Dhunë me shkop dhe ofendime kafshërore nga mësuesit, ç’po ndodh me nxënësit autik?!

  • 11 October 2017 - 16:06
Dhunë me shkop dhe ofendime kafshërore nga mësuesit, ç’po ndodh me nxënësit autik?!

Pamjet e shoqëruara me zërin e mësuesve që fyejnë dhe dënojnë nxënësit e shkollës “Luigj Gurakuqi”, të cilët janë fëmijë me probleme mendore dhe autikë flasin qartë për dhunë psikologjike dhe fizike të ushtruar brenda mureve të një institucioni arsimor.

Në videon e transmetuar ditën e martë në emisionin Fiks Fare, shfaqeshin me zë dhe figurë pamje të rënda të mënyrës sesi trajtohen nxënësit e një shkolle nga vetë arsimtarët, ndonëse në rastin konkret ngjarje bëhet edhe më e frikshme pasi bëhet fjalë për nxënës me problem mendore.

Por, megjithë emocionet negative dhe mllefin që shkaktoi kjo video te prindërit e viktimave në fjalë, por edhe të shumë të tjerë, institucionet përgjegjëse shtetërore heshtin.

Ministria e Arsimit nuk ka ende një reagim zyrtar për ngjarjen. Institucioni  më i lartë i arsimit, që ka në varësi inspektoratin shtetëror të arsimit, detyrimi ligjor i të cilit është të monitorojë çdo mësues, çdo shkollë dhe mënyrën e funksionimit  të tyre nuk thotë asnjë fjalë.

Të gjithë e panë dhunën! Të gjithë panë sesi përveç gjuhës agresive, mësuesit qëllojnë fëmijët që nuk u binden, duke i detyruar të rrinë edhe pa lëvizur. Videoja qarkullon tanimë në pothuajse të gjitha portalet, ku mes morisë së komenteve gjen prindër të revoltuar dhe qytetarë të shqetësuar, video që mesa duket nuk ka mbërritur ende në ministri.

(Kosova Sot)