Kush është shkrimtari shqiptar që shkruan romane horror?

  • A.P /
  • 14 July 2020 - 13:53
Kush është shkrimtari shqiptar që shkruan romane horror?

Në Kosovë zhanri horror i romaneve është i kërkuar. E veçanta është se tashmë me këtë zhanër merret shkrimtari Ilir Muharremi. “Psycho I” dhe “Psycho II” janë dy romane horror të cilat janë në gjithë libraritë e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Të dy romanet trajtojnë histori për tmerrin dhe terrorin. “Psycho I” është plot dhunë vrasje, horror, krim, makabre derisa vazhdimi “Psycho II” ka skena edhe paranormale të frikshme. Ja një fragment horror nga “Psycho II”.

“Këto dobësi nga ana juaj, nënë, kanë bërë që botën ta shoh të pakuptueshme, ta urrej njerëzimin, madje ta vras pa mëshirë, pa fije emocioni. Gjatë procedurës së vrasjes nuk kam ndjenja më për ndëshkimin, atë ndëshkim të tmerrshëm që ma bënte babai. Viktimën e shoh gjithmonë të shpërqendruar dhe më pëlqejnë njerëzit që ecin në formë të shpërqendruar, më duket preja më e ëmbël kjo...

Atë natë hyra në vaskë, isha i veshur, nuk i hoqa rrobat, u zhyta në ujin e ftohtë, më shfaqeshin ngjarjet, sidomos pamja e saj. Qëndroja shumë indiferent, pothuajse nuk më vinte fare keq sepse tashmë gruan e kisha në frigoriferë. Krejt këtë e bëra se ajo i merrte anën epshit dhe kisha fakte për këtë. Mesazhet në telefon, asnjëherë nuk vonohej natën. E urreja tradhtinë. A beson, filloja tani ta kërkoja, pishman isha bërë që e vrava. Mendoja tani përse nuk ia thashë këtë para se ta vrisja. Më mori disi gjumi dhe pashë një ëndërr shumë të keqe. Pashë veten ulur në një karrige në mes të një lokali të errët, përballë e kisha gruan time me një person të panjohur duke u puthur. Fytyrën e saj, shikimin e ndjeshëm, pastaj dorën e tij që ia përkëdhelte flokët. Disi ndieja tërbim por edhe përmallim, zonjë. Urrejtja ndaj gruas sime kaloi në urrejtje ndaj vetes sime. Aspak nuk e kisha atë mendimin të vrisja veten, isha qetësisht i ftohtë, zonjë...”

(Kosova Sot Online)