George Clooney dhe Christopher Abbott, një dyshe e suksesshme

  • 26 April 2019 - 09:19
George Clooney dhe Christopher Abbott, një dyshe e suksesshme

Kur Christopher Abbott hyri në dhomën e auditimit për ta lexuar rolin në “Catch-22”, George Clooney e përshëndeti atë duke mbajtur në kokë një helmetë të lëkurës

“Së pari mora frymë”, thotë Abbott. “Nuk isha aq nervoz”.

Kjo funksionoi. Abbott mori rolin e kapitenit John Yossarian, antiheroit bombardues të romanit të Joseph Heller-it me titull “Catch-22”, i cili kalon tërë kohën duke u përpjekur që të dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Helmeta, të cilën e mbante në kokë aktori George Clooney, ishte njëra ndër të shumtat të cilën Clooney dhe partneri i produksionit Grant Heslov mbanin rreth zyrës së tyre në “Smokehouse Pictures” në Los Anxheles — relikte nga “Leatherheads”, filmit të vitit 2008, i cili ishte i treti për Clooney-n si regjisor, të cilin ai e konsideron si dështim.

Me “Catch-22”, një seri të limituar të bazuar te libri i Hellerit i vitit 1961, që pritet ta ketë premierën më 17 maj në “Hulu”, producenti ekzekutiv dhe regjisori Clooney flirton me fantazmat e dështimit paraprak. Adaptimi filmik i vitit 1970 nga Mike Nichols, gjatë Luftës në Vietnam, ishte një dështim i famshëm. Richard Dreyfuss ishte në rolin e Yossarianit tri vjet më vonë, në një projekt pilot të CBS-së i cili mundohej ta përsëriste suksesin e “MASH”-it. Bile edhe vazhdimi i Hellerit, romani i vitit 1994 “Closing Time” nuk ishte kursyer nga kritikët.

Ekranizimi i romaneve të famshme, me rrisk

“Catch-22” është një vepër klasike e literaturës amerikane të mesit të shekullit XX, por të përpiqesh ta gjesh çka e bëri atë të tillë, është të jesh i dënuar për dështim. Dhe, në vitet qyshkur Hollivudi tentoi së fundmi ta ekranizonte këtë libër, kultura amerikane ka ndryshuar në atë mënyrë, saqë të metat e romanit, sidomos mizoginia e tij e haptë, nuk mund të anashkalohen më. Nëse gjërat shkojnë keq, Clooney mund të ketë nevojë për helmetën e lëkurës, kur të shfaqet premiera e filmit.

Clooney dhe Heslov në fillim nuk pëlqenin idenë e një qasjeje tjetër ndaj “Catch-22”.

“Nuk ia vlen që të merresh me ekranizimin e romaneve të famshme, meqë vetëm sa do të kritikojnë për një gjë të tillë”, thotë Clooney. Por, ata ranë në dashuri me skenarin e shkruar nga Luke Davies dhe David Michôd, sidomos me mënyrën se si ky skenar ironizonte me narrativën e famshme të romanit. Rëndësi të veçantë kishte edhe mënyra sesi skenari kishte ‘ri-inxhinjerizuar’ portretizimin e femrave në libër i cili, p.sh. i referohet njërës prej femrave më të rëndësishme në libër, me vetëm “kurva e Nately-t”, e tjetrës “motra e vogël e kurvës së Nately-t”.

”I tmerrshëm”, me këto fjalë Clooney përshkruan mënyrën me të cilën libri përshkruan gratë.

Femrat si pozita kryesore në projekt

Clooney dhe Heslov po ashtu kishin ndier nevojën që të sillnin femrat në pozita kryesore kyçe në projekt. Në mesin e femrave më të rëndësishme që ata kishin angazhuar, ishte Ellen Kuras, e cila bëri regjinë e dy nga gjashtë episodet e serisë; ata kishin ndarë detyrat regjisoriale në katër episodet e tjera.

“Ne ishim përpjekur që të ishim pjesë e zgjidhjes, e jo pjesë e problemit”, thotë Clooney, i cili po ashtu ka një rol të vogël në emision.

Clooney dhe Heslov besojnë se versioni i tyre i “Catch-22” ka një gjë tjetër të madhe interesante: Christopher Abbott.

Në filmin “Catch-22”, Abbott bën Yossarianin më të prekshëm dhe dikë në të cilin shikuesit mund të investojnë. Në mënyrë që të funksionojë rrëfimi, shikuesit duhet të duan që Yossarian të mos e luajë njëfarë heroizmi luftarak, por të heqë dorë nga një luftë e drejtë.

“Pjesa më e rëndësishme për ne ishte caktimi i rolit të Chris-it” thotë Clooney, i cili e bëri yllin e tij që ta shikonte një film tjetër të Nicholsit, atë të vitit 1971 me titull “Carnal Knowledge”, me në rol kryesor Jack Nicholsonin.

Edhe pse Abbott nuk është aq i njohur, ai ka punuar pa ndërprerë për rreth 10 vjet. Clooney e krahason atë në një moment me të riun Sam Rockwell, të cilit Clooney i ishte regjisor në filmin “Confessions of a Dangerous Mind” gati dy dekada më parë.

“Catch-22” ishte bërë gjatë gati pesë muajsh vitin e kaluar, në Itali. Seria sjell rrëfimin e Yossarianit, një bombarduesi të SHBA-së i cili fluturonte nervoz mbi Evropë kah fundi i Luftës së dytë botërore, i shqetësuar gjithnjë e më shumë rreth fatit të tij. Duke dashur që të mos vdiste, ai shtiret sikur i sëmurë, saboton misionet e tij dhe vazhdimisht tenton që të deklarohet i çmendur dhe i papërshtatshëm për të luftuar. “Catch-22” (triku, mashtrimi 22) nënkupton rastin kur një njeri i shëndoshë ka për qëllim t’i bindë mjekët se nuk është i aftë për të luftuar.

(Kosova Sot)