Kalendari kulturor Kosovë-Shqipëri, 'sa për sy e faqe'

  • 21 April 2019 - 17:20
Kalendari kulturor Kosovë-Shqipëri, 'sa për sy e faqe'

MINISTRIA JONË E KULTURËS PO BËN SPEKTAKËL

Vokshi: Nënshkrimi i protokollit për bashkëpunim kulturor -"Ripërtërija e Kalendarit" do të bjerë në ujë

"Artistët me forcat e veta po arrijnë, e tani po u del krah ministri ynë i Kulturës, po bën spektakël dhe mendoj që nuk ka njohuri as për teatrin, filmin ose artet pamore. Krejt ministrat janë politikë, hajde dreqi e marrtë që janë, bile të marrin vesh pak nga arti. Janë kukulla (marioneta) me një aktrim të vakët. Ministria jonë është në gjumë të thellë", theksoi për gazetën "Kosova Sot", shkrimtari Ilir Muharremi.

Ditë më parë, ministri i Kulturës në Kosovë, Kujtim Gashi, dhe homologia e tij nga Shqipëria, Elva Margariti, kanë zyrtarizuar Kalendarin e përbashkët kulturor midis dy shteteve për këtë vit. Nënshkrimi i protokollit është bërë të martën në Tiranë, vetëm një javë pasi Ministria e Kulturës në Shqipëri kishte dashur të tërhiqej krejtësisht nga ky bashkëpunim me arsyetimin për mungesë të buxhetit. Ministrat respektivë, për herë të gjashtë kanë ripërtërirë Kalendarin kulturor, i cili asnjëherë nuk është respektuar me përpikëri.

Ministri Gashi pas nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit ka thënë se bëhet fjalë për një ditë të rëndësishme dhe festive për gjithë komunitetin artistik në Kosovë e Shqipëri, por edhe për dy vendet pasi tashmë është krijuar një traditë e organizimeve të përbashkëta të aktiviteteve kulturore. Pas kësaj ka përmendur mundësinë e një fondi të përbashkët kulturor.

Përderisa nuk ka një llogaritje financiare se sa mund të kushtojë implementimi i Kalendarit Kosovë - Shqipëri, realizimii tij, po shikohet me skepticizëm.

 

Muharremi: Ky më shumë është spektakël për publikë dhe për t’i hedhur mjegull syve

Në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, shkrimtari Ilir Muharremi ka potencuar se gjithmonë suksesi qëndron te producentët e huaj dhe kjo u dëshmua. Ky më shumë është spektakël për publik dhe për t’i hedhur mjegull syve. Prej vitit 2014 cili është ai projekti më i suksesshëm Kosovë-Shqipëri?

“Gjithmonë jemi të qartë që kornizat e plota dhe të qarta ligjore janë ato që na krijojnë bazën e shëndoshë për të vijuar më tej një traditë, e cila ka kohë që ka filluar. Prej 2014 kultura ka treguar që i ka lidhur këto dy vende dhe këtë kultura gjithmonë e ka treguar"”, theksoi Margariti. I ka lidhur, po, por sa është avancuar në sferën e kulturës, sa është ngritur teatri Kosovë-Shqipëri ose filmi, apo artet pamore. Fare e aspak. Gjithmonë suksesi qëndron te producentët e huaj dhe kjo u dëshmua. Ky më shumë është spektakël për publikë dhe për t’i hedhur mjegull syve. Prej vitit 2014 cili është ai projekti më i suksesshëm Kosovë-Shqipëri? Asnjëri. Artistët me forcat e veta po arrijnë e tani po ju del krah ministri jonë i kulturës po bën spektakël dhe mendoj që nuk ka njohuri as për teatrin, filmin ose artet pamore. Krejt ministrat janë politik, hajde dreqi e marrtë që janë, bile të marrin vesh pak nga arti. Janë kukulla (marioneta) me një aktrim të vakët. Ministria jonë është në gjumë të thellë.

