Madonna do të ndezë skenën e Eurovision-it në Maj

  • 08 May 2019 - 17:35
Madonna do të ndezë skenën e Eurovision-it në Maj

Ka arritur t’u rezistojë shijeve të gjeneratave të ndryshme, duke u bërë ikona botërore në fushën e muzikës e të modës.

Është kjo Madonna, e cila u përkujdes të thejë shumë tabu, për të cilat dikur as që diskutohej.

Me veshje, këndim e sjellje, ajo solli e para shumë veshje e stile që sot mbajnë emrin “modë”.

Ishte Madonna ajo që tregoi e para rëndësinë e gruas dhe rolin e saj në industrinë e muzikës.

Sot, ajo edhe pse në moshë e me një bagazh që edhe po ta linte muzikën do vazhdonte të ishte “top”, nuk ndalet duke sjellë muzikë të re dhe duke qenë kryefjalë në mediat rozë.

Prej kohësh është duke u përfolur se diva e muzikës pop do të jetë e ftuara speciale e edicionit të radhës të Festivalit Evropian të Këngës, “Eurovizion”, ku do të japë një performancë mahnitëse.

E shanset për këtë pjesëmarrje të yllit botëror në Tel Aviv janë shumë të mëdha, kanë shkruar këto ditë mediat britanike, ani pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga vetë Madonna ose ekipi i saj.

Nëse veç Madonna do të merrte pjesë në “Eurovision”, kjo do t’i jepte një pamje, shije e reputacion tjetër këtij festivali, i cili viteve të fundit, sipas sondazheve të ndryshme, ka shënuar rënie të shikueshmërisë.

Kujtojmë se në vitin 2016, i ftuar special në këtë festival evropian ishte edhe një tjetër emër i madh i muzikës e filmit, Justin Timberlake.

Ndryshe, “Medellin” mban emri projekti i fundit i Madonnës në bashkëpunim me këngëtarin latino-amerikan, Maluma, projekt që për një javë numëron rreth 20 milionë klikime.

“Eurovizion 2019” do të nisë javën tjetër, dhe do të mbahet më 14, 16 dhe 18 maj.

(Kosova Sot Online)