Thënë troç

  • 29 prill 2019 - 09:33
Thënë troç

Pse Hollivudi urren muzikën e zhanrit pop?

 “Vox Lux” tanimë ka dalë në kinematë botërore

 Filmi i ardhshëm i aktores Natalie Portman, me titull “Vox Lux”, është më i fundit i cili muzikën pop e shpreh si bosh dhe të mjerë, derisa për zhanret e tjera, si ‘country’, rok dhe rep, thuhen fjalë të mira

“Në vitin 2011, Celeste mbeti e verbër, pasi që kishte pirë produkte higjienike”. Kështu deklaron narratori i Willem Dafoe-s në aktin final të “Vox Lux”, filmit të ri të aktores Natalie Portman rreth një ylli të popit që kishte pushtuar botën. Ky është një film i cili nuk flet rreth famës së këtij zhanri, por që e godet ‘poshtë belit’ botën e muzikës pop.

Në gjysmën e parë të filmit, Celeste është një yll adoleshent në ngritje e sipër (rol që luhet nga Raffey Cassidy); në gjysmën e dytë, Portman luan rolin e një ylli të çrregulluar të muzikës pop, që ka ngjashmëri me yjet, si Madonna, Britney, Gaga, Ariana dhe – sipas regjisorit të filmit, Brady Corbet – Kanye West. Në momentet midis këtyre dy ekstremeve, ajo ka një vajzë, pra është bërë prind në moshën adoleshente. Ajo po ashtu përzihet në një sulm terrorist. Sido që të jetë, në asnjë periudhë të jetës së vet, ajo nuk kënaqet. Ndoshta kjo është e tëra sa i përket muzikës pop gjatë shekullit XXI, të paktën në filma, ku humbja e kredibilitetit dhe vuajtja e një rënieje tragjike janë tema që përsëriten.

Filmat biografikë të këngëtarëve

Ekziston një traditë e pasur e filmave biografikë të këngëtarëve, realë apo imagjinarë, që kanë përjetuar vështirësitë e jetës dhe tërë këtë e pasqyrojnë në muzikën e tyre. Por, ata rrallëherë e bartin këtë në këngët e zhanrit pop. Ata e transmetojnë këtë në muzikën “country” (Walk the Line, Crazy Heart, Coal Miner’s Daughter ose, për të dhënë ndonjë shembull më konkret, “Wild Rose”), hip-hop (8 Mile, Hustle & Flow, Straight Outta Compton, bile edhe Get Rich Or Die Tryin’), ose te zhanri post-punk indie (Control, Gus Van Sant’s Last Days, ose Elisabeth Moss me hitin e ardhshëm Her Smell).

Destinacioni i këtyre filmave është një vetëdije vështirë e fituar dhe një autenticitet, shpesh të vulosur me një vdekje të hershme. Rrëfimet e muzikës pop, në anën tjetër, tentojnë që të shkojnë në drejtim të kundërt, duke u përqendruar te shitja.

“Vox Lux” na çon nëpërmes procesit të prodhimit. Në një moment ironik, bile edhe Alanis Morissette arrin sukses, derisa Celeste bëhet e famshme si pasojë e një të shtëne në shkollën e mesme. Në një memorial, ajo performon një baladë prekëse, të shkruar në shtratin e saj të spitalit, ku thotë se ‘nuk kam kënd të ma tregojë rrugën’.

Suksesi i saj varet nga disa gjëra: studiot muzikore, takimet e menaxhmentit, mësimet e vallëzimit, video incizimet. Jude Law luan rolin e menaxherit të saj. Ai është paksa i poshtër, por a nuk janë të gjithë të tillë? Ne e shohim atë duke performuar një këngë “electropop” të quajtur “Hologram”, të shkruar nga Sia.

Skena e famshme “Shallow”

Pasi që me të shpejtë kalon një dekadë dhe Celeste është e tëra kërkesa, kaotike dhe e pasigurt, duke kënduar rreth të qenit “një vajzë private në një botë publike”. Çka mundohet ajo të thotë? “Shumë këngë që paraqiten në këtë film, nuk janë dizajnuar për masa”, thotë Corbet për “Washington Post”. “Me vazhdimin e filmit, këngët sikur ndryshojnë. Titujt e këngëve të mëtejme flasin rreth gjeneraliteteve dhe banaliteteve që ngjajnë me leximin e letrave tarot”.

Derisa Celeste demonstron ngjashmëri me Lady Gagan përmes veshjeve të saj, Stefani Germanotta e vërtetë na ka dhënë versionin e vet të rrëfimit të saj, edhe atë dy herë. Së pari ishte dokumentari i “Netflix”-it, “Five Foot Two”, i cili po ashtu bëri që të qenit yll një gjë tepër të mërzitshme. Përgjatë tërë filmit ne e shohim Gaga-n në gjendje të ndryshme të mjerimit dhe krizës: duke u trajtuar për dhembjen e saj të madhe të shpinës (pas një lëndimi në skenë) dhe duke u ankuar se sa e vetmuar është. Bile as lajmi që filmi “A Star Is Born” kishte marrë dritën e gjelbër, nuk e gëzon atë kushedi sa.

Në vet filmin “A Star Is Born”, heroina e Gaga-s heroine, Ally, tërhiqet në dritë, e më pas në thellësi, nga Bradley Cooper, në atë skenën e famshme “Shallow”. Por, Ally largohet nga zhanri “country” në “pop”; pas pak momentesh ajo shihet e rrethuar me valltarë meshkuj duke performuar hitin e muzikës pop, të quajtur “Why Did You Do That”?

Në mënyrën e tij të dyshimtë, edhe filmi “Bohemian Rhapsody” ofron të njëjtin argument, edhe atë brenda hapësirës së një skene të vetme, bizare. Është kur basisti John Deacon e prezanton bendin me këngën e tij të re, “Another One Bites the Dust”. “Ne jemi bend i rokënrolit, ne nuk bëjmë muzikë disko”, proteston daullexhiu Roger Taylor.

Duke tentuar që ta paraqesin anën e errët të muzikës pop, filmat si “Vox Lux” kanë harruar pse ky zhanër është kaq madhështor, në rend të parë.

“Vox Lux” tanimë ka dalë në kinematë botërore.

Në mënyrën e tij të dyshimtë, edhe filmi “Bohemian Rhapsody” ofron të njëjtin argument, edhe atë brenda hapësirës së një skene të vetme, bizare. Është kur basisti John Deacon e prezanton bendin me këngën e tij të re, “Another One Bites the Dust”.“Ne jemi bend i rokënrolit, ne nuk bëjmë muzikë disko”, proteston daullexhiu Roger Taylor.

(Kosova Sot)