“Kush livrit, ka me hupë!”

  • 06 April 2019 - 08:50
“Kush livrit, ka me hupë!”

Imagjinojeni sikur India të interesohej për pakicën e tyre rome në Kosovë e gjetiu

Shumë dasma para luftës dhe menjëherë edhe pas luftës, janë realizuar edhe nën tingujt e daulleve nga romët. Romët kanë bërë shumë muzikë në kohën e Jugosllavisë e ku janë argëtuar edhe shqiptarët. Pas luftës, daullexhinj nëpër dasma e për paralajmërim të iftareve islame, i kemi parë të jenë edhe shqiptarë, por “u piqen kandilat-u piqen kompirat!” gjatë muajit të Ramazanit, më së shumti kemi parë daullexhinj romë

Romët, si bashkëqytetarë tanë, në aspektin kulturor i njohim më së shumti me daullet e tyre dhe muzikën e ashtuquajtur “tallava”. Gjuhën e tyre më së paku e njohim. Në përgjithësi, pas luftës në Kosovë, është fatkeqësi që nuk ka programe më stimuluese për të rinjtë, që të njohin gjuhët e të gjitha komuniteteve. Jetojmë në një hapësirë të përbashkët dhe nuk njohim gjuhën e njëri-tjetrit, sa do të mundnim.

Do të ishte pasuri e madhe individuale e kombëtare, nëse do të zotëronim po aq shumë gjuhë sa kemi edhe komunitete në Kosovë. Imagjinoni të njihni përveç gjuhës shqipe dhe angleze, edhe gjuhën serbe, turke e rome! Imagjinoni fëmijët romë teksa hanë ëmbëlsira sikur fëmijët e tjerë shqiptarë e të tjerë në një ëmbëltore dhe më pas shkojnë së bashku në një shfaqje teatrore për fëmijët apo në një kinema me film të tematikës për moshën e tyre! Imagjinoni një profesor rom teksa jep lëndën e psikologjisë në Universitetin Publik të Prishtinës!

Imagjinoni teksa një grua rome është në një institut të përbashkët shkencor me një grua tjetër shqiptare! Imagjinoni një politikan rom teksa flet për hapësirat e gjelbëruara të qytetit dhe nuk i nevojitet të flas vetëm për problemet e varfërisë dhe analfabetizmit të komunitetit të tij! Për shkak të afrimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, më 8 prill, le të jetë një kolumne që i dedikohet kulturës dhe gjuhës rome, dhe dëshirës që sa më parë t’i reduktojmë stereotipat për ta!

Identiteti kulturor-gjuhësor i romëve

Në një dokument të përgatitur dhe adresuar në vitin 2018, siç thuhet për anëtarët dhe stafin e Parlamentit Evropian, si dhe për të ndihmuar punën e tyre parlamentare, me autore Magdalena Pasikowska-Schnass, në kuadër të Shërbimit të Hulumtimit Parlamentar Evropian, lidhur me 8-prillin, shkruhet:“8 prilli u shpall Dita Ndërkombëtare e Romëve në Kongresin e parë Botëror të Romëve, organizuar nga Comité International Rom (CIR) në Londër në vitin 1971. Kongresi i vitit 1971, i cili ishte përpjekja e parë e romëve për bashkëpunim ndërkombëtar, gjithashtu krijoi flamurin dhe himnin e romëve.

Ky i fundit ishte i njohur zyrtarisht vetëm në vitin 1990, gjatë Kongresit të katërt Botëror të Romëve në Varshavë, kur ishte pranuar nga romët çekë dhe sllovakë, të cilët tashmë kishin himnin e tyre, të bërë në Auschwitz ku shumë u shfarosën. Pjesëmarrësit e kongresit gjithashtu vendosën të zëvendësojnë disa terma, të tillë si "ciganë", të cilët po përdoreshin gjerësisht në Evropë, pavarësisht konotacioneve të tyre negative, me termin "romë".” (Shih dokumentin në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian) Nga i një krua i njëjtë i informacionit për romët, rreth të dhënave statistikore mbi shpërndarjen e tyre, jepet edhe ky informacion i vlefshëm për ta ndarë: “Rom është emri i përgjithshëm i dhënë për një popullsi që përfshin grupe të tjera, të tilla si Sinti, Manouche, Romiche dhe Kale, të shpërndara në të gjithë botën.

