Një vepër me vlerë akademike realiste

  • 06 April 2019 - 08:39
Një vepër me vlerë akademike realiste

Sofistikimi dhe retushimi i historisë akt i rëndë tradhtie për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë Etnike

NT: Akademikët e mirëfilltë, të ditur, patriotë dhe të guximshëm që pohojnë, e shkruajnë dhe e mbrojnë të vërtetën si vlerë, si parim dhe si kriter universal (shkencëtarë, poetë dhe shkrimtarë) janë ZËRI I PARË I VIOLINËS për liri, për drejtësi, për barazi, për humanizëm, për paqe dhe për pohimin dhe për mbrojtjen e së vërtetës në të gjitha rrethanat e kohës

Kjo vepër shumë e vlefshme për ndriçimin e së vërtetës se kush e sabotoi dhe kush i vuri kapak të çeliktë shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme gjithëshqiptare për mbrojtjen e Kosovës nga terrori dhe nga gjenocidi serb (1989-1999), deri tani, do të duhej të ishte ribotuar të paktën 20 herë, që nga botimi i saj i parë në Tiranë, më 1999, sepse përmbajtja e saj, e analizuar dhe dokumentuar në mënyrë plastike ( pa rënë në gracka të subjektivizmit dhe në “grazhde” bajraktarësh, mafiozësh dhe lordësh të grupeve dhe të partive të ndryshme) nxori në shesh të vërtetën e zhveshur historike, politike, kombëtare, se cilët ishin faktorët kryesorë që gjatë një dekade të plotë (1989-1999) kanë minuar dhe sabotuar çdo përpjekje të LPK-së dhe të LKÇK-së për të krijuar celulat dhe infrastrukturën e tyre të veprimit ilegal të armatosur në Kosovë.

Një luftë e tillë politiko-propagandistike sabotuese bëri që të mos krijohej celula unike ushtarako-politike mbarëkombëtare për çlirimin, për shpëtimin, për mbrojtjen dhe për pavarësimin e Kosovës. Ky ishte fataliteti politik dhe ushtarak, sepse Tirana dhe Prishtina nuk u angazhuan dhe nuk bënë kurrfarë përpjekjeje që ta njësojnë faktorin politik dhe ushtarak, duke e futur nën “ombrellën” shtetërore të Republikës së Shqipërisë. Me një fjalë, LUFTA PËR PUSHTET ME ÇDO KUSHT, PLAÇKA, DHUNA, KRIMI, TERRORI, PËRÇARJA, URRJETJA, TRADHTIA DHE ARMIQËSIA ishin shkaktarët kryesorë, që u dogj dhe u shkretua Kosova, u masakruan e u vranë më se 12 mijë shqiptarë, u dhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare, si dhe u dëbuan mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova.

Si rrjedhim, i një politike të tillë tragjike dhe të gabuar dolën në skenë grupe individësh të papërgjegjshëm me ambicie dhe me pretendime, që të vepronin jashtë suazave institucionale dhe ligjore të Shqipërisë për ta privatizuar, personalizuar, sabotuar dhe komprometuar luftën çlirimtare kombëtare të UÇK-së, me qëllim që, me dhunë, me manipulime dhe me dezinformime deri tek ushtrimi i strategjisë së frikësimit dhe i eliminimit fizik të oponentëve politikë dhe ushtarakë, të merrnin kontrollin e zinxhirit komandues të UÇK-së në kohë lufte, dhe me çdo kusht, që të kapnin levat e pushtetit shtetëror në kohë paqeje deri në eliminimin fizik të oponentëve të tyre politikë (2000-2019).

Bastardimi i së vërtetës

Nuk ka asnjë dilemë se ata që janë të prirë dhe të paguar për ta shtrembëruar historinë kombëtare shqiptare, nuk mund të quhen as liderë politikë, as shkencëtarë, as patriotë, as humanë, as të drejtë, as demokratë e as altruistë , por vetëm hyzmeqarë dhe kolaboracionistë të mjerë, që për xhep, për pushtet, për karrierë dhe për pasuri e sofistikojnë, e shesin dhe e bastardojnë të vërtetën si vlerë universale. Së këndejmi, pse të mos thuhet, të mos shkruhet dhe të mos pranohet e vërteta se lindja e faktorit militant në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi (1945-1999), ishte produkt i drejtpërdrejtë i ideologjisë dhe i propagandës kombëtare revolucionare të Shqipërisë së Enver Hoxhës, e cila gjatë kohës së tij derisa ishte gjallë (1985), pa dyshim se pati ndikim të madh dhe kontribuoi direkt dhe indirekt në krijimin e ideologjisë politike dhe të patriotizmit të bërthamave ilegale të militantëve revolucionarë të të gjitha gjeneratave, duke filluar që nga Adem Demaçi deri tek Adem Jashari (1958-1999).

