Letërsia për fëmijë, në udhëkryq

  • 07 April 2019 - 20:06
Letërsia për fëmijë, në udhëkryq

MINISTRIA E KULTURËS ËSHTË DORËSHTRËNGUAR

Vokshi: Kemi shumë pak libra me autorët tanë nga letërsia artistike për fëmijë, origjinale

Te ne nuk ka fare aktivitete letrare për fëmijë. Ndoshta nuk është mirë të ketë gara, sepse fëmijët në fund dëshpërohen, kuptohet ata që nuk fitojnë. Rreziku është se interneti po e zëvendëson librin dhe vetë shkrimtari sot është në udhëkryq. Librat për fëmijë duhet të jenë më të hollë, sepse fëmijët dëshirojnë t'i lexojnë për dy ditë, ngase nuk ekzistojnë më ata lexues për një javë", është shprehur shkrimtari Ilir Muharremi për gazetën "Kosova Sot"

Dikur letërsia shqipe për fëmijë pasurohej në vazhdimësi, me veprat e shkrimtarëve të njohur, si: Agim Deva, Rifat, Kukaj, Vehbi Kikaj, e shumë të tjerë, të cilët botonin shumë vepra me poezi, prozë e dramë, duke ushqyer botën e ëndrrave të më të vegjëlve. Sot, letërsia shqipe për fëmijë gjendet në udhëkryq, ata pak autorë që kanë mbetur, nuk janë aq prodhimtarë sa dikur, për rrjedhojë kemi një varfëri në këtë fushë, nëse mund ta quajmë me një term të tillë. E, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, në vend se t'i mbështesë autorët ekzistues dhe t'i nxisë talentet e reja për të shkruar, ndodh krejtësisht e kundërta. Në vitet e fundit aty, këtu, kemi parë ndonjë autor të pasionuar, apo ndonjë talent të ri, që me forcat e veta kanë botuar ndonjë libër me poezi apo tregime. E, derisa Ministria e Kulturës vazhdon të jetë dorështrënguar, letërsia shqipe për fëmijë në Kosovë vazhdon të jetë në tunelin pa dritë.

Image

MUHARREMI: KËTU KURRË NUK JANË BRENGOSUR PËR FËMIJËT

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", shkrimtari Ilir Muharremi ka deklaruar se kjo për ministrat e kulturës përgjatë viteve, është si një sferë tjetër e tepërt, sepse këtu kurrë nuk janë brengosur për fëmijët. As në teatër nuk i dërgojnë nxënësit, vetëm kur ka ndonjë ngjarje interesante. "Fëmijët sot po u largohen librave, arsyeja është digjitalizimi. Duhet sa më shumë të organizohen promovime me libra për fëmijë. P.sh., vajza ime botoi librin e saj. Ajo është 8 vjeçe, fëmijët u kënaqen dhe tash çdo fëmijë në klasë të saj komenton se si do ta botonte edhe ai një libër. Te ne nuk ka fare aktivitete letrare për fëmijë. Ndoshta nuk është mirë të ketë gara, sepse fëmijët në fund dëshpërohen, kuptohet ata që nuk fitojnë. Rreziku është se interneti po e zëvendëson librin dhe vetë shkrimtari sot është në udhëkryq. Librat për fëmijë duhet të jenë më të hollë, sepse fëmijët dëshirojnë t'i lexojnë për dy ditë, nuk ekzistojnë më ata lexues për një javë", është shprehur ai. Në pyetjen pse ministrat e Kulturës që drejtuan këtë dikaster gjatë tërë këtyre viteve, nuk e patën prioritet asnjëherë pasurimin e letërsisë shqipe për fëmijë, Muharremi është përgjigjur: "Kjo për ta është si një sferë tjetër e tepërt, sepse këtu kurrë nuk janë brengosur për fëmijët. As në teatër nuk i dërgojnë shkollat, vetëm kur ka ndonjë ngjarje interesante. Të organizohen më shumë takime letrare për fëmijë, të përkrahen librat e tyre, të subvencionohen ngjarjet. Edhe nga shkollat nuk ka shumë interesime që libri të arrijë te nxënësi, atë e nisin prindërit e fëmijëve. Prindi e bën përgatitjen e librit, kopertonën, botimin", është shprehur ai.

