Intervistë për “Kosova Sot Online” me këngëtarin Naser Berisha: Tregu i muzikës shqiptare është i stërmbushur, dhe shumë i egër

  • 17 nëntor 2019 - 15:17
Intervistë për “Kosova Sot Online” me këngëtarin Naser Berisha: Tregu i muzikës shqiptare është i stërmbushur, dhe  shumë i egër

Me artin e tij të veçantë, këngëtari i mirënjohur shqiptar me prejardhje nga Gjilani Naser Berisha arriti t'i prek majat e suksesit. Megjithatë ky sukses pati barrierat e veta.

Fillimisht si nxënës i shkollës së mesme, Naseri me disa shokë formuan grupin "Premiera", por për shkak të situatës së krijuar ky grup pushoj së egzistuari në vitin 1993.

Image

Pas një pauze, në vitin 2000, Naseri u rkthye në vendlindje, për ta punuar albumin e parë si solo këngëtar "Jo" mos thuaj”, në studion e Enis Preshevës në Mitrovicë, derisa me këngën "Do të doja" goditi në shenjë, pasi ajo këngë jo vetëm që u kthye në hit të kohës, por i rezistoj edhe viteve. Tutje në vitin 2002, publikon albumin "Gjurmët", ku spikat me këngën "A më kujton". Derisa në vitin 2006 do të vinte albumi "Nëse shkon" poashtu i sukseshëm.

Opusi i tij përfshin shumë këngë të bukura që me vokalin e tij të veçantë ju dha jehonë, vlen të përmenden: "Kur Mbetesh Vet", "Deti i Lodhur", "Lora", "Paradox" e shumë të tjera.

Image

Në një intervistë për gazetën "Kosova Sot Online", Naser Berisha përgjigjet në shumë pyetje rreth jetës, karrierës dhe projekteve muzikore, të cilat ju ftoj t'i lexoni në vijim...

“Kosova Sot Online”: Sapo keni lansuar këngën “Do të dua dikur”, pasi jeni dhe autor i tekstit, sa jeni ndarë i kënaqur nga kjo këngë në tërësi?

Naser Berisha: Po kënga është pritur shumë mirë nga publiku, kam mesazhe shumë pozitive dhe të panumërta në lidhje me këngën, e disa nga ta e bëjnë edhe krahasimin me dy hitet e mija të mëdha: “Do të doja” dhe “A më kujton”, e që i bije si një kompliment i madh, sepse ato dy këngë llogariten nga publiku si dy kengët që nuk do të vdesin për një kohë shumë të gjatë.

Image

“Kosova Sot Online”: Cilat janë tri këngët e tua, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe?

Naser Berisha: Unë mendoj se publiku ndër vite i ka zgjedhur se cilat janë kënget më të dëgjuara nga unë. Për dy të parat janë të padiskutushme, kurse e treta mundet të jetë në bazë të preferencave individuale. Por defenitivisht se kënga “Do te doja” dhe kënga “A më kujton” apo siç njihet edhe ndryshe si “Bjondina” janë dy kënget më të pëlqyera dhe dëgjuara nga reportuari im, kurse kënga e tretë mendoj se është kënga me titullin “Hajt shko” e cila në tekstin e vetë përmban dhe shtjellon temën sociale e politike.

Image

“Kosova Sot Online”: Keni tre fëmijë, por a e ka trashëguar ndonjëri talentin e juaj për të kënduar?

Naser Berisha: Vajza është fëmija i parë në familje dhe ka shumë talent për këndim dhe muzikë në përgjithësi, por ajo për momentin është duke ju përkushtuar studimeve, dhe se a do të provojë në të ardhmen diçka, ende as ajo vetë nuk është e sigurt në këtë drejtim, kurse djali i madh më shumë merret me futboll, edhe pse ndërkohë edhe ai në studion time këtu në shtëpi “fshehurazi” provone diçka në këto rrymat e reja, që të punojë në ndonjë beat apo edhe të regjistrojë ndonjë strofë apo refren, kurse djali i vogël kohëve të fundit po tregon gjithnjë e më shumë interesim në këtë drejtim, por do të ja lëmë kohës.

“Kosova Sot Online”: Qyteti, apo vendi ku ju relakson dhe do ktheheshit me dëshirë?

Naser Berisha: Natyrisht se vendlindja dhe vendi ku jam rritur, Gjilani. Pasi që pjesën më të madhe të rinisë time e kam kaluar aty, e tash edhe më tej çdo rrugë e rrugicë më kujton çaste të lumtura të femijerisë/rinisë time.

Image

“Kosova Sot Online”: Çfarë kujton nga fëmijëria, na shpalos ndonjë kujtim që sot ke nostalgji?

