Shkrimtari që bëri miliona me libra për vrasës serikë e pranon se ka gënjyer për gjithçka, “I pranoj fajet e mia plotësisht"

  • 13 May 2020 - 15:43
 Shkrimtari që bëri miliona me libra për vrasës serikë e pranon se ka gënjyer për gjithçka, “I pranoj fajet e mia plotësisht

Një hetim online ka ekspozuar si gënjeshtar serik shkrimtarin francez Stephane Bourgoin, librat e të cilit për vrasësit serikë janë shitur në miliona kopje në Francë.

Bourgoin është autor i mbi 40 librave dhe konsiderohet gjerësisht si ndër ekspertët kryesorë të vrasjeve, pasi kishte marrë pjesë në një numër të madh dokumentarësh mbi këtë çështje. Ai kishte pretenduar se kishte intervistuar më shumë se 70 vrasës serikë, se ishte trajnuar në bazën e FBI në Quantico të Virgjinias, dhe që vetë gruaja e tij i ishte vrarë në vitin 1976, nga një njeriu që kishte pranuar vrasjen e dhjetëra njerëzve pas arrestimit dy vjet më vonë.

Por në muajin janar, një grup anonim i quajtur 4eme Oeil Corporation kishte akuzuar shkrimtarin se po gënjente për të kaluarën e tij, dhe Bourgoin tash e ka pranuar para shtypit francez se gruaja e tij kurrë nuk ka ekzistuar. Ai po ashtu ka pranuar se kurrë nuk është trajnuar me FBI-në, kurrë nuk e ka intervistuar vrasësin serik Charles Manson, ishte takuar shumë më pak me vrasësit se sa që kishte pretenduar, dhe se kurrë nuk kishte qenë futbollist profesionist – siç kishte pretenduar po ashtu.

“Gënjeshtrat e mia po ma prishin namin,” ai i tha Paris Matchit.

Në atë intervistë ai shkoi më tej duke e quajtur veten si mitomaniak (prirja abnormale ose e tepërt për të gënjyer dhe ekzagjeruar).

“I pranoj fajet e mia plotësisht. Ndihem me turp që kam gënjyer, ndihem me turp që kam fshehur gjëra,” tha Bourgoin.

Gruaja për të cilën kishte thënë se ishte vrarë në të vërtetë kurrë nuk kishte ekzistuar, e pranoi ai, duke thënë se ishte nxitur nga një grua e re e quajtur Susan Bickrest, të cilën e kishte takuar shkurtimisht në një kafene në Florida. Në vitin 1975, 24 vjeçarja Bickrest ishte vrarë nga vrasësi serik Gerald Stano, që më vonë e kishte pranuar se i kishte vrarë 41 gra të tjera.

(Kosova Sot Online)