Një strategji e tillë kishte karakter pozitiv, sepse lufta nuk bëhej vetëm nga një grup, nga një parti për një fshat, për një qytet, për një zonë dhe vetëm për Kosovën, por për gjithë territorin e Shqipërisë Etnike. Mirëpo, edhe pse kjo luftë nuk kishte vetëm karakter lokal dhe provincial (por, shumë më të gjerë “për t’i dalë zot tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për t’i parë storjet etnike shqiptare të bashkuara me një qeveri, me një politikë dhe me një ushtri të përbashkët kombëtare dhe shtetërore të Shqipërisë Etnike “), politika dhe diplomacia e Tiranës nuk e ndihmoi ushtarakisht, por e sabotoi, duke i mbështetur grupimet e ndryshme politike dhe militante të Kosovës, të cilat për përfitime të tyre materiale dhe mafioze, me qëllim të kapjes së UÇK-së dhe më pas, edhe të pushtetit në kohë paqeje , duke shfrytëzuar kontributin dhe frytet e UÇK-së, tanimë janë bërë milionerë (2000-2019). Këtë, koha e provoi se, ky ishte motivi kryesor dhe “ideali e patriotizmi” i “lordëve” në kohë lufte dhe në kohë paqeje-interesi egoist, nepotist, ideologjik, partiak, mëhallor dhe krahinarist, virusi epidemik i luftës për pushtet, paraja, plaçka, dhuna, krimi i organizuar, shfrytëzimi, shtypja dhe nënshtrimi i egër i popullit.

Kjo është e vërteta historike dhe politike, pavarësisht nga ndryshimi i rrethanave të sistemit politik dhe shoqëror të Shqipërisë (1990-2019). Kjo është temë tjetër më vete dhe për vete, që nuk ka asnjë lidhje me rrugën dhe me veprimtarinë e ilegales politike dhe ushtarake revolucionare nga e cila doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Kjo ideologji ishte faktori kryesor politik dhe ushtarak që bombardoi logjikën e sëmurë projugosllave dhe praktikën e gabuar në shërbim të robërisë shekullore serbomadhe (1912-1999), duke shkëputur përgjithmonë zinxhirin e kohezionit të vetëkapitullimit, të vetëmashtrimit dhe të vetënënshtrimit nën prangat e sundimit të egër kolonial dhe gjenocidal të Serbisë së Madhe. Kjo histori është e shkruar me gjakun e shumë dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike.

Pavarësisht nga interesat e politikës dhe të biznesit ditor 30-vjeçar të tregut të lirë, të korrupsionit, të krimit të organizuar, të “lulëzimit” të trafikut të kanabisit dhe të tregtimit të qenieve të gjalla, të shfrytëzimit të plaçkitjes, të varfërimit, të papunësisë dhe të pasigurisë së popullit (1990-2019) nga ana e liderëve të ndryshëm, që përligj sistemet politike të rendit demokratik parlamentar në Ballkan, shkencëtarët e kanë për detyrë, që ta “regjistrojnë” dhe ta mbrojnë vetëm të vërtetën e djeshme dhe të sotme, pavarësisht nga kritikat dhe ofendimet e politikës ditore antidemokratike, antiligjore, antihumane dhe antikombëtare qoftë në kuptim të ngushtë apo të gjerë.

Me një fjalë, ajo çfarë ka ndodhur dje, duhet të shkruhet dhe të dokumentohet ashtu siç ka ndodhur në realitet dikur (pa asnjë retushim), e, ajo që ndodh sot, po ashtu, duhet të shkruhet me vërtetësi nga këndvështrimi i sotëm jo nga prizmi i së kaluarës, duke e gërshetuar në simetrinë e dialektikës së bashkëveprimit të faktorëve të sotëm politikë, ideologjikë, ekonomikë, demokratikë, pozitivë apo negativë, sepse ajo nuk ka të bëjë me trajtimin dhe me pasqyrimin e së vërtetës shkencore të historisë e as të politikës, por me pseudoshkencën, me historicizmin dhe me diletantizmin politik, që mjegullon dhe shpërfytyron të vërtetën si vlerë universale.

Akademik i merituar mund të bëhesh edhe me një vepër

Ata që e fshehin të vërtetën (për të krijuar idhuj, filozofë dhe heronj të paqenë, si dhe kulte individësh të imagjinuar për të jetuar dhe përfituar vetë dhe familjet e tyre në kurrizin e tyre) dhe, që në forma të ndryshme perfide dhe të rafinuar - “tebdilë si barinj” të Fan S. Nolit, luftojnë për t’i përmbushur dhe realizuar interesat e tyre meskine dhe të mjera antishkencore, antikombëtare dhe antiatdhetare sipas formulës së njohur romake divide et impera, duke u rreshtuar dhe anuar në grupet të ndryshme të interesit qoftë politike, ekonomike, tregtare, ideologjike dhe religjioze…etj., pa dyshim se e dëmtojnë dhe e vrasin të vërtetën, lirinë, humanizmin, drejtësinë, demokracinë, parimin, altruizmin dhe paqen mes njerëzve jo vetëm brenda “grixhës” së vet, por edhe në dimensione ndërkombëtare.

