Reklamë e mirë për Kosovën, por s’po e dini!

  • 20 April 2019 - 08:33
Reklamë e mirë për Kosovën, por s’po e dini!

Solidariteti ndaj katedrales së famshme franceze i ndau opinionet në shoqërinë e gjerë shqiptare

Njëra palë, që ishin kundër solidaritetit të Kosovës, arsyetohej se Franca nuk ka nevojë për paratë e vendit tonë të varfër dhe në vend të ndihmës ndaj katedrales, mjetet financiare të shkonin për familjet e varfra kosovare. Ndërsa pala tjetër ishte për solidarizim me miqtë tanë evropianë e ndërkombëtarë, sikurse është Franca, pasi konsiderohet edhe ndër mbështetëset kryesore të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, kthimit të “shpinës” gjatë fundviteve të ’90-ta të shekullit XX ndaj “Serbisë mike” dhe mbajtjes së pozicionimit të Perëndimit në sulmet ushtarake ndaj ish-Jugosllavisë

Sapo desha ta shkruaja në gugëll “Notre Dame”, akoma pa e shkruar si të plotë “No”, të parat fjalë në krye të listës, më dolën “Notre dame cathedral”. Kur më pas, ia shtova edhe “tre” dhe u bë “Notre”, në listë, dolën këta emra: “Notre dame cathedral, notre dame, notre dame fire, notre dame football, notre dame donation, notre dame cathedral history, notre dame basketball, notre dame rose window, notre dame crown of thorns dhe në fund, notre dame spire.” Sikurse e shihni, zjarri i katedrales Notre Dame dhe donacionet pas zjarrit u bënë ndër ngjarjet më të klikuara në motorin e kërkimit elektronik.

Gjersa zjarri preku shumë njerëz, realisht e virtualisht, sinqerisht e simulueshëm, donacionet u bënë çështje diskutimi e dilemash etike, qoftë brenda Kosovës, por edhe në nivel global. Solidariteti ndaj katedrales së famshme franceze i ndau opinionet në shoqërinë e gjerë shqiptare, kryesisht në dy kampe, duke u kyçur edhe politikanë me ndikim lokal e qendror, duke dhënë edhe deklarata kundër solidaritetit financiar të Kosovës ndaj rindërtimit origjinal të katedrales. Këto dy pozicione ishin rreth qëndrueshmërisë etike të vetë solidaritetit aq të madh e aq të shpejtë mbi katedralen Notre Dame, por edhe për shumën e dhënë nga një vend i varfër si Kosova. Njëra palë, që ishin kundër solidaritetit të Kosovës, arsyetohej se Franca nuk ka nevojë për paratë e vendit tonë të varfër dhe në vend të ndihmës ndaj katedrales, mjetet financiare të shkonin për familjet e varfra kosovare.

Ndërsa pala tjetër ishte për solidarizim me miqtë tanë evropianë e ndërkombëtarë, sikurse është Franca, pasi konsiderohet edhe ndër mbështetëset kryesore të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, kthimit të “shpinës” gjatë fundviteve të ’90-ta të shekullit XX ndaj “Serbisë mike” dhe mbajtjes së pozicionimit të Perëndimit në sulmet ushtarake ndaj ish-Jugosllavisë. Madje, disa shkonin deri atje, sa të postonin një lajm të medieve serbe, të cilat i gëzoheshin lajmit për djegien, sepse para pak kohësh, në këtë vend, media serbe ishte mllefosur nën arsyetimin se aty ishte valëvitur flamuri kaltër-verdhë i Republikës së Kosovës! Kjo e fundit ishte shpërndarë në shumë llogari private e publike të përdoruesve të medieve sociale, por u shpërnda edhe në mediet e tjera onllajn. Kritikat, ironitë dhe zemërimet e palës ndaj kësaj ngjarjeje, në hapësirën shqiptare, vinin kryesisht nga opozitarët, që kritikonin Qeverinë për ndarjen e fondeve për katedralen Notre Dame, e në anën tjetër nuk po merret me të varfrit në Kosovë.

