Si të shkruajmë më mirë?

  • 30 March 2019 - 09:12
Si të shkruajmë më mirë?

Avni Rudaku

Bukurshkruesit humbën ndikimin e tyre me daljen në skenë të teknologjisë informative, futjen e llojeve të shkrimit të çfarëdoshëm në Word dhe dhjetëra programeve të tjera. Bukurshkruesit, kaligrafët e të tjerë, të cilët fitonin shpesh edhe mjete financiare, edhe gjësende shtëpiake në vlera të kohës dhe vendit të tyre, tashmë kanë më pak nga këto favore.

Por nevoja për shkrim të bukur ka rënë, por është shtuar nevoja për shkrime më të mira, më bindëse, më argumentuese dhe më shkencore. Kjo sa i përket shkrimit me karakter akademik, në universitete, në shkolla etj. Nevoja për shkrime më të mira është rritur te politikanët, të cilët kanë nevojë për paraqitje sa më persuative tek elektorati i tyre.

Dhjetëra libra po përkthehen nga gjuhët e huaja, por edhe të botuara nga autorë lokalë kosovarë, lidhur me mënyrat si të shkruajmë më mirë; si të shkruajmë ese; libra për shkrimin akademik; udhëzues praktik për studentët rreth punim seminareve, punim diplomave, punim mastereve dhe punim doktoratave. Edhe në internet, gjejmë qindra sajte se si të shkruhet një fjali kryesore, një paragraf, një ese, një CV, një kërkesë, një plan biznesi, një projekt ideor etj. Në shumë vende të botës, për shkak të zhvillimit global e teknologjik në fushat e arsimimit, janë krijuar lloj-lloj forume ku mësimdhënësit nga vendet e ndryshme të botës, shesin punët e tyre onllajn, e sidomos edhe organizues shkrimi, eseje, paragrafi etj. I ndajnë leksionet e tyre në sllajde e dizajne sa më kreative. Në gjuhën angleze mund të gjeni me qindra shabllone (templlejta) se si bëhet një paragraf përshkrues, krahasues, shpjegues, procesi, argumentues-bindës etj. Ato janë mënyra fantastike të lehtësimit të të procesit të të shkruarit.

Edhe autorët shqiptarë kanë filluar të botojnë libra në gjuhën shqipe se si të shkruajmë më mirë, jo vetëm në gjuhën shqipe, por në forma e zhanre të ndryshme shkrimesh. Ka disa që ngulmojnë se shkrimi nuk mësohet, por lindesh me këtë aftësi. Por literatura shkencore, vetë jeta e përvojat e autorëve të ndryshëm na tregojnë se, edhe shkrimi mësohet. Si është e mundshme që shkrimi të jetë i lindur e gjenetik, ndërsa ne nuk dimë fare shkrim e lexim, por e mësojmë që në klasën e parë e të dytë?! Atëherë si po bëhen të gjithë nxënësit analfabetë 5- vjeçar në shkrues dhe njohës të shkronjave në klasën e dytë e tutje të shkollës fillore?! Nëse ne mësojmë shkronjat, ne mësojmë edhe bashkimin e shkronjave. Nëse mësojmë bashkimin e shkronjave, domosdo do të mësojmë edhe ndërtimin e fjalive kryesore e mbështetëse, që janë të domosdoshme në paragrafë, ese, punime, artikuj shkencorë etj. Nëse ne mësojmë fjalitë, ato i bëjmë bashkë dhe organizojmë paragrafët. Nëse i bëjmë tubë këta paragrafë, ne do të ndërtojmë ese diversive: përshkruese, argumentuese, krahasuese etj. Prandaj, morëm shkas nga përvoja jonë e re, por edhe nga nuhatja e disa vështirësive që hasim te shkruesit e rinj e me përvojë, për të shtjelluar disa propozime se si të shkruhet më lehtë. Cilat janë disa mënyrat më efikase për të shkruar më mirë?

