Teatrove u kthehet buzëqeshja

  • 25 April 2019 - 09:13
Teatrove u kthehet buzëqeshja

Ministria e Financave i ka hapur rrugë funksionalizmit të teatrove të qyteteve. Të martën Komisioni i Granteve në kuadër të MF-së ka aprovuar financimin komunal për vitet 2020-2022.

Sipas njoftimit të MF-së, u aprovuan edhe kërkesat e komunave për rritjen e stafit dhe masës monetare për teatro për vitin 2020. Këtë e kishin kërkuar tetë komuna dhe Asociacioni i Teatrove të Qyteteve të Kosovës.

Me kërkesë i ishin drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Financave. Kërkonin nga 230 mijë euro në vit për secilin teatër për të funksionuar në mënyrë të rregullt. Pos kësaj kërkohet edhe angazhimi i stafit të rregullt të aktorëve e punonjësve të tjerë.

Kriza disavjeçare është e përbashkëta e teatrit “Dodona” në Prishtinë, “Bekim Fehmiu” në Prizren, “Muharrem Qena” në Mitrovicë, “Avdush Hasani” në Podujevë, “Adriana” në Ferizaj, “Hadi Shehu” në Gjakovë, “Istref Begolli” në Pejë dhe Teatrit të Qytetit të Gjilanit.

(Kosova Sot)