Roli filmik e bëri një prind shumë më strikt

  • 26 March 2019 - 10:14
Roli filmik e bëri një prind shumë më strikt

“Përpiqem që fëmijët t’i mbaj larg rrjeteve sociale”

Aktorja fituese e çmimit Oskar thotë se kufizon kohën që fëmijët e saj kalojnë në rrjetet sociale dhe duke shikuar TV-në, në mënyrë që të mos ekspozohen ndaj presionit të jetës moderne

Aktorja fituese e çmimit Oskar, Julia Roberts, thotë se roli filmik i prindit të një fëmije adoleshent, përdorues droge, ka ndikuar që ajo të bëhet një nënë shumë më e ashpër. Me këtë pajtohen edhe fëmijët e saj.

Ylli 51 vjeçar nga filmi “Pretty Woman” thotë se, puna në filmin e saj më të ri, “Ben Is Back”, ka transformuar mënyrën sesi ajo përkujdeset për fëmijët e saj, duke e bërë të jetë shumë më strikte.

Julia, e cila është e martuar me kinematografin Danny Moder, 50 vjeç, ua ka ndaluar binjakëve të saj 14 vjeç, Hazel dhe Finn, si dhe të birit Henry, 11, përdorimin e medieve sociale, ka caktuar ‘takimet familjare’ dhe ka kufizuar atë që ata shikojnë në TV, në mënyrë që ata të mos ekspozohen ndaj presionit të jetës moderne.

Holly përpiqet që ta shpëtojë Benin

Dhe, femra me njërën prej buzëqeshjeve më mbresëlënëse në Hollivud, shton se, që fëmijët ta kuptojnë se e ka seriozisht, i duhet që ta ngrysë fytyrën. Në një bisedë ekskluzive, ku Julia flet edhe rreth martesës së saj 16 vjeçe, ajo shton: “Kam tre fëmijë të vegjël, kështu që jam shumë e kujdesshme rreth asaj se çka ka në TV. Është interesante të përpiqesh të rritësh fëmijët ditëve të sotme, meqë çdo gjë është kaq e re, presioni, burimet, fakti që e ke tërë botën disi në dorë. Përpiqem që t’i mbajë larg rrjeteve sociale, meqë me të vërtetë nuk mund të kuptojë se çka ju duhen ato medie atyre”.

Në filmin “Ben Is Back”, e cila ka dalë në kinema këtë javë, Julia luan rolin e Holly Burnsit, djali 19 vjeç i së cilës, Ben (Lucas Hedges), shfaqet papritmas mbrëmjen e Kërshëndellave.

Më pas, përgjatë 24 orëve të ardhshme, Holly përpiqet që ta shpëtojë Benin, derisa ai përpëlitet me shprehitë e tij dhe me dëshpërim përpiqet të t’ua kthejë borxhet njerëzve të cilëve i biri iu kishte huazuar para. Kjo tematikë sikur ia kishte hapur sytë Julias, e cila është rritur në Smirna të Gjeorgjisë. Ajo thotë se tani di më shumë gjëra rreth drogave, sesa që dinte më parë.

“Nëse bazoheni te të gjitha ankthet që mund t’i kenë prindërit, atëherë të vjen ta mbyllësh derën dhe kurrë të mos largohesh nga shtëpia. Duhet të përqendrohesh te gjërat pozitive të botës.

“Jam rritur në një qytet të vogël, në një komunitet ku drogat nuk ishin pjesë e skenës së nxënësve, po edhe të ishin, unë nuk isha në dijeni për një gjë të tillë”.

Ajo dhe Danny kanë vendosur që të mos rrisin fëmijë të llastuar

Pasi që arriti sukses të madh në aktrim, dukej sikur Julia kishte botën në dorën e saj, por jeta e saj e hershme e dashurisë nuk ishte një rrëfim kaq i suksesshëm. Ajo pati lidhje publike me aktorët Jason Patric, Liam Neeson, Kiefer Sutherland dhe Matthew Perry.

Dhe, martesa e saj e parë, ajo me këngëtarin e zhanrit “country” Lyle Lovett në vitin 1993, përfundoi me shkurorëzim dy vjet më herët. Më pas ajo u takua me Danny-n gjatë xhirimeve të filmit të vitit 2000, “The Mexican”. Ata u martuan më 4 korrik të vitit 2002, në rançin e tyre prej 16 hektarësh në Nju Meksiko. Sot, pas një martese të gjatë, ajo thotë se Danny i ka të gjitha meritat që ia ka ndryshuar jetën dhe e ka shpëtuar nga ndjenja e ‘humbjes’.

Me një pasuri dhjetëra milionë dollarë, thuhet se Julia bën një jetë luksi. Shtëpia kryesore e familjes së saj është një vilë në Malibu, me pamje nga oqeani.

Megjithatë, ajo dhe Danny kanë vendosur që të mos rrisin fëmijë të llastuar. Kjo nënkupton rregulla strikte shtëpiake për fëmijët e tyre, Hazel, Finn dhe Henry. Ajo thotë se, përkundër faktit që është një nënë strikte, kjo nuk dmth se ajo e humbë kontrollin. “Megjithatë, mendoj se ka rëndësi që fëmijët t’i dinë kufijtë e tyre. Nëse ndodh ndonjë gjë, nuk preferoj t’i ndëshkoj, por të bisedoj me ta. Mendoj se fytyra ime e ngrysur mjafton si ndëshkim. Nuk dua që ata t’i kenë disa nga vështirësitë që i pata unë si fëmijë, por megjithatë duhet të dish si ta rregullosh shtratin, t’i lash rrobat dhe të përgatisësh ushqimin. Këto janë aftësi të rëndësishme jetësore. Danny dhe unë jemi një front i përbashkët, sikur që duhet të jetë çdo prind”.

(Kosova Sot)