Kjo si urëlidhëse ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe aktivitete po mbeten vetëm rajonale. Ndërsa, e nevojshme është të dëshmohemi në botë përmes bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri mund të krijojmë projekte serioze p.sh në artet figurative Shqipëria mund të tregoj vuajtjet e sistemit, kurse Kosova ishte e hapur me artin modern botëror. Të shkëmbehen këto dy përvoja. Ndërsa, në artet vizuale Shqipëria ka ecur më mirë se Kosova, ne kemi stagnuar pak. Ndërsa, ministri Gashi në fjalën e tij u shpreh se kalendari i përbashkët kulturor mes dy vendeve për vitin 2019 parashikon aktivitete të shumta kulturore si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë. Cila kanë qenë këto aktivitete? Numëroji bile, apo janë vetëm fjalë të kota. Ky ndoshta proces si dokument dhe asgjë më shumë. Kosova ecën me forca te veta po ashtu edhe Shqipëria. Ky kalendar asnjëherë nuk është respketuar dhe nuk do të respektohet. Artistët janë në gjumë duhet të kthjellën pak.”

Vokshi: Nënshkrimi i protokollit për bashkëpunim kulturor -“Ripërtrija e Kalendarit” do të bie në ujë

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", njohësja e çështjeve kulturore Viloleta Vokshi, ka deklaruar se pesë vite me rradhë u nënshkruan në bazë të protokollit të bashëpunimit të lidhur mes ministrave të mëparshëm, kalendare vjetore të përbashëta kulturore, mirëpo shumë pak, apo më mirë të themi nuk pati asnjë aktivitet afatëgjatë kulturor.

"Duke u bazuar nga praktikat e viteve paraprake dhe implementimit të agjenendës së aktiviteteve kulturore së kalendarit të nënshkrimit për herë të parë në shkurt të vitit 2014, në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nga ministrat e asaj kohe ish minisrit të kulturës Memli Krasniqi dhe ish ministres Mirela Kumbaro, nuk mundemi të mos jemi skeptik: Që edhe sot, ku për herë të gjashtë nënshkruhet portokolli i bashëpunimit kulturor në mes të Tiranës dhe Prishtinës, nga ministrat aktual, Elva Margiti dhe Kujtim Gashi, se ky kalendar do të sjellë përmirësime në marrëdhëniet kulturore në mes të dy shteteve?..,ose më mirë të themi nënshkrimi i protokollit për bashkëpunim kulturor -“Ripërtrija e Kalendarit” do të bie në ujë!

Pavarësisht që atë kohë ishin takuar të gjithë drejtorët e institucioneve të kulturës dhe kishin caktuar datat e shkëmbimeve të prodhimeve kulturore nga të dy shtetet, por për shkak të kostos financiare të kalendarit, të dy ministrat të asaj kohe kishin mbetur gojëmbyllur.

Pesë vite me rradhë u nënshkruan në bazë të protokollit të bashkëpunimit të lidhur mes ministrave të mëparshëm, kalendare vjetore të përbashëta kulturore, mirëpo shumë pak, apo më mirë të themi nuk pati asnjë aktivitet afatëgjatë kulturorë.

Për shkak të mosimplementimit në një masë të duhur të këtij dokumenti dhe një peshe jo të madhe të tij dhe sot ku për herë të gjashtë, ministri Gashi dhe homologia e tij Margariti-Ripërtrinë” Kalendarin Kulturor”, disa institucione qendrore të Kosovës nuk ishin të përfshira në këtë bashkëpunim, çka don të thotë se kalendari nuk ka sjellë bashkëpunim të duhur kulturor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Plakolli: Tejet e habitëse se si do të funksionojë ky kalendar në të ardhmen

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", njohësi i aktualitetit në vend Militant Plakolli është shprehur se kur ministria përkatëse në Kosovë shqetësohej për mosfunksionimin e këtij kalendari, nga Republika e Shqipërisë kishte zëra dhe labilizëm në marrëveshjet e arritura, me pretekstin se mungojnë fonde dhe kushte materiale për inovimin e një çështjeje të tillë, gjegjësisht kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri.

