"Kosova Sot", feniksi i demokracisë dhe zëri i qytetarëve

  • 24 March 2019 - 17:42

"Kosova Sot" tash e njëzet vjet ka ruajtur identitetin e saj

Në kohën kur Kosovën e kishte kapluar errësira e informimit, si një albatros lindi gazeta "Kosova Sot", media e shkruar, e cila do të bënte histori me frymën e saj të pavarur. Megjithatë, dritaren e informimit për shqiptarët, e cila ishte referencë edhe për mediet ndërkombëtare, regjimi pushtues serb e kishte halë në sy. Për rrjedhojë, më 11 mars 1999, pa seancë gjyqësore gazeta u dënua me urdhër të ish- ministrit Aleksandër Vuçiq, për t`u ndaluar pastaj botimi i gazetës më 18 mars 1999. Megjithatë, regjimi i Slobodan Milosheviqit nuk ndaloi me kaq, pikërisht më 24 mars 1999, regjimi pushtues zgjodhi gazetën dhe shtypshkronjën e gazetës lidere "Kosova Sot", për t`u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi roli dhe ndikimi i gazetës "Kosova Sot" ishte një goditje shumë e madhe kundër regjimit kriminel serb të Milosheviqit, andaj motoja e gazetës numër një në Kosovë "Kosova Sot", ka qenë, është dhe do të mbetet feniksi i demokracisë dhe zëri i qytetarëve kosovarë.

Image

BEHLULI: "KOSOVA SOT" NË PERIUDHËN E OKUPIMIT KA NDJEKUR DRITËN E LIRISË

Në një prononcim për "Kosova Sot", njohësi i çështjeve kulturore në vend Hajrush Behluli ka potencuar se në ato rrethana ne që kemi përjetuar atë kohë e kemi shumë të qartë se asgjë nuk ndodhte rastësisht. "Është një thënie: Drita e lirisë të dërgon gjithmonë në rrugë të drejtë, dhe kësaj rruge asnjëherë nuk i është larguar gazeta "Kosova Sot". Gazeta "Kosova Sot", në ato vite ishte pararojë e luftës për liri dhe roli i saj ishte i jashtëzakonshëm dhe mund të themi se edhe pushtuesi ka reaguar me vrazhdësinë më të madhe të mundshme. Fillimisht me dënime, pastaj edhe me ndalimin dhe në fund shkatërrimin fizik me djegien e shtypshkronjës dhe krejt këtë duke qenë ata të bindur se masat e deriatëhershme nuk do të arrinin ta ndalnin përkushtimin dhe punën e kësaj gazete. Në ato rrethana ne që kemi përjetuar atë kohë e kemi shumë të qartë se asgjë nuk ndodhte rastësisht. Është një thënie: Drita e lirisë të dërgon gjithmonë në rrugë të drejtë, dhe kësaj rruge asnjëherë nuk i është larguar gazeta "Kosova Sot", ka theksuar Behluli.

