“Thellesia dy”, produkt ky i realizuar nën regjinë e Ognjen Glavoniq

  • A.P /
  • 06 December 2020 - 18:04
“Thellesia dy”, produkt ky i realizuar nën regjinë e Ognjen Glavoniq

Derisa aktualisht janë duke u zhvilluar gërmime në Kzhevak të Serbisë, ku janë gjetur trupa të pajetë, që dyshohen se janë të shqiptarëve të vrarë në luftën e Kosovës, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) me seli në Beograd, nesër do të publikojë online dokumentarin “Thellesia dy”, produkt ky i realizuar nën regjinë e Ognjen Glavoniq, si dhe fitues i çmimit “Best Balkan Documentary” gjatë festivalit “Dokufest” 2016.

Dokumentari shtjellon ngjarjet kur në vitin 2001 është zbuluar ekzistenca e varrezave masive në periferinë e Beogradit, në Batajnicë. Varrezat masive përmbanin më shumë se 700 trupa të personave të cilët gjatë bombardimeve të Serbisë nga NATO-ja në vitin 1999 u zhvarrosen nga varrezat primare masive në Kosovë dhe pastaj u transportuan me kamionë frigoriferë në lokacione sekrete në Serbi, raporton Zeri.info.

E pavarësisht nga fakti se varreza më e madhe masive ndodhej në afërsi të qendrës së Beogradit dhe që në mesin e trupave të gjetur ishin edhe shtatëdhjetepesë fëmijë – në vendin e varrezës masive nuk ka ndonjë shenjë apo monument, dhe pothuajse askush në Serbi sot nuk di asgjë për këtë rast dhe nuk e dinë rrëfimin mbi këtë rast.

Dokumentari “Thellësia Dy” u transmetua edhe në prill të këtij viti me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme, me iniciativë të organizatës rinore YIHR-KS.

Ndërkaq, FDH ka njoftuar se ky dokumentar do të transmetohet nesër në orën 12 për të gjithë në KËTË link në Youtube, dhe do të jetë në dispozicion deri më 11 dhjetor.

Të mërkurën e kësaj jave, një delegacion i Kosovës do të vizitojë punimet në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak të Serbisë.

Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit, ka thënë se punimet do të vazhdojnë deri të dihet se janë kryer të gjitha gërmimet dhe aty nuk ka më mbetje mortore.

(Kosova Sot Online)