"Deklarata e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Qeverisë të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, rezultoi me krijimin e një kalendari të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri, i cili u nënshkrua me 11 Janar të vitit 2014.

Dhe para pak ditëve të këtij viti, vetëm sa u ripërtëri (tani për tani formalisht) për të gjashtën herë me radhë, nënshkruar nga z.Kujtim Gashi, ministër i Kosovës për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe nga homologeja e tij nga Republika e Shqipërisë, znj. Elva Margariti.

Kjo ripërtërirje skeptike për kulturën e përbashkët të kombit tonë dëshmon vazhdën e dështimeve serike të këtij kalenderi të përbashkët kulturor, i cili nuk arriti të implementohet dhe të dhurojë frutet e tij të para për as edhe një herë të vetme.

Me një lule nuk çelë pranvera!

Me gjasë, kur ministria përkatëse në Kosovë shqetësohej për mosfunksionimin e këtij kalendari, nga Republika e Shqipërisë kishte zëra dhe labilizëm në marrëveshjet e arritura, me pretekstin se mungojnë fonde dhe kushte materiale për inovimin e një çështjeje të tillë, gjegjësisht kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri.

Megjithatë, ky kalendar, i cili për bazë ka zhvillimin dhe avancimin tutje të përbashkët të kulturës Kosovë-Shqipëri, e që për qëllim ka krijimin e një tradite për bashkëorganizime në aktivitete kulturore; si në teatër, film, muzikë, në shkëmbime e përvoja të përbashkëta në këtë drejtim, u mbijetojë gjashtë herë kushteve dhe rrethanave që i pamundësonin funksionimin dhe zhvillimin normal të tij.

Është krejtësisht e paqartë dhe tejet e habitëse se si do të funksionojë ky kalendar në të ardhmen, përveqse është aluduar në një fond të përbashkët të të dyjave shteteve tona për të mbështetur një marrëveshje të tillë.

Me gjasë do të ripërtërihet edhe një herë.

Duke qenë i kritikuar edhe në Kosovë nga instanca të ndryshme kulturore dhe po ashtu edhe në Shqipëri, nuk dihet filli i progresit të tij praktik në të ardhmen, e me gjithë nënshkrimin politik është vetë skeptike si marrëveshje edhe për vetë politikën, paramendojeni!

Është nevojë jetike për kulturën tonë si komb për të bashkëpunuar në cilën do fushë të artit, kulturës dhe sportit tonë,të mbështetura direkt nga dy qeveritë gjegjëse.

Porse, kjo do gjithë kreaturën konkrete nga të dyja anët dhe nuk mjafton dot dekorimi administrativ e mediatik me qëllime a temacione politike e populiste, që kulturës tonë të përbashkët Kosovë-Shqipëri do t'i rëndojnë edhe më shumë.

Konkretëshmëria e plotë e këtij kalendari të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri paraqet patriotizmin më të madh modern të shqiptarëve në Ballkan.

Bashkëpunimi i plotë kulturor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë hap rrugët e mbyllura dhe shtron trase të shumta për bashkëpunimin tonë kombëtar, përveq në politikë e kulturë , edhe në bashkëpunimin tonë (fatkeqësisht të vogël tani) në ekonomi.

Është shumë relevante dhe tejet ambicioze që ky kalendar të mirëfunksionojë tani e tutje dhe jetë shtafeta e artë për rilidhjen të kulturës tonë kombëtare.

Arti, kultura, rinia dhe sporti është diplomacia publike e Kosovës dhe Shqipërisë që premton më shumë se sa vetë instancat zyrtare diplomatike të të dyja vendeve.

Andaj, një marrëveshje e tillë do të duhej të ishte obligative dhe e detyrueshme për të dyja vendet tona".

(Kosova Sot)