Dyshime të reja rreth pikturës më të shtrenjtë në botë

  • 15 April 2019 - 10:03
Dyshime të reja rreth pikturës më të shtrenjtë në botë

Nuk dihet saktësisht a është “Salvator Mundi” vepër e Da Vincit, apo jo

Image

Çmimi rekord ishte paguar për shkak të bindjes se kjo ishte vepër e Leonardo-s edhe pse, edhe asokohe, disa specialistë thoshin se Da Vinci mund ta ketë dhënë vetëm një kontribut të vogël në bërjen e kësaj pikture

Në pikturën “Salvador Mundi” paraqitet Jezu Krishti, në rolin e shpëtimtarit të botës. Kjo pikturë arriti rekord botëror, pasi që u shit në një ankand për 450 milionë dollarë. Por, tani ekspertët thonë se, megjithatë, “Salvator Mundi” mund të mos jetë fare pikturë e piktorit të famshëm Leonardo da Vinci.

Dyshimet rreth kësaj vepre të famshme të artit vijnë dy vjet pasi që ajo ishte blerë nga princi saudit i kurorës, Mohammad bin Salman.

Çmimi rekord ishte paguar për shkak të bindjes se kjo ishte vepër e Leonardo-s edhe pse, edhe asokohe, disa specialistë thoshin se DaVinci mund ta ketë dhënë vetëm një kontribut të vogël në bërjen e kësaj pikture.

Tani, një libër i ri nga shkencëtari i artit Ben Lewis, thotë se Galeria kombëtare në Londër kishte kërkuar nga pesë ekspertë që ta ekzaminonin këtë portet në vitin 2008, para se ai të përfshihej në ekspozitën e Leonardo-s të mbajtur në këtë galeri, tri vjet më pas.

Dyshimet e ekspertëve

Në “The Last Leonardo”, Lewis shkruan se vetëm dy nga ekspertët ishin të gatshëm që të dëshmonin se vepra ishte me të vërtetë e Leonardo-s, i treti tha se vepra nuk ishte e artistit të madh, derisa dy të tjerët refuzuan që të komentonin.

Por, galeria nuk përfshiu asnjërin nga këto dyshime në katalog. Deklarata publike e kësaj galerie të njohur, rreth autorësisë së veprës, ishte faktori kyç që ndikoi në çmimin e saj të shitjes, sidomos kur dihet se, e njëjta vepër, në vitin 2005 ishte shitur me një çmim katër shifror. Pretendimet e fundit përçanë botën e artit.

Michael Daley, drejtor i “ArtWatch UK”, thotë: “Nuk mendojmë se kemi të bëjmë me një Leonardo dhe ajo vepër nuk do të duhej të ishte pjesë e ekspozitës së organizuar në vitin 2011”.

Por, Dr. Bendor Grosvenor, i cili prezanton serinë e BBC4 “Kryeveprat e humbura të Britanisë”, thotë se ai mendonte se ekzistojnë arsye të mjaftueshme për të besuar se vepra ishte bërë nga Leonardo.

Ai deklaroi për BBC-në se, shitja e pikturës për një çmim kaq të lartë, kishte bërë që të gjithë, përnjëherë, të bëheshin analistë, duke tentuar që ta minimizonin vlerën e kësaj vepre. Ai shtoi se, thuajse të gjithë studiuesit e Leonardo-s pajtohen se kjo vepër është bërë nga ai, apo të paktën, kryesisht nga ai’.

Një zëdhënës i galerisë tha se Galeria Kombëtare bën shqyrtime të vëmendshme para përfshirjes së një vepre në një ekspozitë të caktuar.

Kush ishte Leonardo Da Vinci?

Leonardo di ser Piero da Vinci, më shkurt Leonardo da Vinci ose thjesht Leonardo, është njëri ndër individët më të mëdhenj të mijëvjeçarit të fundit.

Ky dijetar ishte motori i Renesancës dhe merrej me zbulime, pikturë, skulpturë, arkitekturë, shkencë, muzikë, matematikë, inxhinieri, literaturë, anatomi, gjeologji, astronomi, botanikë, shkrime, histori dhe hartografi.

Mendohet që ai t’i ketë paraprirë zbulimit të parashutës, helikopterit dhe tankut.

Ai lindi në Italinë e sotme, në vitin 1452, kurse vdiq në moshën 67 vjeçe në Francë.

Ndër veprat më të dalluara të tij janë “Mona Lisa”, “The Last Supper” dhe “Vitruvian Man”.

(Kosova Sot)