Kritikat vinin edhe nga shumë “islamistë”, të cilët për arsye të fshehura e të hapura intolerante fetare, e sidomos kur bëhej fjalë për dhënien e mjeteve financiare për një katedrale të fesë tjetër, mundoheshin të ishin kundër solidarizimit financiar të Kosovës, duke e ndërlidhur kinse me “parime të larta etike” dhe duke tërhequr paralele me viktimat në Siri dhe indiferencën e botës së Perëndimit ndaj shumë pasojave në njerëz e në trashëgimi kulturore lokale e botërore. Ka pasur në pozicionin e kritikës ndaj “solidaritetit selektiv human” ndaj katedrales Notre Dame dhe shpërfilljes pa solidaritet ndaj aq shumë dëmeve që janë bërë në Lindjen e Mesme, e veçmas në Siri, duke shprehur indinjatën ndaj Perëndimit që shfaq solidaritet vetëm për vlerat e veta kulturore, por jo edhe për vlerat universale të trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Pozicioni i kritikës për arsye universale humane, duke bërë thirrjen që solidariteti ndaj shkatërrimit të trashëgimisë kulturore e historike, të jetë ndaj të gjithave, pavarësisht se a vjen nga Lindja apo Perëndimi, Veriu apo Jugu, është pozicioni më legjitim dhe më i pranueshëm. Ndërsa kritikat e tjera ndaj solidaritetit me aq bujë, që vijnë për arsye po ashtu të etnocentrizmit dhe egocentrizmit religjioz, janë pa vend.

Pak histori mbi katedralen Notre Dame

Historia e katedrales Notre Dame gati sa mbërrin një mijëvjeçar. “Ndërtimi i Notre Dame filloi në vitin 1163 gjatë mbretërimit të Mbretit Louis VII dhe u përfundua në vitin 1345. Katedralja është një Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, një ikonë parisiene në mbarë botën dhe vendndodhjen e disa prej momenteve më të rëndësishme në historinë e Francës. Henri VI i Anglisë u kurorëzua brenda katedrales në vitin 1431 dhe Napoleon Bonaparte u kurorëzua perandor i Francës brenda katedrales në vitin 1804. Katedralja pranon afër 13 milionë vizitorë në vit dhe është shtëpia e objekteve të mrekullueshme fetare, pikturave, skulpturave dhe veprave të tjera të çmuara të artit.” (CBS News&Associated Press. 18 prill 2019. Marrë nga https://www.cbsnews.com/live-news/notre-dame-cathedral-fire-cause-ëeakened-structure-today-2019-04-18-live-updates/)

Sipas të njëjtit burim informacioni, kishin filluar renovime që në vitin e kaluar. “Kishin filluar renovimet pasi filluan të shfaqen të çara në gur, duke shkaktuar frikë se struktura mund të bëhej e paqëndrueshme…”(Po aty)

Arsyet që duhet ta mbështesim solidaritetin me Notre Dame

Në përgjithësi, veprimet e Qeverisë me paranë publike janë skandaloze, por ndarja e mjeteve financiare prej 20 mijë eurosh për të dhënë donacion për rindërtimin e Notre Dame të Francës, mendojmë se është vendim i drejtë dhe i dobishëm në aspektin diplomatik. Ne do të radhisim disa nga këto arsye pro këtij vendimi, ndonëse është rast i rrallë që mund ta mbështes ndonjë vendim të shumicës së Qeverive të pasluftës:

Solidariteti ndaj trashëgimisë kulturore-botërore është vlera më e lartë, dhe vetëm pak më poshtë për nga rëndësia, pas solidaritetit në radhë të parë ndaj njerëzve, sesa ndaj objekteve;

Solidariteti me Francën është solidaritet me një shtet që ka mbështetur Kosovën për 20 vjet me radhë. Historikisht, shqiptarët e kanë vlerësuar, por edhe përgjithësisht ashtu ka qenë, Franca ishte aleate me Serbinë për shkak edhe të raportit të forcave. Ajo u rreshtua me Perëndimin për ta bombarduar ish-Jugosllavinë dhe kjo ishte fitore e shqiptarëve. Por menjëherë gjatë luftës, ndarjen e Veriut, më shumë se një arsye gjeopolitike dhe lokale, fajin ia atribuojnë herë pas herë, edhe KFOR-it francez. Por menjëherë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, ish-presidenti francez N. Sarkozi, me gjestin e tij duke ia treguar shtetin më të ri në hartë, Kosovën, disa nxënësve, i mori zemrat e të gjithë shqiptarëve dhe kjo hyri në kujtesën e të gjithë atyre që e përjetuan me entuziazëm 17-shkurtin. Pra, solidariteti me Francën është edhe një mirënjohje e një shteti në ndërtim e sipër ndaj një shteti të pasur e ndër vendet më me ndikim në Evropë, dhe jo vetëm;

Solidariteti me Francën është mirënjohje edhe për mijëra shqiptarë që vetëm gjatë dekadës së fundit, u paraqitën si azilkërkues e refugjatë dhe asnjëherë nuk u riatdhesuan. Në një nga vendet që më së shumti kanë shkuar shqiptarët pas Gjermanisë, është edhe Franca. Shumë kosovarë kur e dinin që s’po i mbante Gjermania, niseshin drejt Francës, e cila edhe nëse nuk i jepte vendim të prerë për kthim vullnetar apo me forcë, rrallëherë është raportuar se i ka dëbuar. Njoh shumë shqiptarë të cilët janë shkruar azil, kanë marrë përgjigje negative në kërkesën për azil, por nuk i kanë kthyer ende në Kosovë;