LEXIMI Leximi është çelësi kryesor i të shkruarit. Nuk ka shkrues me përvojë që nuk është në të njëjtën kohë edhe lexues. Nuk mund të shkruash pa lexuar, pa u informuar, pa qenë në rrjedha, pa parë se çfarë kanë shkruar të tjerët dhe çfarë të shkruajmë ne. Nuk mund të dimë për çfarë ka nevojë më shumë të shkruhet, nëse nuk e dimë edhe tregun e shkrimeve e preferencat e sotme të audiencës e lexuesit. Leximi është mbushje e baterisë për të shkruar. Të jesh shkrues do të thotë të jesh një lexues i mbingarkuar me informata, dije, njohuri dhe keni nevojë t'ia ktheni "tepricën" lexuesve të tjerë. Shkruesi duhet të jetë lexues, në mënyrë që të mos e paraqes një produkt të tij si një zbulim a shpikje të madhe të tij, e të bëhet qesharak në sytë e lexuesit, pasi që është stërthënë dhe shumë kohë para tij, të tjerët e kanë përmendur e stërpërmendur. Leximi ndihmon shkruesin të jetë edhe tërheqës, edhe bindës, argumentues, kreativ. Lexuesi mund të jetë edhe peng i ideve të tjerëve, vetëm në rast se nuk distancohet nga autorët që lexon, por aq shumë entuziazmohet me atë që kanë shkruar të tjerët pas leximit, sakaq përhumbet, idolatron dhe adhuron autorë të caktuar. Në raste të tilla, që janë më të rralla, shkruesit janë më shumë të pasionuar për një autor, sesa shkrues të vërtetë. Lexuesi duhet patjetër ta mbajë një distancë të caktuar me çdo autor dhe ta dallojë sikurse shkruante dikur Erih Fromm: mendimin prej pseudomendimit, idenë prej pseudoidesë.

Nëse juve ju pëlqen një ide e mendim i një autorit dhe me kalimin e kohës, për shkak se ju ka pëlqyer mendimi apo ideja e atij apo asaj autoreje, atëherë gjasat janë që pavetëdijshëm ta inkorporoni mendimin e dikujt tjetër, duke e përvetësuar sikur të ishte mendimi i juaj. Lexuesit sistematikë apo model, kanë gjasa që të bien në këto kurthe, por me një vetëreflektim e vetëdijesim, mund ta përmirësojnë dhe shmangin një situatë të tillë të identifikimit të plotë me autorin gjatë dhe pas leximit. Një psikolog thoshte se identifikimi është asimilim i tipareve individuale. Fakti që fëmija identifikohet në fazën e caktuar të zhvillimit të tij, me babain apo nënën, atëherë i bie se fëmija nuk po ka mendim personal e unik, as veshje e stil, por po e sheh se si mendon apo vishet babai e nëna, dhe po identifikohet me ta, duke e përvetësuar në totalitet. Sidoqoftë, të jesh një shkrues, para së gjithash duhet të jesh edhe një lexues, por jo lexues i identifikuar qind për qind me autorët; as imitues i verbër. Të jesh një shkrues i mirë, do të thotë të mësohesh me durim e maturi, për shqyrtim të serishëm të drafteve tuaja. Shkruesi më i mirë është edhe personi që i rikthehet dhe ka durimin për ta rishqyrtuar nga fillimi atë që vetë e ka shkruar. Ne sot jetojmë në epokën kur shkrimit nuk i kthehen aq shkruesit, prandaj kemi shkrime me aq shumë përsëritje, frazeologji të thata, tautologji, ngatërrime formulimesh gjuhësore e ideore etj. Shkruesi i mirë është edhe durimtar për shkrimet e tij. I kthehet herë pas herë shkrimeve dhe tekstit të shkruar. Të jesh një shkrues i mirë është e rëndësishme edhe të lexosh mbi vetë procesin e të shkruarit. Ka shumë prova se një shkrues i mirë, që lexon libra mbi vetë procesin e të shkruarit, do të mësojë teknika të reja, s'do të përsërisë shumë fraza; do të shmang disa gabime që i bën shpesh dhe pa i vënë re; do të mësojë organizimin më të thuktë fjalive mbështetëse e kryesore; do të shmang fjalët e tepërta e mbytëse. Shkruesit e mirë ndajnë paragrafët në tekstet e tyre dhe nuk e stërlodhin lexuesit. Shkruesit e mirë shqetësohen edhe për dukjen teknike të shkrimit të tyre, e jo vetëm për përmbajtjen.

