Poetika e paradoksit në këngët lirike

  • 20 April 2019 - 08:36
Poetika e paradoksit në këngët lirike

Shkruan: Nuhi Vinca 

Duhet gjetur fillin që të dyndet tërë lëmshi” (V. Prop)

Se kënga për pemën në mes të detit, për vashën që i rrotullon tufat e dhenve me thupër apo me lajthi, do shikuar si një largim nga logjika e rëndomtë, nga realiteti, nga normat, nga rregullat nga gjuha shkencore, na flet edhe një mendim i theksuar në një rast se “që nga Aristoteli e gjer më sot gjuha poetike është vështruar vetëm e vetëm si një shmangie nga ndonjë lloj norme”

“Ka në lirikën popullore shqiptare të dashurisë një grup këngësh që dallohen posaçërisht me një ndërtim figurativ të tillë sa krijojnë një botë poetike ku nuk mund të hysh lehtë e aq më pak të bredhësh lirisht nëpër të. Këto këngë duken si një lëmsh i ndërlidhur me shkathtësi. Për ta dyndur këtë lëmsh, pra që të hysh në botën enigmatike të këtij tipi, për të kuptuar mesazhet, duhet me mjeshtri ta gjesh fillin e vërtetë për ta dyndur gjithë lëmshin. 1 Duhet të gjesh rrugën dhe mënyrën e qasjes. Këto këngë kanë një logjikë krijuese të çuditshme me imazhe gjithashtu të çuditshme dhe duken sikur i kundërvihen logjikës normale të gjërave, duken paradoksale dhe absurde.

Në tërësinë e tyre poetike këtë këngë ngjallin pamje që nuk mund të kuptohen në lexim apo dëgjim të parë. Kështu në një këngë del e mbin një pemë në mes të detit dhe, për të qenë paradoksi më i madh nën hije të kësaj peme mrizojnë nëntë apo tri tufa dhen; detin, po kjo imagjinatë krijuese, e bën të ngrirë;një vashë i komandon të gjitha; loti i saj e ngrin detin sa barkat mbesin shakull e barkaxhisë i bie lëngimi dhe kërkon ato që s’ekzistojnë sipas logjikës së rëndomtë. Në raste të tjera na del e endet një “breshkuzë”, ajo bredh ugareve, ashtu si nuk është realiteti biologjik i jetës së saj…Edhe në botën ekologjike ngjajnë çudira: foleja bën molla, qarri arra, shelgu rrush e kështu një varg bimësh i shohim të kryejnë një varg funksionesh që në dukje të parë janë të pamundshme.

Pra fshihet në këtë grup këngësh një paradoks, kontrast e antitezë, për çka do të bëhet fjalë hollësisht. Se tradita e inkorporimit të bimëve e gjallesave në struktura të këtilla poetike është e gjatë, bindesh edhe duke lexuar poezinë popullore, por edhe duke shfletuar veprat e ndryshme shkencore, ku kulti ndaj bimësisë, si simbol i ringjalljes së natyrës, është i lashtë.

Dy veprat e famshme antropologjike, “Dega e artë” e Xh. Xh Frejzerit dhe “Mendimi i egër” e K.L. Strosit, të pasura me njohuri nga gjithë bota për folklorin, etnologjinë dhe aspekte të tjera, të njohura në opinionin shkencor botëror, janë pagëzuar pikërisht duke shfrytëzuar gjuhën figurative që lidhet me bimët – e para nga Degët e arta të pemës që i ngjan drurit biblik të jetës që gjendet në Itali, pranë një liqeni që është quajtur “Pasqyrë e Dianës” 2 dhe e dyta nga një lule me pesë petale që në Francë nënkuptuakan dy motrat jetime, njëra petale - njerkën e dy të tjera – dy bijat e saj. 3 Në këto dy pagëzime fshihet një lidhje asociative e simboleve nga bota bimore me një ndërtim artistik në bazë të kontrastit, që pikënisje e ka shkollën tradicionale të mitologjisë popullore.

Po le t’i vërejmë në ç’funksione poetike i gjejmë këto bimë e gjallesa dhe si aplikohet në kontekste këngësh figura e paradoksit në këtë grup këngësh të lirikës popullore shqiptare.

Motërzimi i Shkodrës dhe ai i Ulqinit

Kënga, që idenë e vet e shpreh me anë të pemës që mbin në mes të detit, na del në shumë variante por më kryesore e më të realizueshme poetikisht janë tri: ajo e Shkodrës e shënuar nga Vinçenc Prenushi e që u ribotua te KPL të Gj.