Image

VOKSHI: INTERESIMI PËR TA MBËSHTETUR LETËRSINË PËR FËMIJË NË NIVEL JO TË DUHUR

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", njohësja e çështjeve kulturore,Violeta Vokshi është shprehur se interesimi për ta mbështetur letërsinë për fëmijë të shkruar nga autorët tanë, nga institucionet përkatëse të shtetit, respektivisht qoftë nga Ministria e Kulturës, qoftë nga Ministria e Arsimit, nuk është në nivel të duhur. "Ato pak botime, të cilat i kemi në dispozicion, ose nuk vlerësohen, ose nuk zgjedhën për t'u lexuar fare, bile sipas vlerësimit të disa botuesve:"librat për fëmijë të autorëve tanë, na qenkan të një niveli më të ulët në raport më Letërsinë Botërore për Fëmijë "!? Interesimi për ta mbështetur letërsinë për fëmijë të shkruar nga autorët tanë, nga institucionet përkatëse të shtetit, respektivisht qoftë nga Ministria e Kulturës, qoftë nga Ministria e Arsimit, nuk është në nivel të duhur...,ose është nivel sporadik, ose selektiv, ose edhe i injoruar në tërësi. Çfarë lexojnë fëmijët tanë?...Si e shohin botën përmes librave?...Falë disa përkthyesve mund të kenë rastin të lexojnë aventurat e Princit të Vogël, Harry Poterit, të Gregut e shumë e shumë heronjve të dashur për ta! Atë që dua të them, përkthyesi i letërsisë për fëmijë, kërkon aftësi të veçanta; ai duhet të përshkruhet si ndërmjetësues që lehtëson dialogun ndërmjet tekstit ''burimor" dhe audiencës së synuar. Ai njëkohësisht është interpretues, por edhe krijues, duke marrë parasysh llojin e gjuhës, gërshetimin e tekstit.., në raport me aftësitë njohëse dhe pjekurinë emocionale të fëmijëve", është shprehur Vokshi. Sipas saj, kemi shumë pak libra me autorët tanë nga Letërsia artistike për fëmijë, origjinale. Shpresojmë që në të ardhmen ky zhanër që ka në thelb edukimin e brezit të ri, të ketë një mbështetje më inkurajuese nga institucionet shtetërore".

Image

BUKUROCA: DUHET FTUAR AUTORË TË RINJ PËR TË LEXUAR NËPËR SHKOLLA

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" poeti me pseudonimin letrar Lis Bukuroca ka potencuar se ministri i Kulturës duhet të mendojë për botën e fëmijëve, ai duhet të mendojë për ardhmërinë, sepse psikologët gjermanë thonë, se fëmija, para moshës dymbëdhjetëvjeçare, nuk duhet të ketë në dorë celularin. "Nuk di tani kush kanë qenë ministra, por nëse kanë shpërfillur letërsinë për fëmijë, nuk kanë qenë njerëz me profil nga kultura. Ata kanë fituar postet në baza partiake, ose të lidhjeve fisnore. Një ministër i Kulturës, që nuk angazhohet për letërsinë e fëmijëve, domethënë se vetë nuk lexon kurrë! Duhet ftuar autorë të rinj për të lexuar nëpër shkolla! Duhet një fond, i cili financon dhe mbështet shkrimtarët e rinj. Duhet një shumë vjetore, një konkurs, që nxit të rinjtë të merren me letërsi. Për t'u realizuar kjo, ministri i Kulturës duhet të mendojë për botën e fëmijëve, ai duhet të mendojë për ardhmërinë, sepse psikologët gjermanë thonë, se fëmija, para moshës dymbëdhjetëvjeçare, nuk duhet të ketë në dorë celularin. Ai pengon zhvillimin normal të trurit. Nëse brezi i ri sot nuk kalon kohën me libra, por me lojëra në internet, atëherë vendi do të humbë ardhmërinë! Moskujdesi ndaj fëmijëve sot, do të artikulohet nesër si dënim ndaj pleqve. Alternativë në mes nuk do të ketë! Bota po ndryshon çdo çast, njeriu duhet të mësojë çdo ditë!", është shprehur ai.

Armend Preteni
 

(Kosova Sot)