Fakti që ne jemi lexues dhe duhet ta angazhojmë të parit në këtë proces intelektual, i bie që është shumë e rëndësishme edhe fizikusi i shkrimit apo tekstit. Shkruesit e mirë i ngjasojnë qëndisëve e të rrobave. Edhe nga vetë gjuhët e vjetra, teksti, ka kuptimin e qëndisjes, tjerrjes. Jo rastësisht në gjuhën shqipe, kemi pasur rastin të dëgjojmë për një tekst, kur thuhet: E ka thur mirë! Tekst i qëndisur mirë! Tekstili vjen nga teksti, pra tjerrje, qëndisje, qepje. Qëndisja e shkrimit varet nga gjendja emocionale e shkruesit, fondi i fjalëve që shfrytëzon gjatë tjerrjes një autor, shpirtgjerësisë universale të autorit etj. Shkruesit e mirë duhet të gjejnë si ta kthejnë për vete lexuesin e varur nga teknologjia që ka zhvilluar videot, imazhet, rrjetet sociale dhe videolojërat. Sot shkruesve të mirë u kërkohet të jenë të ngjashëm me "statusin" e fejsbukut, "cicërimat" e zogjve, sa më të shkurtër, ndërsa shkruesit e mirë udhëheqin masat drejt rrugëve të reja. Shkruesit e mirë hulumtojnë tregun sikur një tregtar i suksesshëm. Nuk ka mundësi të jeni shkrues tërheqës, nëse nuk prekni "nervin e kohës", t'i "qani" hallet e shoqërisë dhe të individit të kohës që po jetoni; ose të ngacmoni për të ardhmen se si do të mund të dukej një shoqëri, sepse kështu u përgjigjeni fantazisë së bashkëkohësve, të cilët po ashtu hamendësojnë se si do të duket bota. Shkruesit e mirë janë mendues të thellë, por edhe praktikë. Nëse shkon mendimi deri në thellësitë e jetës, filozofohen aq imtësisht, gjasat janë që lexuesit e profilizuar e të rrallë, t'ju lexuakan, por të tjerët, duan edhe përgjigje më konkrete që presin. Nuk duan më të zhyten e të vijnë pas jush, nëse i çoni në stërlodhje. Nuk duan që të t'ju kuptojnë me rrotulla, por më direkt etj. Shkruesit e mirë nuk janë vetëm mendues të thellë, por jetues, praktikues, njohës të problemeve konkrete. Në një libër që kam lexuar, më është duk fantastik thënia e një autorit: Gjasat janë që termi "filozofi" është tjerrje hollë. Këtë origjinë të fjalës e gjente në gjuhët e Lindjes së Mesme, por ndërlidhej edhe me etnopsikologjinë shqiptare, kur thuhet në përditshmëri: Mos e tjerr hollë!, në rastet kur diçka stërzgjatet e stërmundohet lexuesi me llojlloj abstraksioni, e sidomos për gjërat që tashmë dihen, janë konkrete, lëndore, materiale e të prekshme.

Shkruesit e mire janë tjerrësit e mirë, por jo domosdoshmërisht ta tjerrin aq hollë, sa ta "këpusin perin"! Shkrimi edhe mësohet, edhe kultivohet, edhe ushtrohet. Shkrimi mësohet edhe duke lexuar për shkrimin. Shkrimi mësohet edhe si statistika e matematika, vetëm nëpërmjet ushtrimit. Nuk mësohet shkrimi duke dëgjuar profesorin, por duke shkruar e duke stërvitur në fleta pune me profesorin. Duke hulumtuar e duke qenë të durueshëm të lexoni mënyrat më të mira se si shkruhet lloji i tekstit të caktuar, se si t'i drejtohemi audiencave të ndryshme etj. Fund

(Kosova Sot)