Image

MUHARREMI: GAZETA "KOSOVA SOT" ËSHTË NEUTRALE DHE LUFTON TË KËQIJAT NË KOSOVË

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", shkrimtari Ilir Muharremi ka deklaruar se gazeta "Kosova Sot" shpaloste të mirën dhe të keqën ashtu si ishte, e frenonte fantazinë, të cilën shumë medie botërore e paraqesin me qëllime propagandistike për ndryshim të mendjes së publikut. Kjo gazetë ishte në dijeni se nuk duhet ndërtuar kështjella në erë, të cilat janë shumë të kushtueshme, ngaqë menjëherë jemi të detyruar t'i përmbysim mes lotëve e psherëtimave. "Gazeta e përditshme "Kosova Sot" tash e njëzet vjet ka ruajtur identitetin e saj. Gjithnjë e fuqizuar nga bindja, guximi, baraspesha, drejtësia të cilat i qëndronin stoikisht në kohët më të vështira, kohët e censurës së ashpër nga forcat militare serbe. Pamëshirshëm dhe pashërueshëm përpiqeshin të ngulitnin propagandë dhe pengesë për vazhdimin e drejtësisë së lajmeve të thella. Kjo gazetë shpaloste të mirën dhe të keqën ashtu si ishte, e frenonte fantazinë të cilën shumë medie botërore e paraqesin me qëllime propagandistike për ndryshim të mendjes së publikut. Kjo gazetë ishte në dijeni se nuk duhet ndërtuar kështjella në erë, të cilat janë shumë të kushtueshme, ngaqë menjëherë jemi të detyruar t'i përmbysim mes lotëve e psherëtimave. Ishte në dijeni për mospërkeqësim të gjendjes tonë shpirtërore, gjithnjë këmbët i mbante në tokë, sepse e dinte që iluzioni mban ndryshe realitetin. Shihet që gazeta është neutrale dhe lufton të këqijat në Kosovë", është shprehur ai. Sipas tij, gjithnjë duhet të shqyrtojmë gjërat që na takojnë, vetëm me syrin e arsyes, duke vepruar rrjedhimisht, pas një gjykimi të thellë, duke përdorur vetëm koncepte reale të cilat para se të plasohen publikisht analizohen, korrigjohen me një gjuhë të thellë të arsyes, e më pastaj plasohen në treg.

Image

PLAKOLLI "KOSOVA SOT" MBAHET MEND PËR NGJIZJEN E NJË REVOLTIMI TË MADH MEDIATIK KUNDËR REGJIMIT SHOVINIST

Njohësi i aktualitetit në vend Militant Plakolli, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", është shprehur se pavarësisht kërcimeve dhe fyerjeve e shantazheve që u janë bërë gazetës nga figura publike e politike për konsume ditore politike, gazeta ka vazhduar e vazhdon misionin e saj për ta informuat opinionin me fakte dhe argumente për të tashmen e tyre të panjohur e të mbyllur qëllimisht nga pushteti. "Duke pasur parasysh se në ç'kohë dhe në ç'rrethana të rënda ideopolitike ka filluar të veprojë gazeta "Kosova Sot", nuk ka se si të mos të vlerësohet roli dhe kontributi i saj krucial për informimin e drejtë, korrekt, përmbajtësor, kualitativ dhe të paanshëm të publikut shqiptar të Kosovës, në këto dy dekada të veprimtarisë të saj në fushën e gazetarisë. Kjo gazetë mbahet mend dhe për ngjizjen e një revoltimi të madh mediatik të atëkohshëm në opinionin e gjerë shqiptar të Kosovës, kundër regjimit shovinist dhe represiv të diktatorit Milosheviq, ku kjo bëri që gazeta "Kosova Sot" të jetë caku i sulmeve të regjimit të dhunshëm serb ndaj gazetës dhe në përgjithësi kundër shprehjes së lirë Kosovën e okupuar. Gazeta "Kosova Sot" ka ditur që jetë më vigjilente në këtë drejtim, duke mirë-informuar shpejt, saktë dhe profesionalisht në çdo fushë politike, ekonomike, sociale, kulturore e sportive brenda dhe jashtë vendit. Fjala dhe shprehja e lirë është një sfidë më vete në tërë rruzullin tokësor të globalizuar. Ajo akoma vret dhe më shumë se kaq, ajo akoma ndalohet, ndrydhet, përndiqet e madje edhe kërcënohet, duke paguar qiranë e të qenurit e mëvetshme në ide dhe në kritikë, gjithmonë më të mirën dhe në të mbarën e shoqërisë", është shprehur Plakolli. Ai shton se pavarësisht kërcënimeve dhe fyerjeve e shantazheve që u janë bërë gazetës nga figura publike e politike për konsume ditore politike, gazeta ka vazhduar e vazhdon misionin e saj për ta informuat opinionin me fakte dhe argumente për të tashmen e tyre të panjohur e të mbyllur qëllimisht nga pushteti.

Armend Preteni

(Kosova Sot)