Naser Berisha: Për femijëri ndoshta më pak, sepse kohën e fëmijerisë e lidhi shumë me humbjen e babait në një moshë shumë të re, por për kohen që kam shumë nostalgji dhe e kujtoj shumë me mall, është koha e shkollës së mesme, kemi pasur një shoqëri shumë të mirë dhe shumë të organizuar në mes vete, por ëshë edhe koha kur themeluam Rock grupin “Premiera”, e që mëse interesantja ishte koha e parapregaditjeve për organizimin e mbrëmjeve për të rinjë në shkolla e salla, pastaj në koncerte të vogla në shtepitë e Kulturës dhe sallat e Teatrove në qytetin e Gjilanit dhe qytezat përrreth, inprovizimi i reklamave, rregullimi i binës, me licht-show të cilat vetë i kishim improvizuar, pastaj bisedat e gjata dhe “analizat” për mbarvajtjen e tyre etj. Kurse gëzimin më të madh ne si band e përjetuam, kur arritëm të siguronim terminin e parë në RTP-në e atëhershme dhe inçizuam këngen e parë, në një studio profesionale e që titullohej “Maturantët”, e që unë e kisha shkruar dy vite më herët, dhe se e njejta ishte bërë një lloj “hymni lokal” për gjeneratat e maturantët e asaj kohe.

Image

“Kosova Sot Online”: Sa ju pëlqejnë veturat, dhe çfarë modeli vozisni aktualisht?

Naser Berisha: Kur isha më i ri dhe nuk isha prind, natyrisht se i kisha pasion numër dy, (i pari gjithmonë ka qenë muzika), andaj në rininë time, kur i rregullova kushtet këtu në Gjermani, një nga dëshirat e para ishte një veturë të mirë dhe të shpejt, por me kalimin e kohës dhe krijimin e familjes, njeriu edhe “mbledh mend” dhe ndryshon prioritetet, tani edhe më tej kam dëshirë, të kem veturën e mirë dhe të modelit të fundit, por jo edhe patjetër të jetë shumë e shpejt. E këtë fillim viti, me rastin e ditëlindjes sime i kam bërë vetëvetës një dhuratë dhe e kam blerë një veturë të re “Audi A6 S-line”.

Image

“Kosova Sot Online”: Nga cili këngëtar inspiroheni, dhe vazhdoni t’a shikoni si model të suksesshëm?

Naser Berisha: Nga kureshtja, por edhe për nevoja profesionale, unë degjoja thuajse se nga të gjitha rrymat e muzikës, por edhe me tej, më shumë dëgjoj rock muziken e grupeve të mija të preferuara, sepse nga këto grupe legjendare edhe më tej mësoj shumë, por njëkohësisht janë edhe burim i pa shterrur dhe inspirim i vazhdueshëm për mua sa i përket rock muzikës. Kurse unë mendoj se vokali më i mirë që ndonjëherë ka ekzistuar është Freddie Mercury, edhe pse unë asnjëherë nuk kam provuar që ta emitojë në këndim.

“Kosova Sot Online”: Ku është muzika shqipe sot sipas jush: A ka shënuar progres apo regres?

Naser Berisha: Nëse e marrim si shembull Dua Lipen, Rita Oren etj. Të cilat në tregun e muzikës ndërkombëtare e kane arritur kulmin, i bije se ne kemi bërë progres tepër shumë të lartë, por nëse e marrim si bazë vetëm tregun e brendshëm, unë mendoj se kemi bërë regres, tregu i muzikës është i stërmbushur, dhe poashtu shumë i egër. Në trojet mbarëshqiptare për momentin ka shumë kuantitet dhe shumë pak kualitet. Ka humbur çdo kriter në media, në lidhje me dallimin në mes të muzikës me vlera artistike (pa marrë parasysh në cilin zhanër) dhe asaj pa vlera artistike.

Image

“Kosova Sot Online”: Së fundmi hitin tuaj "A më kujton", e ka bërë remake reperi Nushi, me gjithë suksesin, a kanë marrë leje nga ju për ripërpunim?

Naser Berisha: Pasi që është bërë një lloj mode, që të ripërpunohen hitet e vjetra, edhe unë në këtë vitin e fundit kam patur dhjetra kërkesa për një remake të këngës “A më kujton” , por edhe “Do të doja”, së fundi më kontaktoi menagjeri i Nush-it, Albert Kastrati dhe ma propozoi si ide projektin në fjalë, me disa diskutime të vogëla, në fund vendosa që të ju jepë të drejtën për remake, dhe duke e ditur se si producent ishte angazhuar njëri nga producentët më të mirë për momentin në Kosovë, Kricket.

“Kosova Sot Online ”: Cilat janë projektet muzikore që ke planifikuar t’i lansosh gjatë muajve në vijim, apo ke menduar për ndonjë duet, pasi veç po janë goxha në trend?

Naser Berisha: Për momentin po e përcjelli dhe shijojë edhe pak suksesin e kënges “Do të dua dikur” dhe besojë se që nga muaji Janar, do të fillojë përsëri të punojë në idetë e mija, që për momentin gjenden vetëm si demo këngë në follderat e studios time. Unë bashkëpunimin tim të fundit e kisha para dy viteve me Hekuran Krasniqin, e së cili do të jetë në radhë për momentin nuk e kam idenë, të presim se çka do të na sjell koha.

Image

“Kosova Sot Online”: Për fund, cila është motoja e Naser Berishes, që e përdor si porosi për të tjerët?

Naser Berisha: Mos ënderro, por beso në ëndrra, por vëtem atëherë kur edhe je i gatshëm që ato ti shëndrrosh në realitet.

Intervistoi: Armend Preteni

(Kosova Sot Online)