Prandaj, ky farë “damazllëku” i akademikëve nuk e ka vendin as në akademi, as në univeristet, as në presidencë, as në parlament e as në qeveri, por vetëm në Gullagun e Stalinit dhe në Goli Otokun famëkeq të Titos. Sepse ata që e falsifikojnë të vërtetën historike të arrirave të një kombi (duke identifikuar dhe personalizuar veten më të ditur dhe më të vlefshëm sesa të të gjitha vlerat e një kombi) dhe, që e fshehin nga populli dhe, që mbi baza ideologjike, provincialiste, partiake, mafioze, religjioze e përçajnë popullin, ata nuk janë akademikë, por armiqtë më të rrezikshëm dhe më të dëmshëm të kombit dhe të atdheut shqiptar.

Akademikët e mirëfilltë, të ditur, patriotë dhe të guximshëm që pohojnë, e shkruajnë dhe e mbrojnë të vërtetën si vlerë, si parim dhe si kriter universal (shkencëtarë, poetë dhe shkrimtarë) janë ZËRI I PARË I VIOLINËS për liri, për drejtësi, për barazi, për humanizëm, për paqe dhe për pohimin dhe për mbrojtjen e së vërtetës në të gjitha rrethanat e kohës. Me një fjalë, elita e mirëfilltë akademike është OPOZITA më e fuqishme dhe më e pakompromis kundër çdo padrejtësie, çdo devijimi të shoqërisë dhe, kundër çdo sundimi të egër të regjimit të padrejtë, antidemokratik dhe antipopullor të një vendi. Akademik i merituar mund të bëhesh edhe me një vepër, me një Projekt ose me një Platformë, që është me vlerë antologjike dhe me interes jetik shkencor, kombëtar, atdhetar dhe ndërkombëtar, jo me shumë sasi bërlloku, që e kontaminon shkencën, e pluhuron, e murkullon dhe e shtrembëron të vërtetën, drejtësinë, lirinë dhe humanizmin si vlera universale. Për asi akademikësh (të institucionalizuar, me gishta, me ryshfete, me paterica dhe me shtysa të ndryshme nepotiste, grupazhiste dhe sektariste ), që nuk guxojnë ta thonë, as ta shkruajnë e as ta mbrojnë të vërtetën nga “padronët” dhe nga sponsoruesit e tyre partiakë, klanorë dhe mafiozë, nuk ka nevojë asnjë shkencë, asnjë komb dhe asnjë shtet në botë.

Këtë filozofi të mjerimit intelektual akademik e dëshmon edhe përçarja e popullit sipas interesave të liderëve politikë dhe, sipas “shijes” dhe “rekrutimit” nëpër parti, firma, kompani, biznese dhe koalicione të ndryshme politike dhe tregtare. Përkundrazi, kombi shqiptar ka nevojë për akademikë të njëmendtë siç është edhe Prof.Dr. Muhamet Kelmendi, i cili me botimin e veprës së tij me vlerë të lartë kombëtare dhe shkencore objektive: “PSE NUK U NDËRTUA FRONTI PË ÇLIRIMIN E KOSOVËS”, botuar në Tiranë, më 1999, qe 20 vjet, do të duhej të kishte qenë anëtar i akademisë së shkencave qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, sepse është i vetmi autor shqiptar, i cili gjatë 20-vjeçarit të shkuar, në mënyrë të dokumentuar me fakte dhe me argumente të qëndrueshme që ka shkruar të vërtetën e pakundërshtueshme se kush e ka sabotuar shpërthimin e kryengritjes së armatosur gjithëshqiptare për ta shpëtuar Kosovën nga terrori dhe nga gjenocidi vdekjeprurës i Serbisë çetniko-fashiste pushtuese të kryekriminelit Slobodan Milosheviq.

LPK-ja dhe LKÇK-ja, fidanishte bazë e UÇK-së!

