Ku ishte Kadare, në momentin kur u dha çmimi “Nobel”

  • 11 October 2019 - 12:39
Ku ishte Kadare, në momentin kur u dha çmimi “Nobel”

Ismail Kadare ka vijuar rutinën e tij të përditshme duke pirë kafe tek Juvenilja pranë Parkut të Liqenit me botuesin dhe mikun e tij Bujar Hudhri, ndërsa në akademinë suedeze të çmimeve Nobel diskutohej emri i tij.

Media ishte aty pranë për të tentuar një reagim para se të jepej çmimi, por shkrimtari dhe botuesi i tij nuk janë shprehur. Në kohën që doli lajmi nga Akademia Suedeze, Kadare ka reaguar me qetësi dhe i qeshur.

Media ka fotot e tij në momentin kur u ndanë çmimet Nobel në Letërsi për vitin 2018 dhe 2019, të cilët shkuan për shkrimtaren polake Olga Tokarczuk dhe shkrimtarin austriak Peter Handke.

Juvenilia  është vendi i preferuar i Kadaresë gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë dhe këtë e di çdo mik apo adhurues i letërsisë së tij, edhe pse kjo kafe akoma nuk është bërë e njohur në veprat e tij, ashtu siç u bë “Kafe Rostand”, ku ai qëndron dhe shkruan në Paris.

Shkrimtari më i njohur shqiptar në botë për të disatin vit është në listën favorite të çmimeve Nobel në Letërsi.

Emri i tij qarkullon në listën e Akademisë Suedeze, e cila akordon çmimet më të larta në Letërsi, që në fillim të viteve ’90, kur Shqipëria doli nga regjimi komunist dhe Kadare nisi të botohej gjerësisht në rreth 30 gjuhë të botës.

(Kosova Sot Online)