A jemi 'lopë' sipas Sislej Xhafës

  • 21 maj 2019 - 18:44
A jemi 'lopë' sipas Sislej Xhafës

Shkruan: Ilir Muharremi

E bukura e adhuruar shpreh natyrën personale, karakterin saktësisht zakonet e artistit, prandaj është personalitet që në mënyrë arbitrare identifikohet me ndjeshmërinë. Arti është ngacmim, provokim, sinqeritet, trans, shpirt, dhimbje, dehje, ekstazë dhe në kuptim të gjerë iluzion real i objektivizmit dhe subjektivizmit. Ideja dhe koncepti rrënjësisht ballafaqohen me kreativitetin në art, japin atë sasinë e iluzionit të dëshiruar që përshkon me çdo adhurim estetik. Ballkani, Evropa dhe SHBA-ja janë vërshuar me rryma, lëvizje, koncepte të ndryshme të artistëve. Pa dyshim duhet përmendur artistin provokativ konceptual Sislej Xhafën, i cili ngacmon botën, me një art provokativ, domethënës, revolucionar, të një zhanri apo teknike që përkon me ndijimin e pjesërishëm të pandashëm me personalitetin e tij. Sislej I lindur në Pejë në vitin 1970. Aktualisht jeton dhe punon në Neë York. Ai ka prezantuar punimet e tij në ekspozita të shumta në vende të ndryshme të botës, si: Kaliforni, Itali, Turqi etj. Për punën e tij artistike ai është shpërblyer me çmime të shumta si “Onufri” në Tiranë, “Biella 2001” nga fondacioni “Pistoletto” etj.

Lopët e Xhafës në Galeri Kombëtare të Kosovës në Prishtinë

Vitin e kaluar u hap ekspozita personale e Sislej Xhafës në Galerinë Kombëtare. Stalla e lopëve në hyrje të Galerisë. Aty qëndruan disa muaj lopët e mbyllura në një nxehtësi të madhe. Pse të mbyllura e jo të lira nëpër Galeri ose pranë Galerisë, apo të shëtisin nëpër dhoma. Ndoshta është dashur kjo të jetë sepse i kemi harruar lopët ato të cilat i kemi mjelë çdo mëngjes për të prodhuar qumësht të cilin e kemi vluar. Xhafa na kthen në kohë, ndjejmë erën e tyre, bajgat, mushkonjat, dhe këto bëhen të padurueshme e dikur ishin të durueshme. A ishte si ide e qëlluar kjo? Lopët e harruara në qendër të Prishtinës, afër institucioneve më të vlefshme si Fakultete, Biblioteka, Galeria. Por, lopa nuk e provokon këtë dije, lopa bën një kthim në kohë. Aty ishin tetë lopë të izoluara. Pse numri tetë? Simbolika e numrit tetë është kjo: Njerëzit e fuqishëm dhe të suksesshëm preferojnë 8­-ën. Ajo lidhet me Uranin, i cili i bën njerëzit më materialistë dhe të dhënë pas punës. A e kishte renditur në këtë kuptim Xhafa? Nuk e besoj. Ideja është analizuar mirë, edhe nëse kalimtarët do të kalojnë pranë Galerisë të cilët ndjejnë erën e lopëve. Krejt është një kujtim, thirrje, rilindje e asaj të moçmes. Kjo nxiti reagime dhe të gjitha qenë të kota. Protestuan si shenjë revolte ndaj trajtimit të keq të kafshëve. Protestuesit mbanin në duar Hamburger i cili përmban mish të lopës, dhe përgjigja e Xhafes ishte : ““Unë jam vegjetarian. Ju dua pa e ditur”. A krahasohej lopa me njeriun në ekspozitën e Xhafës? Nëse do ta bënte një krahasim të tillë do ta fyente lopën sepse ajo është e pafajshme.

