Mbi 20 artistë në Natën e Bardhë në Prizren

  • 14 shtator 2019 - 09:39
Mbi 20 artistë në Natën e Bardhë në Prizren

Sonte në Prizren do të mbahet Nata e Bardhë duke bërë që qytetit kosovar t’i bashkohen mbi 30 qyteteve anembanë botës si Parisi, Roma, Montreali, Toronto e Madridi, të cilët po ashtu organizojnë këtë ngjarje.

Tema e këtij edicioni është “Qyteti i hapur” ndërsa do të mbahen aktivitete të ndryshme artistike.

Në këtë edicion do të jenë gjithsej 16 aktivitete në lokacione të ndryshme brenda Qendrës Historike të qytetit, ku do të performojnë mbi 20 artistë.

Ceremonia e hapjes do të jetë në ora 19:00 pranë Urës së Gurit, për të vazhduar më pas me itinerarin sipas programit.

Sipas njoftimit, dy rrugët kryesore të qytetit, rruga “Remzi Ademaj” dhe rruga “Adem Jashari”, do të jenë pjesërisht të bllokuar për qarkullim të veturave. Rruga do të jetë e bllokuar nga kthesa që lidhet me rrugën “Faik Emrush”, deri tek udhëkryqi përballë PTK-së. Ky segment rrugor do të jetë i mbyllur vetëm ditën e shtunë nga ora 17:00 e deri në ora 07:00 në mëngjes.

Ndryshe, Nata e Bardhë është iniciuar nga nënkryetari i Parisit, Christopher Gerard në vitin 2001 dhe më pas u zgjerua në shumë vende të tjera të botës. Ky aktivitet artistik organizohet çdo vjet nga Komuna e Parisit, ndërsa ideja është që një natë e vetme t’i dedikohet kulturës dhe performancave artistike.

(Kosova Sot Online)