasurojë fondin e librave të kësaj natyre, nëpër institucionet përkatëse në Republikën e Kosovës dhe më tej. Librat janë botim privat dhe të regjistruara në Bibliotekën Nacionale në Zvicër, kurse publikimi është radhitur "Botim i veçantë", me një tirazh mjaft të kufizuar dhe pa qëllime komerciale!

(Kosova Sot)