Plakun e djeg malli për vendlindjen, bën 6 orë këmbë deri në Budakovë

  • 11 October 2017 - 18:53
Plakun e djeg malli për vendlindjen, bën 6 orë këmbë deri në Budakovë

"Sa herë më merr malli për varret e të parëve të mi nisem këmbë nga shtëpia ime në ora 7 dhe deri në orën 12:00 mbërrij në Budakovë. Kaloj Grejokovcin, Sallagrazhdën, Dubravën, Savrovën, Vraniqin, Buzhalën dhe mbërri në Budakovë", shprehet për "Kosova Sot" plaku 81- vjeçari Haxhi Rrahman Kokollari. Ai tregon se këtë dëshirë e ka të ecë këmbë deri në vendlindje, jo që s'ka para për të paguar autobusin, por duke ecur nëpër këto fshatra ai çmallet me malet e fushat, që në rini i ka kaluar shumë herë këmbë. Ai pastaj kujton ato fusha e male, që dikur kishin të tjera bukuri. Kur e pyetën sa kilometra i ka, ai u shpreh: "Unë s'e di sa është larg, por bëj gjashtë orë deri te shtëpia ime, deri në Budakovë", është shprehur ai.

Image

 

"Derisa të ecin këmbët e tua, kurrë mos u ndal"

Posa e dëgjova këtë plak 81-vjeçar m'u shtua kureshtja të mësoja që në këtë moshë se si ai mund të ecë pa u ndalur. Mu kujtua një thënie e vjetër e pleqve tanë se edukata është mike e diturisë, sepse kërkon të zbatohen shumë rregulla, të cilat për të qenë i ditur, duhet të bësh rrugëtim pa u ndalur, të mësosh më shumë për natyrën. Po mendoj se ka të drejtë, kur thotë se ka një kuptim të shtrembëruar në mentalitetin e njerëzve, ku diturisë i vihet shenja e barazimit me njeriun e arsimuar. Ky plak nuk kishte shkollim të kryer, por e kishte mësuar një thënie që tha e kishte dëgjuar nga gjyshi i tij:" Derisa të ecin këmbët e tua, kurrë mos u ndal. Derisa mund të qëndrosh ulur pa u shtri, kurrë mos u shtri, derisa mundesh të bësh mirë, kurrë mos bëj keq", tregon ai. "Sa herë që marrë udhë të eci për në Budakovë, e kujtoj atë thënie të gjyshit tim dhe pastaj më duket si pesë minuta deri në Budakovë, edhe pse janë jo më pak se gjashtë orë", tregon për gazetën ai.

Është stërgjysh dhe ka nëntë nipa e mbesa

Haxhi Rrahman Kokollari thekson se kur njeriu vazhdon të ecë në këtë rrugë, fillon t'i kujtohet e gjithë rinia. "Eci aq lehtë sa nuk lodhem aspak. Kjo me bën të lirë dhe sa herë shkoj atje ndihem shumë më mirë për disa ditë. Po me ato kujtime pastaj rri dhe i analizoj se si ishin ato vende e si janë bërë", shprehet ai. Kokollari tani është stërgjysh dhe ka nëntë nipa e mbesa. Ai jeton me kujtimin e bukur për jetën. "Sa herë kujtoj vendin tim, e ato varre që na patan mësuar të parët t'i nderojmë, më kap meraku që të shkoj këmbë atje. Se të shkosh me autobus shkohet krejt tjetër rrugë e jo asaj që ne i thoshim moti 'drum". Sa herë shkonim rrugës së vjetër apo "drumit" si i thoshim, në mbrëmje në familje na pyetnin. " A takove ndoj drumtar? A të foli, e çka të tha?" Kokollari tutje thekson se "drumit" shkonin edhe kaçakët. Sipas tij, kurrë për rrugën e "drumit" nuk ecnin hajnat, sepse ata shkonin shtegut të dhive. Tregon me një mallëngjim të madh për të kaluarën e tij të lumtur, e në vete e ndjen një lloj skepticizmi për kohën e modernizimit. Sado në moshë, ai mban telefon dhe komunikon me njerëzit e tij. "Por, me ata të Budakovës kam qejf më shumë me fol goja- gojës", tregon ai. Thotë se kur flet në telefon i duket si të fliste me gojë të huaj. Plaku Kokollari tregon se këtë udhë e merr shpesh verës dhe e bën me dëshirë të madhe, por dimrit është vështirë, sepse bora nuk kalohet. Ai thotë se nëse Zoti i jep ymër, gjithmonë do të shkojë në këmbë deri në Budakovë nga Prizreni. Duke shkuar në këmbë, ai mendon se po e kryen një lloj amaneti ndaj të parëve të tij, e kjo ia lehtëson shpirtin.

(Kosova Sot)