Cilat janë thesaret e Notrë Damit?

  • 17 April 2019 - 09:41
Cilat janë thesaret e Notrë Damit?

Notrë Dami i shkatërruar nga flakët, mban relikte të adhuruara nga katolikët, një organo të përmasave të mëdha dhe shumë vepra arti. E plaçkitur dhe e shpartalluar gjatë Revolucionit Francez dhe gjatë trazirave në vitin 1831, ky xhevahir gotik humbi një pjesë të kryeveprave të tij. Thesari i tij liturgjik që ishte një ndër më të pasurit në Francë, para se të zhdukej në vitin 1789, u rindërtua gradualisht. "Punonjësit e Notrë Damit, arkitektët e ndërtesave të Francës, stafi i Ministrisë së Kulturës u mobilizuan për të drejtuar zjarrfikësit tek veprat që duheshin shpëtuar me çdo kusht", tha sekretari i Brendshëm i Shtetit, Laurent Nunez.

Reliket

Relikja më e çmuar e mbajtur në Notrë Dam është Kurora e Shenjtë, që është mbajtur në kokë nga Jezu Krishti pak para kryqëzimit, sipas besimit katolik. "Kjo relike u shpëtua nga flakët të hënën, si edhe tunika e Shën Luisit, që ruhej gjithashtu në katedrale", sipas rektorit të saj. Përveç Kurorës së Shenjtë, Notrë Dami ruante edhe dy relike të tjera nga Kryqëzimi i Krishtit: një pjesë nga kryqi edhe një gozhdë nga kryqëzimi. Organoja e madhe Ndër tri organot e Notrë Damit, ajo më e madhja, ajo me pesë tastiera, 109 taste dhe rreth 8 000 tuba, është më e veçanta. E ndërtuar nga shekulli XV, organoja është zgjeruar gradualisht, derisa arriti përmasat aktuale në shekullin XVIII. Ajo e kaloi Revolucionin pa dëmtime, padyshim falë interpretimit të muzikës patriotike, siç shkruhet në faqen e katedrales.

Rozetat

Tri rozetat e Notrë Damit, që përfaqësojnë lulet e parajsës, janë ndërtuar në shekullin XVIII dhe janë rinovuar disa herë. Rozetat në veri dhe jug, dy më të mëdhatë, kanë një diametër prej 13 metrash. Ato gjenden në medaljone, te profetët, shenjtët, engjëjt, mbretërit dhe në pamjet për jetën e shenjtëve. Tri rozetat përfaqësojnë respektivisht Virgjëreshën, Jezuin fëmijë dhe Krishtin Madhështor.

37 statujat e Virgjëreshës

Në shenjtore, gjendet pranë kolonës juglindore të pjesës anësore, Virgjëresha dhe Fëmija, statujë e gdhendur në mes të shekullit XIV, që është më e famshmja e 37 figurave të Virgjëreshës në katedrale. Pas altarit është statuja monumentale e skulptorit Nicolas Coustou, një piedestal i porositur nga Luigji XIV sipas dëshirës së babait të tij Luigji XIII. Realizuar mes viteve 1712 dhe 1728, Virgjëreshës mban në gjunjë trupin e Krishtit të zbritur nga kryqi.

Kambana Burdon

Në kullën jugore gjendet kambana më e madhe e Notrë Damit, e quajtur Burdon, që përdoret për festat katolike më të mëdha dhe për ngjarje të rëndësishme. Burdon u krijua më shumë se 300 vjet më parë dhe u pagëzua me emrin Emanuel nga kumbari i saj, Luigji XIV. Ajo peshon 13 tonë, vetëm pjesa brenda ziles që goditet me muret për të krijuar tingullin, peshon 500 kilogramë.

(Kosova Sot)