Neglizhohet shtatorja e Anton Çettës, Komuna e Shpendit nuk i siguron as një metër katror

  • 28 April 2019 - 15:25
Neglizhohet shtatorja e Anton Çettës, Komuna e Shpendit nuk i siguron as një metër katror

KOMUNA E PRISHTINËS, E PAPËRGJEGJSHME, PA RESPEKT NDAJ FIGURËS E VEPRËS SË PAJTUESIT TË GJAQEVE

Figura e Anton Çettës duhet të vendoset në ndonjë shesh të madh 

"Një përmendore më e madhe e mundshme humaniste shqiptare, e cila ngërthen në vete shuarjen e gjakmarrjes, pajtimin e familjeve të hasmuara, është një monument të cilin plaku i urtë Anton Çetta e ka ndërtuar në çdo cep të Kosovës... Por, si mund të shpjegohet fakti për dilemat se a duhet dhe ku duhet të vendoset shtatorja e të madhit Anton Çetta?..,janë të turpshme, të paskrupullta e të pakuptimta. Në përgjithësi, klasat politike e pushtetarët tanë, asnjëherë nuk kanë pasur asnjë pikë sensi për ta respektuar e për ta nderuar veprimtarinë humaniste e patriotike të intelektualit të shquar Anton Çetta, e lëre më për të siguruar ndonjë lokacion ku do të vendoset shtatorja e tij", thotë për "Kosova Sot", njohësja e çështjeve kulturore në vend, Violeta Vokshi.

Shkrimtari, profesori e patrioti shqiptar, Anton Çetta i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë gjatë viteve 90', në historinë dhe letërsinë shqiptare dha një kontribut të jashtëzakonshëm për vetëdijësimin e shoqërisë shqiptare. Megjithatë, sot institucionet tona nuk arrijnë dot një unitet për gjetjen e një lokacioni të caktuar për vendosjen e shtatores së tij në shenjë respekti ndaj figurës së tij. Nga tetori i vitit të kaluar, vepra kushtuar pajtuesit të gjaqeve, Anton Çetta, është gati për t'u vendosur në kryeqytet. Por, është Komuna e Prishtinës ajo e cila ende nuk e ka caktuar një lokacion për shtatoren e porositur nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale. Alternativa të ndryshme për lokacionin e vendosjes së shtatores janë përmendur nga krerët komunalë, por një vendim i prerë ende nuk është marrë. Kujtojmë se në korrik të vitit që shkoi, Instituti Albanologjik i Prishtinës e refuzoi kërkesën që shtatorja e A. Çettës të vendoset në oborrin e këtij institucioni me arsyetimin se nuk është vend adekuat, edhe pse dikur vetë Çetta ishte pjesë e këtij institucioni si udhëheqës i Departamentit të Folklorit.

Image

VOKSHI: KOMUNA E PRISHTINËS NUK ËSHTË FARE E VENDOSUR PËR GJETJEN E NJË LOKACIONI

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", njohësja e çështjeve kulturore në vend, Violeta Vokshi ndër të tjera është shprehur se në përgjithësi klasat politike e pushtetarët tanë, asnjëherë nuk kanë pasur asnjë pikë sensi për ta respektuar e për ta nderuar veprimtarinë humaniste e patriotike të intelektualit të shquar Anton Çetta, e lëre më për të siguruar ndonjë lokacion ku do të vendoset shtatorja e tij. "Një përmendore më e madhe e mundshme humaniste shqiptare, e cila ngërthen në vete shuarjen e gjakmarrjes, pajtimin e familjeve të hasmuara, është një monument të cilin plaku i urtë Anton Çetta e ka ndërtuar në çdo cep të Kosovës... Por, si mund të shpjegohet fakti për dilemat se a duhet dhe ku duhet vendoset shtatorja e të madhit Anton Çetta?..,janë të turpshme, të paskrupullta e të pakuptimta. Në përgjithësi, klasat politike e pushtetarët tanë, asnjëherë nuk kanë pasur asnjë pikë sensi për ta respektuar e për ta nderuar veprimtarinë humaniste e patriotike të intelektualit të shquar Anton Çetta, e lëre më për të siguruar ndonjë lokacion ku do të vendoset shtatorja e tij. Komuna e Prishtinës, e papërgjegjshme dhe e parespekt ndaj figurës e veprës së Anton Çettës, ka pak vullnet apo më mirë të themi, nuk është fare e përkushtuar për gjetjen e një lokacioni ku do të vendoset shtatorja e këtij personaliteti të një periudhe historike. Me refuzimin e lejes nga Instituti Albanologjik i Kosovës për vendosjen e shtatores së veprimtarit Anton Çetta në oborrin e këtij Instituti, fillon hapi i parë dhe më pastaj për të vazhduar edhe institucionet e tjera relevanteshtetërore, (tash e njëzet vjet), mosrespektimin e papërgjegjësinë ndaj personalitetit historik të Anton Çettës. Në të kundërtën, shtatorja e një shkrimtari, profesori të spikatur, i cili la gjurmë në Letërsinë Shqiptare, një patrioti të shquar shqiptar, me vlera të larta humaniste, i bën nderë Institutit Albanologjik dhe çdo vendi, ku vendoset një shenjë e tij". 