“Barka 2011”

“Barka 2011”, e cila është e mbaruar me këpucë grash, fëmijësh, e burrash, rrëfen për gjurmët e refugjatëve Sirianë të cilat ende nuk mbarojnë. Këpucët janë të ngjitura dhe krijojnë një barkë të madhe si simbol i barkës e cila përdorej për arratisje nga sirianët. Nëse futesh në barkë, ndjenë aromën e këpucëve e cila t’i kujton klithmat dhe vuajtjet, ose tragjeditë e atij populli që ngjasojnë me popullin tonë Kosovar gjatë lutës 1998-99. Këpucët përdoren më shumë si dëshmi të cilët janë të baltosura.

Xhafa Në Bienale të Venedikut

Në vitin 2017 artisti Sislej Xhafa u prezantua në Bienalen e Venecias me një ekspozitë të fuqishme që ngërthente fuqinë, shkatërrimin dhe vuajtjen që e ka kaluar Kosova gjatë luftës së fundit. A u dallua Xhafa? Natyrisht dhe gjithmonë është provokativ dhe ngritë problemet politike dhe historike të një vendi. “Lost and Found” titullohej vepra e tij që trajtonte luftën dhe dhunën dhe njerëzit e zhdukur në luftën e fundit të cilët edhe sot mungojnë. Këtë dhimbje e vuan gjithë Kosova dhe Xhafa e nënvizoj përmes zërit të tij protestues me kërkim të drejtësisë duke e treguar se artit i takon ta trajtojë këtë temë. Ai kërkon paqen këtu sepse donë ta zgjidh problemin ( në kërkim të zbardhjes për njerëzit e zhdukur) ende e dëgjoj atë zërin e Xhafës “Ndaluni!” Vuajtja e këtyre njerëzve duhet të pushojë. Ujërat e epifanisë dhe pagëzimit duhet t’i japin shqiptarëve të stërmunduar paqen, gëzimin dhe lumturinë e munguar.

Dhuna dhe lufta është ajo që i zhduk njerëzit. Sot kemi shumë familje të zhdukur që ende nuk dihet asgjë për ta. Arti nuk po depërton në veshët e shurdhër të politikës ose politika nuk ka vesh për artin. Ose politika ka strategji dhe nuk e dëgjon zërin këmbues të së vërtetës për artin. Kjo luginë e vdekjes, ky Ballkan me erë baruti dhe mallkim i shekujve ende jeton me mungesë paqeje.

Kjo vepër e Xhafës ishte e hapur ndaj shumë pyetjeve por rezultati ishte i qartë “në kërkim të drejtësisë”. Ja ky ishte instilacioni siç shihej dhe siç e rëfente vet Xhafa: “Instilacioni është krijuar me një strukturë kaci dhe është pikërisht një sportel “Lost and Found”, ose më saktë ‘Objekteve të humbura’. Por nuk ka asnjë brenda, dhe do të jetë gjithmonë bosh. Zakonisht në aeroporte apo në stacione gjenden këto vende ku shkojmë nëse humbasim një xhaketë, për shembull, dhe kam dashur të nënvizoj se nuk duhet të jetë ende kaq e dhimbshme, por e pranishme në një mënyrë disi “indirekte”, por në të njëjtën kohë është e rëndësishme të vazhdosh të bashkëveprosh, të kërkosh gjithmonë drejtësi, dhe të vazhdosh të kërkosh këta njerëz që janë zhdukur”.

Njerëzit hynin në hapësirë shihnin të shkruarën “Lost and Found”, gjendet një telefon, presin zilen dhe zilja nuk bie kurrë. Nuk ka linjë aktive të telefonit. Kishte edhe lista me emra të njerëzve të zhdukur. Kuratore e punës së Xhafës ishte drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës Arta Agani. Ekspozita veçohej me kërkim të një rezultati real dhe vendosje të një drejtësie sepse arti shpesh herë është ndërmjetësues.