Së bashku, numri i romëve është 10-12 milion njerëz. Rreth 6 milionë jetojnë në BE, ku përfaqësojnë pakicën më të madhe, që varion nga 9.9% e popullsisë në Bullgari, 9% në Sllovaki dhe 8.6% në Rumani, në 0.1% në Gjermani dhe 0.2% në Itali. Në përgjithësi, romët janë shumë të diskriminuar dhe vuajnë nga stereotipa negative; nivelet e larta të varfërisë dhe papunësisë, edukim të varfër dhe privimi me të cilin përballen janë shpesh të ngjashme me ato që përjetohen në vendet më të varfra të botës.” (po aty) Ajo që i veçon me identitetin e tyre kulturor-historik edhe për studiuesit, edhe për adhuruesit e diversitetit kulturor, është e veçanta e gjuhës rome: “Romanishtja apo romani është një gjuhë diasporike që është folur në Evropë që nga Mesjeta; si e tillë, është i vetmi varietet Indo-Arian, i folur jashtë nën-kontinentit indian.

Gjithashtu referohet edhe si 'gjuhë jo territoriale', ashtu si Jidishja, gjuha e pakicës hebreje në Evropën qendrore dhe lindore. Ndërsa shfarosja naziste shkatërroi romët dhe popullatat hebraike në Evropë, mbijetesa e gjuhëve të tyre ishte gjithashtu e rrezikuar. Sipas Atlasit të UNESKO-s të Gjuhëve të Botës në Rrezik, romanishtja është 'e rrezikuar rëndë', për shembull, në Bullgari dhe Kroaci, dhe 'patjetër të rrezikuara' në Greqi, Itali, Francë, Poloni dhe Rumani.” (Po aty)

Muzika rome para dhe pas luftës

Pothuajse, shumë dasma para luftës dhe menjëherë edhe pas luftës, janë realizuar edhe nën tingujt e daulleve nga romët. Romët kanë bërë shumë muzikë në kohën e Jugosllavisë e ku janë argëtuar edhe shqiptarët. Pas luftës, daullexhinj nëpër dasma e për paralajmërim të iftareve islame, i kemi parë të jenë edhe shqiptarë, por “u piqen kandilat-u piqen kompirat!” gjatë muajit të Ramazanit, më së shumti kemi parë daullexhinj romë. Nëse ka një stereotip që është pozitiv për romët, është i lidhur me muzikën: përveç elitës muzikore, shumica e konsiderueshme e dëgjuesve të muzikës, e pëlqejnë edhe muzikën rome.

Vetëm disa që e konsiderojnë veten shumë të kultivuar në shije muzikore, apo edhe e konsiderojnë veten “nacionalistë të rreptë shqiptarë”, e përqeshin shpesh muzikën rome, duke kaluar edhe në shprehje apo shkarje raciste të tipit: “Shih ku kemi arritur, shqiptarët duke huazuar muzikë rome!”; “Shih muzikën tallava, e kanë përzier muzikën rome me tingujt e bukur të muzikës së pastër shqipe!”. Ndonjëherë stereotipi pozitiv për kulturën rome, shkon deri aty, sa të thuhet se, “të varfër, por shumë të lumtur e qejfli në muzikë”; “e duan muzikën me shpirt”; “kanë lindur për muzikë, bohemët”… Po ashtu, stereotip është edhe besimi i gabuar se romët nuk dinë tjetër, përveç zhanrit tallava të muzikës. Romët bëjnë edhe zhanre të tjerë!

Reduktimi i stereotipave kulturorë ndaj romëve

Lojërat tradicionale me tekst si: “Po shëtitem nëpër pyje/ndoshta ujku/s’është aty/ujk, ujk, çka po ban…” e vazhdime të tipit: “Kush livrit, është magjup!”, janë trashëgimi e gjallë ende e pikëpamjeve raciste. Është e pafalshme që një edukator e edukatore ta shohësh përreth disa fëmijëve dhe që luajnë lojën e tillë, me tekst racist ndaj romëve, e nuk i përmirëson dhe këshillon fëmijët që ta heqin më këtë tekst. Një edukatore që më bëri përshtypje një ditë, më tha se, “kush livrit është magjup”, ia kam zëvendësuar fëmijëve me fjalinë tjetër duke ia ruajtur rimën, “kush livrit ka me hupë”! Stereotipat e tjera vazhdimisht i ndeshim edhe gjatë të folurit të përditshëm: “Unë s’lypi, se s’jam magjup qysh kujtonte ai!”.