LPK-ja nuk e ka penguar as sabotuar krijimin e “Frontit për Çlirimin e Kosovës”, as nuk e ka vrarë UÇK-në, por dezertorët dhe minuesit e saj kolaboracionistë për pushtet, për karrierë, për para dhe për pasuri ! Këtë të vërtetë e gjejmë të analizuar hollësitë me fakte dhe me argumente të dokumentuara në përmbajtjen e librit me titull “Pse nuk u ndërtua Fronti për Çlirimin e Kosovës”, të shkruar nga autori Muhamet Kelmendi (1999). Edhe pse kanë kaluar 20 vjet qëkur është botuar ky libër, që në hollësi me fakte dhe me argumente të qëndrueshme flet për shkaqet, për rrethanat dhe për faktorët konkret, që drejtazi dhe zhdrejtazi kanë ndikuar dhe penguar mosndërtimin e “Frontit për Çlirimin e Kosovës” (1989-1999), vlera e tij historiko-politike dhe kombëtare është aktuale edhe sot (2019), do të jetë edhe nesër, edhe pasnesër, sepse pa leximin studioz dhe të vëmendshëm të këtij libri, opinioni gjithëkombëtar shqiptar, kurrë nuk do të mund të mësojë të vërtetën objektive se kush e përçau, kush e copëtoi dhe kush e sabotoi faktorin e brendshëm politik dhe ushtarak në Kosovë, me qëllim që të mos krijohej “Fronti për Çlirimin e Kosovës”(1989-1999), përkatësisht me qëllim që Kosova të mbetej nën Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale. Autori Muhamet Kelmendi këtë vepër e ka konceptuar në pesë kapituj, duke u bazuar në dokumente të shumta me vlerë, që me vërtetësi pasqyrojnë zhvillimin e ngjarjeve politike në Kosovë dhe rreth saj, gjatë një dekade të plotë, kur Kosova përjetonte çastet më të rënda në historinë pas Luftës së Dytë Botërore, duke qenë se Serbia gjenocidale me forcë ushtarake, me terror dhe me gjenocid ripushtoi Kosovën (1989-1999).

Për të shpëtuar nga një tragjedi e tillë kombëtare, nevojitej organizim politik, diplomatik dhe ushtarak në shkallë mbarëkombëtare (ashtu siç parashikonte edhe LPK-ja me Platformën e saj për formimin e Frontit për Çlirimin e Kosovës). Mirëpo, kjo strategji e organizimit dhe e bashkimit të të gjitha forcave dhe të subjekteve politike, diplomatike dhe ushtarake shqiptare për ta shpëtuar dhe për ta çliruar me forcë Kosovën nga pushtimi gjenocidal serb nuk u arrit, pikësëpari për shkak të përçarjes dhe të dështimit të faktorit politik brendashqiptar, për shkak të interesave heterogjene të grupeve, të klaneve dhe të partive të ndryshme politike, të cilat interesat e tyre mafioze dhe kriminale të luftës për pushtet dhe për pasuri ( me çdo kusht deri edhe në eliminimin fizik të oponentëve politikë dhe ushtarakë, si dhe në shkatërrimin e plotë të LPK-së) i kishin vënë mbi interesat vitale shtetërore dhe mbi interesin e përgjithshëm të kombit dhe të atdheut, duke e braktisur në zjarrin e gjenocidit të Serbisë së Slobodan Kosovën dhe 2 milionë e gjysmë shqiptarë në flakën dhe Milosheviqit.

Prandaj, pa lexuar dhe studiuar vëmendshëm dhe me objektivitet librin e Prof.Dr.Muhamet Kelmendit, “ Pse nuk u ndërtua Fronti për Çlirimin e Kosovës” ( vepër kjo me përmbajtje dhe me vlerë të lartë historiko-politike,ë kombëtare dhe patriotike), nuk mund të mësohet dot e vërteta se kush, kur dhe, për ç’arsye e shkatërroi dhe e komprometoi LPK-në në sy të popullit, si dhe kush e sabotoi dhe e vrau UÇK-në, në momentin më kritik dhe më tragjik, kur në Kosovë bëhej luftë për jetë a vdekje (1989-1999). Ky libër duhet ribotuar dhe mbajtur mend, në mënyrë që, sot e as nesër të mos na përsëritën gabimet e tilla nga sektaristët, tradhtarët dhe marionetat kolaboracionitse që të huajve u shërbejnë si mercenarë dhe hiqen si “miq” e “lojalë” të tyre, kurse në popull gjithmonë shiten si “patriotë”, por në praktikë bëjnë punërat e dreqit kundër interesave jetike të kombit dhe të atdheut shqiptar. Mjerisht, shembuj të tillë negativë dhe armiqësorë njihen që nga epoka e lavdishme e luftërave të Skënderbeut deri te lufta e fundit e UÇK-së së Adem Jasharëve, të Zahir Pajazitëve, të Agim Ramadanëve, Adrian Krasniqëve, të Ilir Konushevcëve…,të qindra e mijëra heronjve dhe dëshmorëve të tjerë të rënë dhe të gjallë, të cilët asgjë nuk kursyen, që Kosova të bëhej e lirë dhe e pavarur nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale.

(Kosova Sot)