Qarri: Nënshtrimi ndaj korporatokracisë

  • 11 October 2017 - 12:48
Qarri: Nënshtrimi ndaj korporatokracisë

Analisti Gani Qarri, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se në shtetin tonë të ri, fatkeqësisht, drejtësia ende punon nën urdhrat e politikës së inkriminuar dhe i nënshtrohet korporatokracisë kriminale. Ndaj, sipas tij, bandat e krimit të organizuar jo vetëm se ndihen vazhdimisht të trimëruara përballë shtetit, por në një vend si ky yni, që dominohet nga oligarkomafia, kriminelët gjejnë hapësirë të mjaftueshme për të vepruar të lirë dhe pa e ndier asnjëherë dorën e shtetit dhe veprimin e ligjit mbi ta."Për t'i mbajtur gjallë veprimet e tyre korruptive dhe kriminale, grupet e inkriminuara gjithsesi duhet të koketojnë ngushtë me politikën dhe të ruajnë lidhjet e përhershme me politikëbërjen në vend, si dhe udhëheqësit më të lartë, të cilët mbajnë nën kontroll monopole të fuqishme shtetërore dhe kontrollojnë elemente të caktuara të shoqërisë", ka thënë ai."Përkundër të gjithave sa ndodhin, fatkeqësisht një drejtësi e kapur si kjo në vendin tonë druaj se do të vazhdojë të veprojë e diktuar nga urdhrat e politikës së inkriminuar dhe korporatokracisë kriminale, duke mos dënuar mafio-oligarkët e politikës, korporatokracisë dhe asaj të nëntokës kriminale kosovare, gjithnjë përderisa të mos futen edhe tek ne reforma të njëmendta dhe të thella në drejtësi, për pastrimin definitiv të administratës shtetërore, gjyqësorit dhe prokurorisë së kapur të shtetit, njëjtë si Vetting-u në Shqipëri", u shpreh analisti Gani Qarri.

(Kosova Sot)