“Padre Pio” i Xhafës

Polemikat, kureshtjet u vërshuan qysh në vitin 2003, kur artisti Xhafa me veprën “Padre Pio” u shfaq në ekspozitën “The Nature of Art” në San Lorenzello. Kjo vepër bëhet provokuese ngase në thelb prekë fenë dhe figurën paksa të karikuar të Pios. Artsiti tregon guxim, zellë, karakter të fortë, një kritikë të gjykimit dhe mesazhi adresohet tek shenjtorët të cilët gjithnjë ruajnë, kontribuojnë marrëdhënie me realitetin, dhe kjo njerëzve ua zbukuron jetën. Tjetër çka e karakterizon këtë vepër gjigante është se kur mungon kreativiteti në politikë, ekonomi, dominon papunësia, andaj oferta më e mirë është e turizmit religjioz. Shikuesi pa hezitim mund të futet në kokën e Pios dhe të vështroj botën, ashtu si e ka vështruar Pio, ky është një element tjetër që e faktorizon këtë vepër madhështore. Religjioni ende mbetet pyetja dhe përgjigja më e madhe në globin tonë. Ekonomia është triumf më i madh, nga e cila rrodhën vuajtjet. Krentonti në antikë thoshte: “Gjënë më të keqe që shpiku njeriu është paraja”. Për paranë, shkrijmë ndjenjat, lotët, ritmin e zemrës, i nënshtrohemi me të gjitha forcat, për ta kapur dhe dominuar botën. Mirëpo, qetësia shpirtërore adresohet tek religjioni. Më e logjikshme do ishte të meditohet në vetën e parë, dhe të arrihet kulminacioni individual i personalitetit.

“Y”psilon”

Vepra tjetër e Xhafës e vendosur në parkun e Cyrihut, Hardaupark në formën e “Y”psilon, e lartë 16 metra, e ngritur në formë skulpturale, një objekt me pamje të llastiqeve gjigante. Gypa të mëdhenj, të gjerë të shtrirë mbi tokë, pranë tyre një vrimë e zezë. Mos punëtorët paskan hasur në naftë dhe tash po i vendosin gypat e bartjes? "Pse jo", thotë përgjegjësi i gjithë kësaj, Xhafa.

Ai ndjehet mirë që njerëzit e interpretojnë artin e tij në mënyra të ndryshme. "Unë mësoj me kënaqësi nga kjo". Artisti prodhon artin e plason në treg, konsumatori bredh nëpër të, konsumon produktin më të mirë dhe më të përafërt me ndjenjat e tija. Triumf më i zakonshëm i veprave konceptuale qëndron në faktin që t’i shprehin nuancat e kapshme por, në disa raste edhe të pakapshme dhe të paformësuara, përmes imazheve të rrepta ose kundërthënëse. Si p.sh : forma, përmbajtja, mendimi apo materia. Karakteri, inteligjenca ana intime, aktualiteti, karakterizojnë krijuesin Xhafa nëpër punën e tij. E veçanta e një videoje, në të cilën dominon figura e vet krijuesit Xhafa, është se një person tinëzisht fut dorën në xhep të një personi, me tentim për të vjedhur. Qëllimi i punimit është të theksohet se “hajnia” është profesion. Sikurse një jurist, mjek, avokat që ka profesionin e tij, po ashtu edhe hajduti ka këtë profesion. Kemi edhe video artin tjetër të prekshëm të Xhafës, ku shihen dy homoseksualë, duke luajtur në një fontanë të mbushur me ujë. Gjatë gjithë lojës, ata nuk i përmbajnë ndjenjat për njëri tjetrin, dhe shprehin publikisht puthjet. Kuptimi fshihet pas asaj se secili njeri, qoftë intelektual, hajdut, mjek, mbinjeri, gjykatës, ka kënaqësinë, vuajtjen, lojën, dëshirën, shpresën, dhe të gjitha këto i plason në këtë botë. Njerëzit i bëjnë rregullat dhe duhet të ketë rregulla për çdo person. Andaj, nga gjithë kjo që u tha, do e rrumbullakoja se arti i kosovarit Sislej Xhafa, prezanton një kulturë ballkanase, të shtypur, të vuajtur, gjithnjë të luajtur nga dikush tjetër. Apo e bukura arkitektonike, nuk është seksion i artë që teorikisht vlen kudo, po me radhë ajo është kurorë, hark i plotë, i mprehtë, vijë valëvitëse, e tendosur e stileve moderne, simetri, desimetri që shkon me evolucionet e një pëlqimi universal.

(Kosova Sot Online)