Shabani: Politikat e gabuara ekonomike

  • 11 October 2017 - 20:57
Shabani: Politikat e gabuara ekonomike

Halit Shabani, ekspert i ekonomisë dhe ligjëruesi i Universitetit Publik, "Haxhi Zeka" në Pejë, për gazetën" Kosova Sot " tha se ka shumë faktorë që lidhen me shuarjen e bizneseve, por në radhë të parë këtu bëjnë pjesë politikat e deritashme të gabuara fiskale dhe monetare, që mbesin njëri nga faktorët kryesorë që po i detyrojnë bizneset tona të mbyllin dhe të shuajnë veprimtarinë e tyre. "Indikatorë tjetër është edhe mungesa në implementimin e ligjeve ekzistuese, përkatë- sisht keqinterpretimi i ligjeve që sërish mbetet njëri nga indikatorët që po i detyrojnë këto biznese të shuajnë veprimtarinë e tyre, ngase kjo po u sjell vështirësi dhe telashe në afarizmin e tyre", theksoi Shabani. Ai tregon se pasojat janë tejet të larta, kur kihet parasysh se një biznes, i cili ka vepruar me vite dhe ka pasur të punësuar shumë njerëz, ata do të mbesin pa punë. Përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se politikat e pafavorshme fiskale, ekonomia joligjore, kamatat e larta të kredive, mungesa e një angazhimi më serioz i autoriteteve kompetente për sektorin privat, janë vetëm disa nga arsyet e shuarjes së bizneseve. Ndaj, Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për gazetën"Kosova Sot" se të gjitha këto do të duhej t'i dinin ARBK-ja dhe infrastruktura e cilësisë brenda MTI-së e brenda ministrive tjera; BQK-ja, ATKja, Dogana, PTK-ja, Asociacionet biznesore, Departamentet ekonomike të komunave dhe inspeksionet. "Nëse institucionet, asociacionet dhe mekanizmat e shtetit do të ishin të interesuara, konform ligjit, mandatit, etikës profesionale, këtë punë do të mund ta dinte edhe qytetari konsumator, taksapagues, partneri themelues më i mundshëm, më korrekt dhe më i sinqertë i shtetit", ka vlerësuar ai.

(Kosova Sot)