Nexhmije Pagarusha mund të krahasohet me Mireille Mathieu

  • 08 February 2020 - 20:22
Nexhmije Pagarusha mund të krahasohet me Mireille Mathieu

Muzika e saj ka fuqi për ta shëruar çdo njeri. Zëri i saj del nga shpirti, në fakt nuk ka shumë rëndësi kjo, të gjithë e duan muzikën e saj. Ajo me muzikën e saj ndryshoi njerëzit, por muzika ndryshon edhe botën. Kënga «Baresha» sot këndohet në dhjetëra versione, është përpunuar dhe riinterpretuar nga këngëtarë të ndryshëm. Muzika e saj kishte magji për të zbutur edhe zemrën e egër. Muzika e saj të godet, por nuk të lëndon. Tingujt rrinin te muzika dnonëse për ta kuptuat heshtjen që i ndan.

Biografia
Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera .
Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.
Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën "Për ty" në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.
Ishte në jurinë e festivalit "Kënga Magjike 2005". Aktualisht është këshilltare e lartë për muzikë në Radio Kosovë dhe në Radio Blue Sky.
Më 2018 Pagarusha u vlerësua me "Medaljen e Mirënjohjes" nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Përgatiti: Ilir Muharremi

(Kosova Sot Online)