Solidariteti me 20 mijë euro si donacion për rindërtimin e katedrales Notre Dame është një promovim i hatashëm i Kosovës, direkt apo indirekt. Kur katedralja do të rindërtohet, në një mënyrë apo tjetër, diku për vizitorët, do të shfaqet gjithmonë një informacion auditiv apo vizuel, se pas djegies në prill të vitit 2019, një sërë shtetetesh, biznesmenësh e familjesh të njohura, kanë dhënë donacione për rindërtimin e katedrales. Imagjinoni sa shumë vizitorë do të ketë dhe secili do ta dëgjojë edhe emrin Kosovë në këtë listë donatorësh! Ku ka reklamë më të mirë se sa të përmendet emri Kosovë në një nga katedralet më të famshme në botë? Ku ka reklamë më të lirë se sa të hysh si donator – si një shtet aq i varfër dhe keni rastin të ndani një shumë simbolike financiare për një superfuqi thuajse edhe globale?!;

Solidariteti me katedralen e rregullon imazhin negativ të përçuar në botë, si “shtet që ka rekrutuar e dërguar luftëtarë në radhët e ISIS-it”!;

Solidariteti me katedralen e rregullon indirekt perceptimin e gabuar se Kosova është një “vend fundamentalistësh islamistë”. Këtu demaskohet edhe propaganda e gjatë e Serbisë për ta paraqitur Kosovën si një “çerdhe terroristësh islamikë” dhe që shkatërruakan trashëgiminë kulturore-kristiane!;

Solidariteti me katedralen e përmirëson edhe imazhin e gabuar nga trazirat e 17-marsit 2004. Këto trazira ruhen edhe në videot e publikuara në kanalin “youtube.com”, ku shihen shqiptarë duke e dëmtuar kryqin e një kishe ortodokse serbe. Kjo ka qenë dhe mbetet pamja më e keqe në botë, duke kujtuar bota se bëhet fjalë për “luftë ndërfetare”, e jo reagim ndaj pretendimeve shoviniste të politikave të Serbisë ndaj Kosovës;

Solidariteti për katedralen Notre Dame është solidaritet edhe ndaj trashëgimisë kulturore të njerëzimit, pasi që kjo katedrale ka vlerë të jashtëzakonshme historike e disashekullore. Krejt trashëgimia kulturore botërore na takon sa francezit, po aq edhe neve. Po ç’rëndësi ka që piramidat egjiptiane janë në Egjipt, kur ato janë trashëgimi botërore dhe magjepsemi pafundësisht me madhështinë e tyre?! Kush nuk i përjeton piramidat si pjesë të veten, pavarësisht se janë në tokën egjiptiane, flitet për mbretër e faraonë të lashtë egjiptianë?! Me fjalë të tjera, është edhe përgjegjësi e secilit shtet, qoftë edhe i dobët, të ndihmojë në trashëgiminë botërore.

Përmbyllje

Franca edhe pa donacionet e kosovarëve, edhe pa donacionet e askujt, do të mund ta rindërtonte katedralen, sikur të mos ishte djegur kurrë. Më ka rënë ta vizitoja Dresdenin gjerman. Isha i befasuar se si ishte e mundshme të rindërtohej një qytet i tërë, kur ishte shkatërruar thuajse i tëri gjatë Luftës së Dytë Botërore! Njësoj mund ta bëjnë edhe francezët - vendi i artistëve dhe kryeveprave të historisë së artit figurativ e arkitektonik. Pavarësisht buxhetit të varfër të Kosovës, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) jepte donacion për Aleancën Franceze në Prishtinë. Në vitin 2017, në memorandum-bashkëpunimin për Javën e Frankofonisë, Festën e Muzikës dhe Filmin Frankofon, MKRS i dhuroi 3500 euro kësaj Aleance Franceze.

Më mirë se këto mjete t’i jepeshin Aleancës Franceze, do të duhej të ruheshin e të jepeshin për ditët si kjo, si donacion simbolik për rindërtimin e katedrales Notre Dame. Sa i përket donacioneve globale, shuma deri në 1 miliard ishte premtuar pak pas zjarrit. Ka pasur raportime në medie se disa mashtrues në internet kanë shfrytëzuar zjarrin për të thirrur njerëzit në donacione e për të përfituar paligjshëm dhe në mënyrë imorale! Sidoqoftë, një gjë është më se e sigurt: fuqia e trashëgimisë kulturore-historike të Francës ka pushtuar për kohë të gjatë zemrat e një pjese të madhe të botës dhe vizitorëve!

(Kosova Sot)