Nicole Kidman shkëlqen më shumë se kurrë

  • 25 April 2019 - 09:06
Nicole Kidman shkëlqen më shumë se kurrë

Ylli i filmit “Big Little Lies” reflekton rreth karrierës, martesës, besimit të saj etj.

Nicole Kidman është ndër yjet e pakta të filmit, që kanë mbetur ende në Hollivud. Aftësitë e saj aktruese prej kameleoni janë bërë legjendë; bukuria e saj e pashoqe. Ndonjëherë e kemi të vështirë të besojmë se ajo është qenie njerëzore. Thënë shkurt, ajo është talent që nuk përsëritet dhe që nuk manifeston shenja të ngadalësimit. Ishte një rol i cili kishte rëndësi të veçantë, në filmin “Dead Calm” (1989).

Më pas ajo mori një kthesë e cila iu shpagua në filmin e regjisorit Gus Van Sant me titull “To Die For” (1995), për të vazhduar më pas që të ishte e zënë me filma të studiove të mëdha, si “Eyes Wide Shut” (1999), filmin e nominuar për Oskar, “Moulin Rouge!” (2001), si dhe, të njëjtin vit, “The Others”. Ajo mori Oskarin në kategorinë e aktores më të mirë, për rolin e Virginia Woolf-it në filmin “The Hours” (2002).

Pasuan aventura më të errëta artistike, të pasuara nga “Dogville” (2003); Birth (2004) që shkaktoi kontroversa për një skenë ku Kidman bën banjë me një fëmijë. Filmat sikur “The Stepford Wives” (2004), “Bewitched” (2005) dhe “The Interpreter” (2005) kishin më shumë karakter komercial. Në filmin “Fur” (2006), në rolin e Diane Arbus, ajo rruan tërë trupin e Robert Downey Jr. Më pas ajo lansoi kompaninë e vet të produksionit, “Blossom Films”, me hitin e festivaleve “Rabbit Hole”, për të shtyrë më pas kufijtë me vazhdimin e filmit të regjisorit Lee Daniels (Precious), “The PaperBoy”.

Vitin e kaluar ajo mezi njihej në filmin “neo-noir” “Destroyer”, e më pas në rolin e nënës nga jugu, e cila kishte djalin homoseksual, “Boy Erased”. “Big Little Lies”, seria me shtatë pjesë e cila mori 19 nominime dhe 13 shpërblime, shënoi kthim në ekranin e vogël, ku ajo shënoi fillimin e vet si adoleshente në Australi.

Kam bërë gjera të pamatura

“Kam bërë filma të çuditshëm dhe kam bërë gjëra kaq të pamatura, meqë më pëlqen arti performues dhe sjellja e ndryshme nga ajo që presin të tjerët”.

Kidman e bëri Nashvillin shtëpi të saj 13 vjet më parë, pasi që u martua me Keith Urban. (Nëse i vejmë gjërat në perspektivë, martesa e saj 10 vjeçe me Tom Cruise-n mbaroi dy dekada më parë). Urban, i cili ka marrë shumë shpërblime muzikore në zhanrin ‘country’, është një partner i denjë i saj.

E tërë familja e do muzikën. Faith, 8 vjeç, i bie violinës. Sunday, 10 vjeçe, e cila i bie pianos, është e interesuar edhe për punën e së ëmës.

Fëmijët e Kidmanit me Tom Cruise tani janë të rritur. I biri i tyre, Conner, merret me muzikë dhe jeton në Majami. Vajza e tyre Bella është e martuar dhe, së fundmi lansoi një linjë të bluzave “BKC” (Bella Kidman Cruise).

Mosha tipike e Hollivudit

Në moshën 51 vjeçe, Kidman është në atë moshë tipike të Hollivudit, ku sidomos nga aktoret pritet që të tërhiqen, duke u përqendruar te rolet në Broduej. Në vend të kësaj, Kidman shkëlqen më shumë se kurrë. Pas suksesit të vitit 2018 qëndrojnë dy role kryesore, si zonja Barbour në filmin “The Goldfinch” dhe si Gretchen Carlson në filmin ende të patitulluar të Jay Roach-it, që është biografi e Roger Ailesit.

“Big Little Lies”, bazuar në librin e shkruar nga Liane Moriarty, flet rreth pesë femrave, që të gjitha nëna, në komunitetin e Monterejit në Kaliforninë veriore. Nicole dhe Reese i kanë bashkuar forcat me kompanitë e tyre të veçanta të produksionit dhe e sollën këtë film në jetë në HBO.

Mjafton ta shikojmë Kidmanin në skenën ku është e vetme me terapeutin, duke vallëzuar rreth semantikës së dhunës familjare. Me regji të Jean-Marc Vallée dhe skenar të Kelley-t dhe Moriarty-t, performanca e Kidmanit rezultoi me tri shpërblime – SAG, Globi i artë dhe Emmy.

Kidman qanë shumë këtyre ditëve të fundit. Ajo ka një besim të fortë te Zoti dhe nuk frikësohet ta thotë këtë me zë të lartë. “Shumë miq të mi më tallin për këtë gjë”.

Familja Kidman-Urban shkojnë së bashku në kishë.

“Kështu i rrisim fëmijët tonë. Keith i ka besimet e veta, por edhe ai vjen në kishë. Kam pasur një gjyshe shumë katolike dhe unë jam rritur duke u lutur, prandaj kjo ka pasur ndikim të madh. Im at thoshte ‘Toleranca është gjëja më me rëndësi”.

Kidman thotë se tani ka më pak frikë nga vdekja, sesa më parë.

Një gjë që e ka Kidman edhe sot si e rritur, sikur kur ishte fëmijë, është entuziazmi i mëngjesit të Kërshëndellave. Ajo thotë se atë ditë bëjnë foto të shumta në familje.

(Kosova Sot)