Drejtori Shkodran Tolaj priti sot ambasadorin e Republikës së Kosovës në R.M.V, z. Gjergj Dedaj

  • 05 February 2020 - 15:14
Drejtori Shkodran Tolaj priti sot ambasadorin e Republikës së Kosovës në R.M.V, z. Gjergj Dedaj

Drejtori Shkodran Tolaj priti ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut z. Gjergj Dedaj, në zyrat e drejtorisë së Ansamblit të këngëve dhe valleve popullore shqipe. Ky takim u bë në vigjilje të festës së Pavarësisë së Kosovës me ç’rast z. Tolaj përgëzoi z. Dedaj për punën që po bën në përfaqësimin e dinjitetshëm të shtetit të Kosovës duke e uruar edhe për krijimin e Qeverisë së re dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit. Z. Tolaj kujtoi se shqiptarët në Kosovë e Maqedoni vazhdimisht kanë dhënë kontribut të ndërsjelltë., transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kosova-tha ai, ndikoi në ngritjen e një kuadri profesionist dhe intelektual të Maqedonisë, kurse shqiptarët e Maqedonisë, dhanë kontribut të pakursyer në shtetformimin e Kosovës. Ata kanë biseduar edhe për shumë zhvillime në Kosovë e Maqedoni, me theks të veçantë për bashkëpunimin kulturor që ka ndikuar në bashkimin e shqiptarëve në të gjitha periudhat duke konstatuar se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë me intensitet edhe më të madh. Ata së bashku vizituan artistët e ansamblit, të cilët, me disa pika dedikuar Kosovës, përshëndetën dhe falemnderuan ambasadorin, për vizititën e tij. Ambasadori Dedaj, çmoi lartë këtë institucion duke potencuar se është një prej arritjeve më të mëdha të dekadës së fundit që i jep shpirt dhe identitet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ai shprehu kënaqësinë që në krye të këtij ansamblit është një emër i njohur që na ka nderuar gjithnjë me artin e tij kombëtar dhe profesional z. Shkodran Tolaj- i cili do të dijë ti japë shkëlqimin e duhur këtij institucioni. Ambasadori Dedaj, nga afër përcolli përgatitjet për koncertin e 17 shkurtit i cili do të ketë program krejtësisht special me të cilin ky ansambël do të prezantohet për herë të parë në Kosovë, pikërisht me rastin e 12 vjetorit të shtetit.

Image

Ambasadori Dedaj ndër të tjera tha “ishte nderë dhe kenaqësi për mua, të takoj drejtorin e Ansamblit të këngëve dhe valleve popullore shqipe, z.Shkodran Tolaj, tenorin e mrekullueshem dhe ekipin e këngëtarëve dhe valltarëve të këtij ansambli, të cilët ishin në fazën përgatitore për perfomancën e tyre në Sheshin e TV 21, në Prishtinë, me 17 shkurt, me rastin e 12 vjetorit te Pavarësisë së Kosovës.

Image

Bashkëpunimi dhe mbështetja e këtij ansambli është inkurajim për promovimin e vlerave kulturore në RMV dhe bashkejetesës në këtë shoqëri multi-etnike, multi-kulturore dhe multi-fetare e cila është duke ecur rrugëtim të drejtë perspektivës europiane dhe integrimit euro-atlantik”.


(Kosova Sot Online)