Fjali të tilla vazhdimisht dëgjojmë. Natyrisht se stereotipa të tillë do të jenë gjithmonë përderisa nuk shohim edhe reduktimin e varfërisë dhe analfabetizmit te komuniteti rom dhe nuk e dominojnë skenën e kërkim-lëmoshës. Nuk ka asnjë mundësi që këto ndryshime të bëhen gjersa nuk e shohim në situatat e përditshme jetësore, avancimin e të drejtave të fëmijëve romë, teksa detyrohen të punojnë e nuk kanë kohë për lojë. Secili njeri ka të drejtën e tij për jetë, për ajër të pastër, për siguri, për mjekim të duhur, për ujë të pijshëm, për ushqim të shëndetshëm, për martesë e familje, besim fetar, liri të shprehjes, pjesëmarrje politike, liri për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për argëtim etj.

E drejta për lojë më së shumti shkelet te fëmijët romë, pa harruar të drejtën për arsimim cilësor, të drejtën për mbrojtje e siguri, duke mos punuar punë të rënda, sikur që punuakan rëndë fëmijët në fabrikat e tekstilit në Pakistan, Indi etj. Kosova me krijimin e shtetit, ka përgjegjësi të shumëfishta ndaj tyre.

India, romët dhe investimi në aktivitete kulturore

Serbia jep mjete financiare për aktivitetet kulturore dhe fushat e tjera të serbëve. Turqia po ashtu ndihmon turqit e Kosovës jo vetëm në ndërtimin e xhamive, por edhe në aktivitetet e tjera kulturore, muzikore e tradicionale turke. Komuniteti RAE, romë, ashkalinj e egjiptas, janë grup komunitetesh me pafuqinë e tyre kulturore pikërisht edhe pse mbrapa tyre nuk qëndron një shtet tjetër. Imagjinoni sikur India të interesohej për pakicën e tyre rome në Kosovë e gjetiu; të ishte ngjitur me Kosovën si shtet e nënkontinent fqinj, sa do të mund të ishin romët me jetë më të pasur kulturore?! Pra, duke qenë se romët nuk janë me ndonjë mbështetje prej Indisë, sikurse serbët prej Serbisë, malazezët prej Malit të Zi e turqit prej Turqisë, Kosova do të duhej të bënte shumë më tepër ndaj pakicës rome, por edhe asaj ashkalike e egjiptase.

Romët për dallim nga ashkalinjtë që janë avulluar me gjuhën e tyre amtare, e kanë ruajtur gjuhën dhe do të duhej të ndihmoheshin romët në kultivimin e gjuhës së tyre, në përvetësimin e gjuhës rome në letërsi, kinematografi etj. Pavarësisht stilit të tyre të jetesës, subkulturës së tyre edhe në vende të tjera të kamura si Franca etj., kemi mundësi të bëjmë më shumë në mbështetjen financiare për aktivitetet arsimore, kulturore e shkencore të romëve. Distanca sociale në mes komuniteteve do të mund të zbehej sa më shumë të ketë edhe shkëmbime, komunikime e bashkëpunime ndërkulturore. Komunikimi ndërkulturor mund të bëhet në shumë drejtime, por duke mos ia lënë fatin e tyre vetëm Organizatave Joqeveritare, por edhe nxitjen e iniciativave për bashkëpunime nga shkollat publike e private.

Duhet të ketë edhe kurse për gjuhën rome, duke u organizuar javë të gjuhës rome! Romët tashmë janë përgjegjësi e jona, por më shumë se kaq, pasuri e jona multikulturore! Përveç muzikës, mund të na ndërlidhë një diçka e përbashkët për të gjithë pa dallim: dëshira për të qenë të lumtur! Madje, jo lumturi bohemike, por mundësi edhe lloje të tjera lumturish, të cilat kapërcejnë fatet e subkulturave të izoluara, e me tragjedi pamjesh të foshnjave në krah, nga nënat rome që kërkojnë lëmoshë pas orës 22:00 të mbrëmjes, kur fëmijët e tjerë, janë me pizhamet e tyre të bukura e duke u kënaqur gjumë! Urime Dita Ndërkombëtare e Romëve të gjithë bashkëqytetarëve tanë romë!

(Kosova Sot)