Malësori , artist i mirëfilltë, i cili di jo vetëm të kënaq publikun shqiptar, por edhe të respektojë atë

  • 18 July 2019 - 22:30
Malësori , artist i mirëfilltë, i cili di jo vetëm të kënaq publikun shqiptar, por edhe të respektojë atë

Gjekë Gjonaj

Arti dhe kultura janë ato që ruajnë dhe mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar kudo që kemi lindur, kudo që shkojmë apo kudo jetojmë. Por , dashuria për një art, apo për një shërbim të tillë , aftësohet përmes vullnetit dhe talentit që posedon njeriu. Edhe këngëtari i mirënjohur nga Trieshi ( Malësi e Madhe) Malësori e kishte një ndjenjë të lidhur me dashurinë për këngën , e cila i lindi që në moshën e fëmijërisë, të cilën e vazhdon edhe sot me pasion e sukses. Dhe për të ndjekur këtë rrugë artistike ai nuk e kishte aspak të lehtë, madje shumë të vështirë. Sepse lindi në një mjedis jo shqiptar, në Podgoricë, ku edhe përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm, në gjuhën jo amtare serbo-kroate. Edhe pse gjatë kësaj faze të shkollimit nuk mësoi asgjë për kulturën dhe historinë e shqiptarëve në shpirtin e tij të pastër si engjëll, e ndjente dashurinë për popullin e vet. Kërkimin të tij për vetveten, për rrënjët, e gjeti tek dajat, të fisit Gjonaj, në fshatin Rudinë , rrëzë malit të Qytezës, ku edhe fillon dashuria e tij e parë për muzikën, për veglat muzikore , për këngën shqipe dhe për vallet tona popullore, duke u përfshirë në SHKA “ Besa” , e cila ka qenë, është dhe shpresoj se do të mbetet institucioni më i lartë kulturor i Trieshit. Pikërisht ky ansambël folklorik, rëndësia e të cilit qëndron në ruajtjen, kultivimin, zhvillimin dhe afirmimin e vlerave të njëmendta të kulturës kombëtare , ishte ajo lule e bukur ku Malësori ( atëherë quhej Zvonko) nuhati dhe e mori nektarin e parë të muzikës shqipe , duke e mbushur atë me dashuri ndaj kulturës muzikore, dhe vlerave kulturore , të cilat burojnë nga thesari popullor. “ Besa” i ofroi atij mundësinë që të shfaq talentin e tij në fillim si instrumentist, me çifteli e sharki, e më pas edhe si këngëtar. Këto vlera artistike që ruajnë identitetin kulturor të Trieshit dhe të trojeve tjera shqiptare e mbushën atë gjithmonë me frymëzim dhe e shtynë në kërkime të reja drejt rrugëtimit muzikor. Në moshën e tij të pjekurisë , ky adhurues i kulturës shqiptare, bëri revolucionin e tij të parë. Ndërroi emrin e tij të pagëzimit, mbase, pasi u brumos me tharmin shqiptar, ishte i vetëdijshëm se nuk i përshtatet as përkatësisë së tij kombëtare, as formimit të tij njerëzor e shpirtëror. Nga dashuria dhe nostalgjia që kishte për Malësinë e munguar për shumë vite zgjodhi emrin e sotëm shumë të bukur, me të cilin tashmë është bërë mjaft i njohur, por edhe i dashur për shumë artdashës në hapësirën mbarë shqiptare.

Me shembullin e Malësorit krenohet e gjithë Malësia dhe më gjerë. Për faktin se ka shumë pak të rinj shqiptarë si ky në Malin e Zi që e fitoi luftën e vështirë, gati të pamundur ndaj asimilimit të plotë. Dhe atë falë mbi të gjitha dashurisë së jashtëzakonisht të madhe që kishte për të ruajtur gjuhën, gjakun, kombin, kulturën, traditën dhe flamurin shqiptar. Populli ynë nuk thotë kot: “ Gjaku nuk bahet ujë”.

Një këngëtar që iu bie disa veglave muzikore, siç ka pasur shansin Malësori , ka shumë më tepër mundësi që të ketë sukses në interpretimin e këngës, që nuk është aspak i lehtë, por kërkon shumë punë, përkushtim dhe vullnet. Në këtë rrugëtim muzikor ai zgjodhi Prishtinën, ku jeton tash 18 vite. Me vete nga Trieshi mori dashurinë për këngën dhe një pjesë të traditës shqiptare , të cilat dita-ditës iu thelluan në shpirt dhe u bënë pjesë ( moto) e jetës së tij.

se Malësori ka një veprimtari të gjatë dhe të suksesshme artistike në skenën muzikore. Gjatë karrierës së tij të gjatë muzikore, duke bashkëpunuar me artistët më në zë shqiptarë, krijoi dhjetëra këngë popullore ( balada fillimisht) me motive të ndryshme, dashurie, sociale, kombëtare .... Është autor i disa albumeve e videoklipeve. Veçmas u bë i shumë i njohur tek shqiptarët me këngën “ Kthehu” në vitin 2003, një hit i vërtetë i kohës që vazhdon të jetojë gjithmonë në zemrat e shqiptarëve që janë larguar nga vendlindja. Këndoi qindra këngë të Malësisë dhe të trevave të veriut shqiptar, të Malit të Zi, Kosovës , Maqedonisë, por edhe të krahinave tjera etnike shqiptare, sikurse edhe në diasporë, në dasma e gëzime të tjera familjare. Kontribut të çmuar ka dhënë edhe në disa koncerte të mëdha kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heronjve shqiptar si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, e luftëtarë të tjerë të njohur të UÇK-së . Malësori pati guximin që, ndjenjat e krenarisë sonë kombëtare, të gëzimit e hidhërimit të popullit shqiptar , që janë pjesë të jetës, pa të cilat jeta nuk do të kishte kuptim , dhe emocionet e tij shpirtërore t’i ligjëroi (shpreh) përmes këngës, e cila është ajo që i trajton dhe i shëron plagët e saj. Kudo është mirëpritur dhe duartrokitur për zërin e tij të ëmbël , karakteristik, të veçantë dhe sjelljen e tij shembullore si artist i mirëfilltë, i cili di jo vetëm të kënaq publikun, por edhe të respektojë atë.

Kujtojmë se Malësori ka një veprimtari të gjatë dhe të suksesshme artistike në skenën muzikore. Ka bashkëpunuar me këngëtarët më në zë shqiptarë dhe ka shfaqur qindra koncerte në Mal të Zi, Kosovë e vende të tjera . Kudo është mirëpritur dhe duartrokitur për zërin e tij të ëmbël , karakteristik, të veçantë dhe sjelljen e tij shembullore si artist i mirëfilltë, i cili di jo vetëm të kënaq publikun, por edhe të respektojë atë.

Vlen të përmendim se Malësori këto ditë publikoi edhe këngën e tij të re “ Llafe – llafe”, e cila pritet të jetë një freskim i këndshëm për adhuruesit e tij në këtë stinë përvëluese të verës.

(Kosova Sot Online)