Komninos pa asnjë ndryshim, ajo e Ulqinit, që gjendet në AIA e kënduar nga Mrikë Nrekiq, amvise 45- vjeçare me katër klasë fillore që më vitin 1974 dhe e shënuar nga Angjelina Nrekiq si dhe motërzimi i tretë ajo e Strugës. E para në veprën e V. Prenushit e të Komninos na del me vargun titull “Mori drandofillja e bardhë” 4 (KPL, Tr. 1955, k. 11, f. 71) njësoj si edhe kënga nga treva folklorike e Ulqinit. Kënga nga zona e tretë folklorike është e ajo e Strugës që mban titullin “Jam një çupë përmbi ty”.5 Tri variantet janë shënuar në kohë të ndryshme dhe vende të ndryshme që flet për përhapjen e këtij motive si në kohë ashtu edhe si shtrirje gjeografike. Disa nga vargjet e këtyre tri këngëve nga këto tri treva folklorike gjejnë ngjashmëri edhe me këngën që shënoi De Rada “Mbiu, mbiu nerënxa në det” apo “Sa e vogël ish nerënxa/ Sa të madhe e bëri hijen” (De Rada, k. 5, f. 74). Gjithashtu pjesë apo dromca identike vargjesh gjejmë edhe në Çamëri njësoj sit e De Rada “Mbiu nerënxa në det” (KPÇ, k. 406 nga Praga). Pra, këto shënime mjaftojnë sa për t’u bindur për përhapjen e kësaj kënge lirike si në kohë e hapësirë.

Kënga e parë e Prenushit ka gjithsej 20 vargje e në mes të detit mbin lisi: / “Në mjedis të detit-o/ Ish një lis i vogël-o/ Sa i vogël lisi ishte, / Sa të madhe hije kishte, / Ku mrizojshin nandë grigjë, / Nandë grigjë me nandë kumonë, / Gjith nji vashë po i rrotullon, / Me një thupër xen lejthin… 6

Ajo që mbin në mes të detit në këngën e Ulqinit gjithashtu është një pemë, por në atë të Strugës kjo pemë quhet shegë, ndërsa te arbëreshët e Italisë nerënxë njësoj si te arbëreshët e Greqisë. Pra në një këngë (me motërzimet e saj) ajo që mbinë në mes të detit është lisi, pema, shega dhe nerënxa. Në të gjitha variantet (në tri të parat) lisi, pema, shega bëjnë hije ku mrizojnë nëntë tufa dhenë në dy të parat e tri tufa dhen në variantin e tretë. Motërzimi i Shkodrës dhe ai i Ulqinit nisin duke e apostrofuar drandofilen: Mori drandofilja e bardhë”, që mungon në variantin e Strugës. Si krijohet situata e imazhi i pemës në mes të detit nuk ka varg që e qartëson fare në variantin e Strugës ndërsa në dy motërzimet e tjera është vargu i dytë që jep një signalizim poetik: “Kur mora gjethin me ty/ Mora dedin-o me sy/ Në të parën dhe “Të mirë erën e paske pasë/ Kur të mora erën ty-e/ Mora detin-o me sy-e/ Në të dytën. Në variantin e Strugës fund e krye flet heroi lirik (…Ky variant është më i shkurtëri dhe ka vetëm 10 vargje në krahasim me dy të tjerat që kanë njëra 20 e tjetra 27 vargje. Në të tri variantet ajo që i rrotullon dhentë (NËNTË APO TRI TUFAT) është vasha. në çka përqendrohet ky “komandim” i vashës dy variantet më të gjata nuk kanë vargje të tjera pos vetëm një vargu: “Gjithë nji vashë po i rrotullon/ Me nji thupër zanë lajthije. Në variantin e Strugës ky imazh zgjerohet: ”/Kur i bije fyellit të parë/ ngrihen dhentë dhe hanë bar/ kur i bije fyellit të dytë/ ngrihen dhentë dhe hanë krypë/ kur i bie fyellit të tretë/ ngrihen dhentë me të vërtetë” përfundon këngën poeti popullor i Strugës. Ndërsa në këtë këngë këtë funksion poetik e kryen fyelli, në dy variantet tjera është thupra e cila i bie “manarit në sy” apo “dylberit në sy” dhe pikon një lot nga syri i zi që e ngrin detin akull:

Pikoj lodja ra në det;

U ngri deti akull-o

Mbeten barkat shakull-o…

Pas kësaj ngrirje nga loti vijnë vargjet:

Barkaxhisë na i ra lëngimi;

Lypte gjana qi nuk ishin:

Lypte mish leprit të thimetë

Lypte djathë fëllanxes butë,

vashën virgjineshë.

-vargje këto, që mungojnë në variantin e Ulqinit e të Strugës.

