Nëna e aktores Audrey Hepburn, adhuruese e nazistëve

  • 08 April 2019 - 09:55
Nëna e aktores Audrey Hepburn, adhuruese e nazistëve

 Ella van Heemstra adhuronte Hitlerin, pasi që ai ia kishte puthur dorën gjatë një takimi privat

Audrey Hepburn jetonte me frikën se adhurimi i së ëmës ndaj Adolf Hitlerit do të bëhej publik dhe do t’ia dëmtonte karrierën në Hollivud, thotë një biografi e re

Aktorja tmerrohej nga ideja që fansat e saj mund ta merrnin vesh se e ëma e saj, Ella van Heemstra, ishte takuar me liderin tiran në shtabin e tij në Munih dhe se ishte magjepsur e tëra, pasi që ai ia kishte puthur dorën. Pas zhvendosjes nga Holanda për në SHBA dhe pasi që u paraqit në filmat, si “Breakfast at Tiffany's”, Hepburn iu ikte pyetjeve rreth gjermanëve, meqë sipas saj, ato mund të ishin të dëmshme për karrierën e saj. Ajo nuk donte që të tjerët ta merrnin vesh që e ëma e saj ishte adhuruese e nazistëve, se kishte qenë në lidhje me një oficer gjerman dhe se ishte akuzuar se, në apartamentin e saj, mbante një flamur me kryqin e thyer nazist.

Libri “Dutch Girl”

Hepburn po ashtu frikësohej nga bërja publike e faktit se, midis viteve 1942 dhe 1944, ajo kishte vallëzuar në baletet ku me gjasë ishin të pranishëm, si shikues, edhe ushtarët gjermanë.

Autori Robert Matzen shkruan në librin”Dutch Girl: Audrey Hepburn and World War II”, se si ajo e mori këtë të vërtetë me vete në varr.

Ajo çka Hepburn thoshte në publik rreth kësaj teme, ishte se gati kishte vdekur urie gjatë ‘dimrit të urisë’ 1944-45 dhe sesi performonte në qytetin holandez Velp, që të mblidhte para për rezistencën.

Libri “Dutch Girl” ofron një pamje të re rreth asaj se si Hepburn formësoi imazhin e vet dhe rreth raportit kompleks me të ëmën e saj aristokrate, një grua të cilën Matzen e quan “diktatore dashamirëse”, e cila kishte dominuar në jetën e së bijës.

Hepburn lindi më 1929 në Bruksel dhe gjatë viteve 1930 prindërit e saj kaluan shumë kohë në Londër, ku ranë nën ndikimin fashistit britanik, sër Oswald Mosley.

Matzen shkruan se Ella dhe Joseph Ruston ishin të mahnitur nga ky njeri, por edhe nga vetë Hitleri dhe koncepti i nazizmit.

Van Heemstra shkroi një ese për Mosley-n duke lavdëruar fashizmin, që u botua në gazetën e tij, e më pas ai i ftoi ata në Munih, në vitin 1935, që të takoheshin në shtabin e tij.

Matzen tregon sesi, me të hyrë në dhomë, Ella u magjeps nga sytë e kaltër, të thellë të Hitlerit, si dhe admiroi buzëqeshjen e tij enigmatike, plot modesti.

Edhe pse aty ishte i pranishëm edhe burri i saj, Ruston, kjo nuk e pengoi Ellan që të magjepsej e tëra nga Hitleri, sidomos pasi që ky i fundit ia puthi dorën.

Depresion i thellë

Matzen tregon sesi Ella ishte aq e lumtur për këtë udhëtim, saqë ajo shkroi një artikull në këtë temë, që u botua në gazetën e Mosley-t, “Action”.

Midis tjerash, ajo shkruante: 'Ajo që më bëri më së shumti përshtypje në mesin e një milion e një përshtypjeve që përjetova atje: (a) përshtatshmëria e mrekullueshme e çdo njeriu që pash atje; dhe (b) atmosfera freskuese, liria absolute nga çdo formë e presionit mendor.

Adolf Hitler duhet të jetë krenar për rilindjen e këtij vendi të mrekullueshëm dhe për ripërtëritjen e shpirtit gjerman. Gjermania e sotme është vendi më i këndshëm dhe gjermanët, nën sundimin nazist, janë një shembull i mrekullueshëm për racat e bardha në botë – një popull i fuqishëm, kryelartë dhe krenar, sikur që kanë çdo të drejtë të jenë”. Por, pas asaj që solli stresi i Luftës së Dytë Botërore, ku i ati i aktores ishte i internuar në Britani, për shkak të mbështetjes ndaj nazizmit, gjërat ndryshuan me të madhe.

Hepburn tregonte se si ky stres kishte bërë që të ëmës t’i thinjeshin shpejt të gjitha flokët. Ajo ishte në një depresion aq të thellë, sa që të afërmit kishin frikë se ajo mund të bënte vetëvrasje.

Hepburn tregon se si e ëma qante ditë e natë.

Hepburn donte të bëhej balerinë, prandaj filloi ta vijonte shkollimin në “Arnhemse Muziekschool”, edhe pasi që qyteti u invadua nga gjermanët në vitin 1940.

Matzen thotë sesi Ella bazohej te parimi që mënyra më e mirë për ta mbijetuar pushtimin nazist ishte të punojë me të. Për këtë shkak ajo filloi lidhjen me një gjerman.

I biri i Audrey-t, Luca Dotti, thotë se midis nënës dhe gjyshes së tij ka pasur një tension të vazhdueshëm. Një dashuri të madhe, por edhe një tension i madh.

Edhe pse aty ishte i pranishëm edhe burri i saj, Ruston, kjo nuk e pengoi Ellan që të magjepsej e tëra nga Hitleri, sidomos pasi që ky i fundit ia puthi dorën.

(Kosova Sot)