A ka Kosova tekstshkrues dhe kompozitorë të mirëfilltë?

  • 31 March 2019 - 22:28
A ka Kosova tekstshkrues dhe kompozitorë të mirëfilltë?

DISA EMRA JANË BËRË TË NJOHUR NË TROJET SHQIPTARE

Emra: Disa tejkalojnë nivelin lokal, janë të kalibrit botëror

Tekstshkruesit dhe kompozitorët luajnë rol kyç që një këngë, pavarësisht zhanrit, të jetë në nivelin e dëshiruar, që një këngëtar ta interpretojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në shumë intervista për televizionet shqiptare, kemi dëgjuar nga vetë këngëtarët, se në trojet shqipfolëse ka mungesë të theksuar të tekstshkruesve dhe kompozitorëve të mirëfilltë. Tash e sa vite në tregun muzikor shqiptar vazhdojnë të mbeten aktualë emrat e Ilir Beranit, Aida Barakut, Armend Rexhepagiqit, Florent Boshnjakut, Nexhat Mujovit - Virusit, Fatmir Mujës, Arsim Bunjakut, Naim Krasniqit etj., pa harruar edhe Flori Mumajesin, i cili sot është ndër më të kërkuarit nga artistët shqiptarë.

EMRA: KEMI EDHE KOMPOZITORË TË TJERË NË NIVEL TË LARTË

Image

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", këngëtari Neki Emra ka potencuar se sa u përket tekstshkruesve, deri tani ka pasur bashkëpunim me disa te ndryshëm, me të cilët ka qenë i kënaqur shumë. "Po të kisha më shumë tekste, mendoj që do të kisha kompozuar edhe vetë me shumë. Unë jam i lumtur që nga fillimi i karrierës sime kam bashkëpunuar me Florent Boshnjakun, i cili është nivel shumë i lartë i kompozitorit dhe producentit. Pra, Florenti e tejkalon nivelin vendor, lirisht mund të konkludojmë , mund ta cilësoj edhe nivel botëror duke marrë parasysh edhe çmimet ndërkombëtare që i ka marrë. Jam falënderues që gjithmonë i ka tejkaluar pritshmëritë e mia. Por, mendoj që në vend kemi edhe kompozitorë të tjerë në nivel të lartë. Sa u përket tekstshkruesve, deri tani kam pasur bashkëpunim me disa të ndryshëm, me të cilët kam qenë i kënaqur shumë. Po të kisha më shumë tekste, mendoj që do të kisha kompozuar edhe vetë më shumë. Për tekste mund të them që kam nevojë pak më shumë sesa që kam pasur deri tani. Dhe, me produksione jemi në nivel të lartë, mendoj", ka theksuar Emra për gazetën "Kosova Sot".

KASTRATI: MENDOJ SE KA KOMPOZITORË SHUMË TË MIRË

Image

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", këngëtarja Mima Kastrati është shprehur se në Kosovë ka kompozitorë shumë të mirë, duke shtuar se ka pasur rastin të punojë me disa, ndër ta veçon Naim Krasniqin, Reshat dhe Andin Randobravën, Armendin dhe Aida Rexhepagiqin, Florent Boshnjakun etj. "Unë mendoj se ka kompozitor shumë të mirë, kam pasur rastin të punoj me disa, ndër ta mund ta veçoj Naim Krasniqin, Reshat dhe Andin Randobravën, Armendin dhe Aida Rexhepagiqin, Florent Boshnjakun etj. Vetë emri produksion në Kosovë është një pikëpyetje e madhe, për fat të keq. Mendoj se produksion me plotë kuptimin e fjalës nuk ka fare në Kosovë, ka vetëm shitës të CD -ve, te cilët thirren në emër të produksioneve!?"

DAUTI: KA EMRA QË KANË VESHË PËR MUZIKË DHE JANË TË TALENTUAR

Image

Këngëtarja Dafina Dauti, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka deklaruar se deri sot ka realizuar shumë këngë dhe fatmirësisht është ndarë e kënaqur me punën që e ka bërë me secilin prej bashkëpunëtorëve. "Padyshim, po! Është fat që në një shoqëri të vogël si e jona, edhe pse ndoshta me këngëtarë shumë, ka emra që kanë veshë për muzikë dhe janë të talentuar, si në shkrimin e teksteve, komponimin e këngëve dhe janë të gatshëm ta realizojnë pothuajse në tërësi atë që e mendon për atë projekt! Unë deri sot kam realizuar shumë këngë dhe fatmirësisht jam ndarë e kënaqur me punën që e kam bërë me secilin prej bashkëpunëtorëve dhe jam falënderuese ndaj tyre. Uroj që të dalin në pah akoma më shumë njerëz që e duan vlerën artistike dhe që prodhojnë art", është shprehur ajo.

GJINOLLI: KA KOMPOZITORË TË MIRË DHE NJËKOHËSISHT KA EDHE KËNGËTARË TË MIRË

Image

Sipas këngëtarit Dardan Gjinolli, ka kompozitorë të mirë dhe njëkohësisht ka edhe këngëtarë të mirë. "Sa u përket këngëve, të gjitha këngët deri më sot i kam punuar vetë, por në vitin e fundit kam bashkëpunim shumë të ngushtë me mikun tim Hekuran Krasniqi, studio "by Heki", ku ai është kujdesur për këto këngët e fundit. Po ashtu, vlen ta përmend edhe studion "Massive", Granit Gashin, ku e ka punuar këngën "Ajo", duet me Labinot Rexhën. Andaj, përfundimisht ka kompozitorë të mirë dhe njëkohësisht ka këngëtarë të mirë, më shkurt lum ne që jemi kosovarë-shqiptarë", është shprehur Gjinolli për gazetën "Kosova Sot".

Armend Preteni

(Kosova Sot)