Degradimi urban i qendrës së qytetit të Gjakovës

  • 16 March 2019 - 13:22
Degradimi urban i qendrës së qytetit të Gjakovës

Nuk do t'i përsëris të dhënat të cilat i kam theksuar në shkrimin e muajit tetor të vitit të kaluar kur në K. K. të Gjakovës në rend të ditës u kërkua "shqyrtimi i propozim vendimit për NDRYSHIMIN e një vendimi nga viti 2015 për shpallje të interesit publik për Monumentin Historik Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë". Tentimi i pare, ashtu edhe i dyti dështuan përkundër asaj që kryetari aktual i Komunës kishte marrë rolin e tellallit dhe tentoi të manipulojë faktet para asamblistëve.

Të verbëruar pas interesave të pashpjegueshme grupore, prapë për herën e tretë po tentojnë të kalojë ky propozim në asamble, duke treguar haptas mosdituri elementare ndaj ligjeve, normave e standardeve të trashëgimisë dhe ndërtimit, të cilat janë në fuqi në Kosovë, edhe se kryetari i Kuvendit komunal ishte ministër në MMPH. Ajo që kanë bërë këta me degradimin urban të qendrës së qytetit aspak nuk befason njohësit e urbanistikës dhe urgjent duhet ndërmarrë masa parandaluese edhe nga niveli qendror për rastin e kullës. RRETHANAT POLITIKE TË KOHËS Me argumente profesionale e shpjegova se një veprim i tillë është tërësisht i gabueshëm dhe përthekon në vete pasoja të pariparueshme së pari për Gjakovën, pastaj për Kosovën dhe për tërë shqiptarinë, pasi është fjala për një monument të trashëgimisë kulturore që i takon shtëpisë të Heroit të Popullit, ministrit të Mbrojtjes dhe Financave të Qeverisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshit.

Si pjesëmarrës aktiv në formësimin urban të Gjakovës, para luftës, posaçërisht të qendrës së qytetit, e cila ishte e mbuluar me plan detal urbanistik, kemi qenë të kujdesshëm që kontakt zona në mes të vjetrës (Çarshish së madhe) dhe të resë (Qendrës) të jetë vetëm hotel "Pashtriku", kurse pjesa e tjetër të jetë parking i qytetit, duke i ruajtur vizurat ndaj qytetit të vjetër dhe Çabratit, që ka domethënie të madhe për gjakovarët. Duke iu frikësuar rrethanave politike të kohës dhe apetiteve destruktive të disave, kishte filluar procedura e shpronësimit të atyre objekteve, e cila dhunshëm është ndërpre pa kurrfarë arsyetimi bindës nga ana e Komunës.

Ky ishte shenjë ogurzi, që kjo zonë të atakohet pas luftës, menjëherë me ndërtimin e një kafe - restoranti, për të kulmuar me një zgjidhje urbanistike, e cila definitivisht ka bërë ndarjen mekanike të dy pjesëve të qytetit, që ishte gabim i madh urbanistik, që e vërtetoi koha. GABIMI I PAFALSHËM Pasi kjo zgjidhje urbanistike është në kundërshtim me Ligjin e Trashëgimisë Kulturore është dashur të bëhet revidimi detal i projektit e mos të lejohet që afër kullës të ndërtohen objekte shumëkatëshe banimi, por kjo aspak nuk iu konvenon këtyre profiterëve, të cilët të vetmin ideal i kanë përfitimet e lehta materiale. Duke u nisur nga situata reale në terren dhe me qellim që të fillojnë procedurat e renovimit të objektit dhe hapësirave përcjellëse që duhen në këso raste, në vitin 2015 Asambleja Komunale kishte marrë vendim që ky objekt të jetë i interesit të veçantë publik dhe të jetë pjesë integrale i një tërësie urbanë që së bashku me katër monumente tjera, me shkollën e muzikës dhe parkun "Ali Podrimja" t'i shërbejnë qytetit e njëherësh të jetë ajo kontakt-zona e domosdoshme në mes të vjetrës dhe të resë. Mu ky vendim kryetarit aktual të komunës po i pengon dhe me nguti po orvatet ta shfuqizojë, duke bërë gabim të pafalshëm ndaj historisë së bujshme të Gjakovës. Mbes me shpresë që qytetarët e Gjakovës ma në fund do të kthjellen dhe me mjete demokratike të ndalojnë këto veprime në të ardhmen. 

(Kosova Sot)