Dy Akademitë dhe Qendra Kombëtare e Leximit thirrje në kohë pandemie: Opinioni kulturor të jetë i përbashkuar mos të lejojmë erozion intelektual

  • 17 prill 2020 - 16:25
 Dy Akademitë dhe Qendra Kombëtare e Leximit thirrje në kohë pandemie: Opinioni kulturor të jetë i përbashkuar mos të lejojmë erozion intelektual

Situata e krijuar pas pandemisë COVID-19 ka shtyrë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës që të dalin me një qëndrim të përbashkët.

Në këtë deklaratë të përbashkët kanë falendëruar të gjithë ata që po gjenden në frontin e përballjes me pandeminë, përfshirë mjekët dhe infermierët.

Siç shkruhet në këtë reagim të përbashkët të dy Akademive, se shoqëria e gjendur përballë një situate të tillë tashmë po e kupton se sa të rëndësishme janë shkenca, kultura e ndërkomunikimi.

Tutje thuhet se të gjendur përballë një situate të tillë, duhet zgjedhur e keqja më e vogël, që është distancimi social, edhe pse një gjë e tillë rrezikon ndërkomunikimin mes shkencës, artit dhe kulturës.

Në reagim thuhet se duke marrë parasysh rreziqet që paraqet pandemia, krizën ekonomike dhe sociale, shoqëria duhet të angazhohet dhe të mos lejojë erozion intelektual.

Reagimi i plotë:

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri paraqiten me një qëndrim të përbashkët për vëmendjen ndaj shkencës, kulturës dhe arteve në kushtet e distancimit social për shkak të pandemisë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri janë duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19 në gjithë botën.

Shoqëria e sotme, e kërcënuar nga një rrezik që kurrë nuk është njohur më parë, po e kupton më mirë se sa të rëndësishme janë për fatet e saj, sot dhe në të ardhmen, shkenca, kultura, artet dhe ndërkomunikimi.

Meritojnë mirënjohjen dhe mbështetjen tonë në mënyrë të veçantë të gjithë ata njerëz të dijes që gjenden në vijën e parë të rrezikut, ballë për ballë me pandeminë, duke luftuar ditë për ditë me të keqen: mjekët dhe infermierët, të cilët po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetë njerëzore. Shkenca dhe bota intelektuale po qëndrojnë me dinjitet përballë fatkeqësisë botërore, duke kërkuar rrugë e zgjidhje për t’u kthyer sa më parë në normalitet.

Jemi të detyruar të zgjedhim të keqen më të vogël: të pranojmë distancimin shoqëror për të zvogëluar dhe mbajtur nën kontroll përhapjen e pandemisë, me qëllimin parësor mbrojtjen e jetës, megjithëse e dimë mirë se kjo ka rrezikuar dhe do të rrezikojë përkohësisht ndërkomunikimin në shkencë, kulturë dhe art. Shqipëria dhe Kosova, si gjithë të tjerët në botë, janë vënë përballë një rendi dhe forme të re komunikimi intelektual, ku të rrezikuara nuk janë vetëm jetët e njerëzve apo ekonomitë, por edhe shkenca, kultura dhe arti me gjithë përbërëset e tyre. Në një mënyrë gati të padukshme dhe larg vëmendjes së opinionit, çdo vlerë shkencore e kulturore po relativizohet, po humb peshën e vet, po humb funksionin shoqëror dhe emancipues, duke u shtyrë gjithnjë e më shumë në periferi të zhvillimeve shoqërore; po bëhet e pavërejtur dhe e panevojshme, duke u kthyer në veprimtari sekondare.

Për shkak të rrethanave, për shkak të prioriteteve, për shkak të ngutjes sonë për t’iu vënë përballë një të keqeje jetësore, për shkak të përparësive ekzistenciale, po humbet sensi kulturor i krijimit të vlerave në shkencë dhe kulturë, vetë organizimi institucional i veprimtarive shkencore, kulturore dhe artistike; po humbim shprehitë tona më fisnike për të konsumuar vlera shpirtërore, për t’i dhënë hapësirë krijimit dhe krijimtarisë, për të sofistikuar marrëdhëniet tona, për të ndërtuar dhe mbajtur urat e komunikimit, për të vlerësuar krijuesit dhe arritjet e tyre.

Duke e ditur dhe duke e parandier se pasojat e kësaj pandemie do të jenë afatgjata; se nuk do të mbërrijmë aq lehtë t’i sundojmë shprehitë negative të krijuara në rrethanat e luftës për mbijetesë; duke e ditur se rrethanat e krizës ekonomike dhe shoqërore që do të vijnë më pas do të lëndojnë rëndë ndërmarrësinë kulturore, synojmë të tërheqim vëmendjen e opinionit kulturor që të qëndrojë i përbashkuar dhe të angazhohet për të mos lejuar një erozion të pritshëm intelektual, i cili do të nxirrte jashtë rrjedhave normale koherencën tone kulturore, trashëgiminë dhe identitetin, duke zbehur qëndrueshmërinë tonë përballë integrimeve në rrjedhat europiane, përmes vlerave të konsoliduara dhe prioriteteve tona kombëtare. Qëndrimi ynë është që, ashtu siç nuk duhen pritur fatkeqësitë dhe traumat e mëdha natyrore për të kuptuar rëndësinë e shkencës, kulturës dhe ndërkomunikimit, ashtu nuk duhet lejuar që në një të ardhme të afërme ato të gjenden sërish të rrezikuara nga harrimi.

Shkenca, arti dhe kultura jonë kombëtare tashmë kanë krijuar një fond veprash me vlerë identitare, të cilat duhen ruajtur dhe kultivuar, duke kërkuar rrugë të përshtatshme që ato të gjejnë përdoruesin e fisëm brenda gjithë hapësirë shqiptare, duke komunikuar intensivisht mes veti, duke intensifikuar bashkëpunimin dhe duke kultivuar një përbashkësi shpirtërore më të qëndrueshme. Ne gjithashtu tërheqim vëmendjen se bashkëpunimi e komunikimi ndërkulturor e ndërshkencor nuk duhet të pësojnë siç kanë pësuar gjithnjë në rrethana krizash, por duhet të intensifikohen, me idenë se një njësi monolite intelektuale është më e qëndrueshme dhe më e përgatitur për sfidat e ardhshme, duke përfshirë edhe përballjen me ndryshimet globale, të cilat janë të pritshme në rrethanat e krijuara.

 Ne nuk do të reshtim së kërkuari emancipim kulturor të vazhdueshëm, hapësirë për vlerat e reja në të gjitha fushat e krijimtarisë shkencore dhe artistike, bashkëpunim institucional në mbarë hapësirën kulturore shqiptare, bashkëpunim dhe njohje me kulturat e tjera, vlerësim të merituar të arritjeve fondamentale kulturore dhe shkencore dhe përsosje më të madhe të përbërësve themelorë të identitetit tonë, siç është gjuha, historia dhe trashëgimia. Ne kërkojmë që, edhe në këtë rrethanë, kur na duhet frymëzim për këtë betejë të pashembullt dhe na duhet ta gjejmë forcën e fitores, t’u kthehemi vlerave tona themelore identitare, traditës tonë më të mire dhe idealizmit tonë kulturor dhe kombëtar.

(Kosova Sot Online)