Varianti më i gjatë, ai i Ulqinit, në vend të këtyre vargjeve që do të merren për objekt vrojtimi, ka këto vargje; -/ Jalla fryft-o nji murra, /Naj qitt barkët në lima!/Jalla fryft-o nji shirok, /naj qitt barkët në Obot!/Jalla fryft-o nji karajel, /Naj qitt barkët n’Frashkanjel!/ Jalla fryft-o nji veri/Naj qitt barkët në Shqipni!/ 7 Me këto vargje që shprehin dufe shpirtërore të një ndareje, të një ngarkese shpirtërore të vashës, përfundon kënga e Ulqinit, pa i inkuadruar tri vargjet gjithë paradokse të këngës së Shkodrës, për lepurin e thimtë, për djathin e thëllëzës së butë, Paradoksi dhe kontrasti apo antiteza si një ndërlidhje associative me thellësi mendimi, paraqesin raporte anormale në shikim të parë, raporte nga bota biologjike siç është kërkesa të lypësh mish nga lepuri i thimtë apo djathë nga thëllëza e butë. Pra qartësisht këto marrin funkcione poetike duke na future në botën iracionale krijuese të të dashuruarit, në botën lirike.

Vasha që i rrotullon tufat e dhenve me thupër

Ajo që të befason në të tri variantet është imazhi apo pamja e lisit (pemës apo shegës) në mes të detit me nëntë apo tri tufat e dhenve që veç një vashë i rrotullon. Veç një vashë, një fyell apo një thupër e saj, nuk është asgjë tjetër pos fuqia e një dashurie të parealizuar që bën detin të ngrijë akull siç qe shprehur Q. Haxhihasani. 8 është ndjenja e madhe, është fuqia e asaj dashurie që bën çudira suç është edhe çudia e pemës në mes të detit, atij deti që do të ngrijë akull nga loti i manarit, Të befasojnë këto imazhe kaq të rralla e kaq të goditura artistikisht, që si burim kanë ndjenjën e madhe, ndërsa si ndërtim një ndërlidhje asociative të metaforave e simboleve duke u shquar paradoksi, kontrasti, antiteza. Ky imazh bartës i të gjitha varianteve vjen fill pas vargut që meriton një vëmendje të posaçme, sepse e zbulon pak a shumë “shkakun” e mbirjes së pemës në mes të detit bashkë me të gjitha ato që ndërlidhen me atë pemë.

Fjala është për vargun që u citua më lart, që gjendet në fillim të këngës “Kur të mora erën ty-e/Mora detin-o me sy-e”. Fjala çelës, jo vetëm e këtyre dy vargjeve, por e gjithë imazhit që do të pasojë për pemën në mes të detit, është këtu fjala erë në kuptimin aromë që gjithashtu nënkupton kontaktin e dy heronjve lirik erotik apo dehjen nga dashuria. Po të mos ngjante një dehje e tillë qoftë nga aroma erotike apo nga ndonjë shkak tjetër nuk do të mund të krijohej gjithë ai imazh me aq paradoks të thellë.

Se kënga për pemën në mes të detit, për vashën që i rrotullon tufat e dhenve me thupër apo me lajthi, do shikuar si një largim nga logjika e rëndomtë, nga realiteti, nga normat, nga rregullat nga gjuha shkencore, na flet edhe një mendim i theksuar në një rast se “që nga Aristoteli e gjer më sot gjuha poetike është vështruar vetëm e vetëm si një shmangie nga ndonjë lloj norme”. 9 Pra, këto këngë nuk mund të zbërthehen ndryshe po qe se nuk largohemi nga bota racionale e qëllimisht të thellohemi në botën e këngës, në botën e mallit të vashës, në sfera iracionale e të çuditshme që i krijon fantazia e atij që s’e ka bërë realitet gjakimin e shpirtit. “Ta hetosh një tekst letrar nga aspekti i së “vërtetës së tij “është jorelavante dhe do të thotë ta lexosh si jo letrar. 10 Thuhet në një rast me të drejtë. Kënga si tërësi poetike dhe gjuhë figurative poetike me bazën e paradoksit flet se “sharmi i poezisë nuk mundet të përimtohet në elemente racionale. 11

Në dy këngë të tjera poeti këndon një moment interesant të vashës në shtëpinë e dashnorit të saj, momentin kur atë e kap nostalgjia për vendin e lindjes, e bashkë me të edhe malli për një pjesë të jetës së kaluar atje. Dy këngë që rrahin një temë: vendlindjen apo mallin e ngrohtë ndaj saj si dhe fuqia e çuditshme e vendlindjes për njeriun që ka dalë nga gjiri i saj, një temë vërtet e rrallë dhe e ndërtuar me figurën e kontrastit, antitezës e sidomos të paradoksit. Fjala është për këngën “Agje nalt, në nji mahallë”, këngë e ciklit VII, në veprën “Këngë Popullore të Rrethit të Kukësit”. 12

Kjo këngë ka gjithsej 15 vargje. Në katër vargjet hyrëse këndohet një heshtje enigmatike e heroinës lirike: /”Agje nalt, në ‘i mahallë, / martoi nana t’parin gjalë. /muer ni nuse të pafjalë, /të pafjalë tash tetë-nan’vjet. ”/ .(vijon)

(Kosova Sot)