Image

MUHARREMI: SHUMICA E SKULPTURAVE NË KRYEQYTET NUK JANË TË VENDOSURA NË HAPËSIRA TË DUHURA

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", shkrimtari Ilir Muharremi ka potencuar se figura e Anton Çettës duhet të vendoset në ndonjë shesh të madh dhe afër të mos ketë objekte ose ndonjë skulpturë. Do të ishte hapësirë e duhur për këtë shtatore në hapësirën te Biblioteka Kombëtarë e Kosovës, te pjesa e gjelbërimit. "Nuk po munden të gjejnë hapësira të përshtatshme për këtë shtatore, sepse aty në oborr të Institutit ishte hapësirë shumë e ngushtë dhe shumë mirë që nuk është vendosur. Duhet komisioni profesional, i cili njeh mirë skulpturën në hapësirë dhe kohë t'ia gjejë një vend të mirë, sepse shumica e skulpturave në kryeqytet nuk janë të vendosura në hapësira të duhura, p.sh skulptura e Fehmi Aganit, në oborrin e Fakultetit Filologjik, hapësira shumë e madhe për një shtatore aq të vogël, dhe ai duket aty si një xhuxhë, kjo vërtet është për të ardhur keq. Pastaj, "New Born", në hapësirë shumë të ngushtë, "Bill Klintoni" i rrethuar me ndërtesa, e zvogëlojnë dhe e gëlltitin shtatoren. Do të ishte hapësirë e duhur për këtë shtatore në hapësirën te Biblioteka Kombëtare e Kosovës, te pjesa e gjelbërimit. Nga foto në internet që arrita ta shoh këtë shtatore është e nivelit realist, me përmasa aq sa vërejta të sakta, gjesti i tij, sytë, ana psikologjike, e buzëqeshur e me një dorë të zgjatur si për pajtim, ngjan me Çettën. Ndoshta në këtë kohë shumë moderne, shtatorja duhet të ishte pak më e stilizuar, jo te pjesa e fytyrës, por te elementet e tjera të trupit, sepse arti realist është i dalë mode. Shkëlqimi në fytyrë, pastërtia e tij vërehet shumë saktë. Duhet t'i ikim atij realizmi, sidomos në kohën e komunizmit ose realizmit socialist nga i cili ka vuajtur shumë Shqipëria. Të mos ngjajnë shtatoret e sotme me figurat e partizanëve, të mos jenë të atij niveli realist", u shpreh ai.

PLAKOLLI: PAK RESPEKT PËR PLAKUN E URTË

Në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", Militant Plakolli ka deklaruar se zvarritja dhe neglizhimi i një çështjeje të tillë nga Komuna e Prishtinës është po ashtu një gjë shqetësuese. "Vetëm keni parasysh një fakt; busti i Anton Çettës në Prishtinën e mbindërtuar do të zinte vetëm një metër katror në kryeqendrën dardane, aq sa për të dëshmuar se njeriu e plaku i urtë në kohë të pakohë e në gjendje e rrethana tërësisht anormale peligronte me dhjetëra e qindra kilometra për të dhënë shembullin hyjnor shqiptar, të tatuar kaherë me gjak; besën, faljen, bashkimin e shpëtimin tonë kombëtar, si fillesë, duke qenë të pajtuar çdo herë e në çdo kohë. "Anton Çetta, "burri e plaku i urtë", kështu e quante populli ynë shqiptar veprimtarinë e famozitetin e tij të pashoq në fushatën e iniciuar nga vetë ai për të pajtuar gjaqet e hakmarrjet, thuajse tribale në mes neve shqiptarëve, të betonuara thellë në rutinën tonë jetësore, ndër shekuj. Edhe më keq, nuk është më urgjente vendosja urgjente e një busti të tij në hapësirat publike të Prishtinës (qoftë edhe jashtë Institutit Albanologjik të Prishtinës) sa është shqetësuese moskujdesi dhe shpërfillja totale ndaj figurës së tij dhe ndaj shumë figurave të tjera të thurura në lavdi e tani të thurura në harresë, që në kohë të vështira punuan aq shumë me mundime e stërmundime, të palëkundur e kokëlartë në të mirën e kombit shqiptar", theksoi Plakolli.

Armend Preteni

(Kosova Sot)